AnalizaBotaMAIN

Loja kush godet i fundit

Kjo lojë mes Izraelit dhe Iranit se kush godet i fundit, pa shkaktuar fatkeqësi që politika dhe realizmi nuk munden t’i ndreqin, është si një ndeshje fëminore me dema. Megjithatë, ajo arrin të shfryjë krenarinë e pretendentëve dhe të ofrojë një dukje normaliteti në mesin kaosit: të parandalojë një luftë totale.

Të paktën në këtë rast presioni i Joe Bidenit pati një efekt. Benjamin Netanyahut iu desh pothuajse një muaj për t’u përgjigjur – një kohë mjaft e pazakontë për Izraelin. Synimi fillestar ishte goditja e objektivave bërthamore dhe vendeve të nxjerrjes së naftës së papërpunuar, i vetmi burim që parandalon kolapsin ekonomik iranian. Në këtë rast do të ishte një luftë e vërtetë.

Objektivat ushtarake u zgjodhën pas njoftimit adekuat. Siç kishte bërë Irani dy herë në muajt e fundit kur lëshoi raketa ndaj Izraelit. Dhe siç kishin bërë izraelitët.

Për çdo zhvillim, palët e interesuara do të duhet të presin rezultatin e pasigurt të zgjedhjeve amerikane: fitorja e Donald Trump ose ajo e Kamala Harris mund të ndryshojnë qasjen ndaj mungesës së stabilitetit të Lindjes së Mesme dhe të parashikojë skenarë të rinj për të ardhmen e afërt. Vlen për këtë rajon, ashtu si për shumë të tjerë: lufta në Ukrainë, e ardhmja e NATO-s, pesha e Bashkimit Evropian, deri te tensioni në Detin e Kinës dhe Tajvanin.

Në këtë luftë të çuditshme, tensionet dhe shkaqet e mundshme të një konflikti të vërtetë mbeten të gjitha të paprekura dhe në terren: ambicia izraelite për të rrëzuar regjimin iranian; ambicia iraniane që të mbetet protagonist në rajon; Hezbollahu dhe Hamasi që Netanyahu nuk mund t’i eliminojë; dyshimet se çfarë superfuqie do të jetë Amerika pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Në revistën Foreign Affairs, Karim Sadjapour, ekspert për Iranin në Carnegie Endowment në Uashington, krahason Arabinë Saudite të Mohammed bin Salmanit (39 vjeç) dhe regjimin iranian të Ayatollah Khameneit (85 vjeç); “Vizioni 2030”, modernizimi ekonomik dhe social i të parit, dhe 1979, viti i revolucionit të Khomeinit nga i cili ky i fundit vazhdon të marrë frymëzim.

Pasi tentoi për dekada të tëra një ndarje të pamundur nga krizat e Lindjes së Mesme, sot Arabia Saudite po bëhet protagonistja kryesore në rajon. Një ndryshim i lojës: vendi që mund të ndryshojë dinamikën statike të Lindjes së Mesme, çështjen shekullore midis Izraelit dhe palestinezëve, vazhdimësinë e shteteve arabe të dështuara, tribalizmin dhe krizat kronike ekonomike të shumë vendeve; konfliktet e pafundme.

Ajo që do t’i duhet Lindjes së Mesme është një marrëveshje e madhe për sigurinë kolektive midis të gjitha vendeve. Diçka e ngjashme me atë që u krijua për Evropën nga Konferenca e Helsinkit e vitit 1975: ajo parandaloi përhapjen e Luftës së Ftohtë në një konflikt të vërtetë në kontinentin e vjetër.

Megjithatë, duke parë hartën politike të Lindjes së Mesme, Helsinki është një hipotezë shumë e largët: shumë ushtri (ajo që burokracia gjeopolitike i quan “aktorë joshtetërorë”), shumë ambicie kombëtare, shumë ndërhyrje nga fetë, që të mund të mendohet një strukturë sigurie kolektive, e pranuar nga të gjithë. Edhe reformat e princit të kurorës Mohammed bin Salman, të cilat mund të bëhen një fakt i ri, në realitet ende nuk janë pranuar nga sauditët: kalimi nga ekstremizmi i ngurtë fetar i vehabizmit në modernizimin shoqëror nuk është ende një siguri. / bota.al

Back to top button