Ka financues të rëndësishëm të Partisë Republikane të SHBA, që sigurisht kanë ndikuar në zgjedhjet e Trump për Iranin. Bëhet fjalë për donatorët më të rëndësishëm të partisë republikane, të cilët midis 2016 dhe 2018 derdhën më shumë se 259 milion dollarë në arkat e partisë: milionerë që kurrë nuk e kanë mbajtur sekret, shkruan LobeLog, si përmes deklaratave publike ashtu edhe përmes financimit të opinioneve që mbështesin veprimin ushtarak kundër Iranit, dëshirën e tyre për të arritur një ndryshim të regjimit në Republikën Islamike.
Sheldon Gary Adelson për shembull, një manjat, investitor, filantrop dhe pronar i Las Vegas Sands Corporation, i renditur nga Forbes në vendin e 24 në listën e më të pasurve të botës me 37.7 miliard dollarë, sugjeroi publikisht përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit dhe i kërkoi Trumpit të zëvendësojë këshilltarin e atëhershëm të sigurisë kombëtare, H.R. McMaster me John Boltonin, për shkak të ngurrimit të këtij të fundit për të ndjekur një linjë më të vështirë me Iranin. Në vitin 2017, Organizata Sioniste e Amerikës, e cila merr pjesën më të madhe të fondeve të saj nga Adelson, zhvilloi një fushatë publike kundër Gjeneralit McMaster, i cili mbante një pozicion të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke e akuzuar atë si “kundër qëndrimeve politike të Presidentit Trump për Izraelin, Iranin dhe terrorizmin islamik”.
Bernard Marcus, një financues tjetër i madh i GOP, dhuroi 530,000 dollarë në Komitetin e Veprimit Politik (PAC) të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton. Për Marcus, Irani përfaqëson “djallin”, siç deklaroi ai në një intervistë për Fox. Nuk është më pak aktiv Paul Singer, pronar i fondit Elliott, një përkrahës i spikatur i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, think-tank neokonservator i Clifford May, i cili në Siri ka nisur programin “Projekti Siria” për të mbështetur rebelët dhe për të rrëzuar Bashar al Assadin. Drejtori i Përgjithshëm i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive është Mark Dubovitz, një përkrahës i sanksioneve të ashpra ekonomike kundër Teheranit dhe kritik i marrëveshjes bërthamore të nënshkruar në vitin 2015, e njohur më mirë si Jcpoa.
Në një artikull të botuar në Wall Street Journal, Duboëitz shpjegon se sanksionet e SHBA kundër Teheranit justifikohen nga “roli i regjimit si sponsori kryesor i terrorizmit, përfshirë bankën e tij qendrore për financimin e terrorizmit; programi i tij i raketave, i cili po përparon drejt një rakete balistike ndërkontinentale; dhe abuzimet e të drejtave të njeriut”.
Falë këtyre financuesve të rëndësishëm, neokonservatorët mund të kenë arritur të ndikojnë shumë në zgjedhjet e Presidentit Trump. I cili në një përshkallëzim të mundshëm do të rrezikonte të ngjante më shumë me George W. Bushin sesa me Andrew Jacksonin: ndonëse as Uashingtoni dhe Teherani nuk aspirojnë për një konfrontim të drejtpërdrejtë, në fakt, në këto raste nuk mund të përjashtohen plotësisht gabime të mundshme në llogaritje. / bota.al