Në lashtësi, gjendej një vend i shenjtë ku njerëzit nga gjithë bota mesdhetare vinin për të kërkuar këshilla: ishte Orakulli i Delfit. Aty, një priftëreshë e quajtur Pizia, e lidhur me kultin e perëndisë Apollon, jepte profeci për të ardhmen në një gjendje ekstaze ose transi të thellë shpirtëror.
Por si është e mundur që Pizia dukej se “shihte” të ardhmen?
Delfi: qendra e informacionit në botën e lashtë
Në fakt, ajo që dukej si magji apo hyjnore, kishte shumë lidhje me njohuritë e jashtëzakonshme që priftërinjtë e Delfit kishin mbledhur ndër shekuj. Për shekuj me radhë, njerëz nga të gjitha viset e Mesdheut vizitonin këtë faltore, duke sjellë me vete histori, lajme, probleme politike apo tregtare. Kështu, Delfi ishte shndërruar në një arkiv gjigant informacioni, një lloj “qendre të të dhënave” për kohën.
Për shembull, falë këtyre njohurive, grekët mund të merrnin udhëzime të sakta për vendet më të përshtatshme për të themeluar koloni të reja, ndonëse shumë larg atdheut të tyre.
Profeci të mjegullta, por me ndikim
Rituali ishte gjithmonë i njëjtë: pasi paguanin një taksë dhe ofronin një flijim, pelegrinët paraqiteshin përpara Pizias, një vajzë e re me prejardhje fisnike, që zgjidhej posaçërisht për këtë rol. Ajo jepte përgjigje në një gjuhë të pakuptueshme, ndoshta nën ndikimin e substancave halucinogjene apo gazrave që dilnin nga nëntoka përmes një çarje shkëmbore në faltore.
Kjo teori mbështetet edhe nga vendndodhja e tempullit: zona është e njohur për aktivitet të lartë sizmik dhe nën tempull janë zbuluar dy çarje, nga të cilat mund të kenë dalë gazra si etileni, benzina apo një përzierje metani dhe dioksidi karboni.
Përgjigjet e Pizias, që zakonisht ishin të pakuptueshme, përktheheshin dhe interpretoheshin nga priftërinjtë dhe më pas u përcilleshin vizitorëve në formë vargjesh poetike. Por shpesh, ato ishin aq të paqarta dhe të dykuptimta, sa secili mund t’i interpretonte sipas interesit të vet.
Pra, a ishte Orakulli i Delfit një mrekulli hyjnore apo një mjeshtëri njerëzore në mbledhjen dhe përdorimin e informacionit?
Ndoshta të dyja – por ajo që është e sigurt, është se Delfi mbetet një nga shembujt më magjepsës të mënyrës se si besimi, politika dhe njohuria ndërthureshin në botën e lashtë. / bota.al