Historitë mbi gjarpërinjtë e detit dhe përbindësha të tjerë që banojnë në oqean janë mite të lashta. Por në një studim të fundit të botuar në revistën “Fish and Fisheries”, një shkencëtar ka zbuluar fajtorin që qëndron pas pamjeve historike të gjarprit të detit në Ishujt Britanikë.
Pas analizimit të mbi 200 raporteve të shikimeve të gjarprit të detit të bëra midis viteve 1809-2000, Robert Frens nga Universiteti Delhousi, arriti në përfundimin se rrëfimet mbi përbindëshat “me shumë gunga” që fshiheshin pranë sipërfaqes së ujit në Ishujt Britanikë, ishin në fakt pamje të hershme të kafshëve detare të ngatërruara në rrjetat e peshkimit.
Frens shqyrtoi histori dhe raste të botuara në gazetat historike, revistat shkencore, libra të historisë natyrore, tekste kriptozoologjike, madje edhe dëshmi të pretenduara okulare. Ndërsa ato ndryshonin shpesh në mënyrë thelbësore nga njëra-tjetra, kishte disa detaje të zakonshme të përbashkëta.
Trupi i gjarprit të detit shtrihej në një gjatësi prej dhjetëra metrash (deri në 100 metra), formonte shumë mbështjellje apo gunga në sipërfaqe dhe shpesh kishte flokë ose mustaqe në pjesën e kokës.
Shumë raporte sugjeronin se gjarpërinjtë ishin të aftë të lëviznin me shpejtësi, apo përshkruanin se ata përplaseshin me forcë mbi sipërfaqen e ujit. Por Frens argumenton se këto përshkrime bien ndesh me të gjitha kafshët e njohura detare (të gjalla dhe të zhdukura), dhe mund të shpjegohen më lehtë kur shqyrtohet mundësia që një kafshë detare të tërheqë pas vetes rrjetat apo vozat e peshkatarëve pas tyre.
Sot, materialet sintetike që i japin forcë dhe qëndrueshmëri pajisjeve të peshkimit, endin një lloj fshikëze rreth kafshëve fatkeqe që janë ngatërruar brenda tyre. Por para shpikjes së këtyre materialeve, pajisjet e peshkimit prodhoheshin nga produkte natyrore që i lejonin kafshët që të lëviznin më lirshëm ndërsa ishin mbërthyer nga mjetet e peshkimit.
Në vend se t’i nënshtroheshin ngordhjes së menjëhershme siç ndodh me pajisjet e sotme të peshkimit, dikur speciet detare mund të merrnin me vete rrjetat derisa ato të degradonin plotësisht.
Përtej zgjidhjes së një misterit shekullor që ka magjepsur detarët, Frens flet për një rrëfim më të fshehtë:mjetet e peshkimit kanë qenë prej kohësh një problem i përhapur, duke i munduar oqeanet shumë më gjatë sesa prisnin shkencëtarët. / bota.al