Motivuese

Mos gjykoni askënd pa e kuptuar më parë

Në një anije po udhëtonte një çift. Papritmas anija pësoi një aksident dhe çifti u detyrua të vraponte drejt varkës së shpëtimit. Por kur arritën atje, panë se kishte vend vetëm për një person. Në atë moment, burri e shtyu gruan pas tij dhe u hodh vetë në varkën e shpëtimit. Gruaja e tij po qëndronte në anijen që po fundosej, dhe i tha me zë të lartë një fjali burrit të saj.

Mësuesja e ndaloi rrëfimin dhe i pyeti nxënësit e saj: “Cilat mendoni se ishin fjalët e saj të fundit drejtuar bashkëshortit?”

Shumica e nxënësve u përgjigjën:”Të urrej!”.

Pasi dëgjoi shumicën e përgjigjeve, ajo vuri re se një djalë po qëndronte në heshtje. Mësuesja i kërkoi edhe atij të përgjigjej për të njëjtën pyetje. Ai u përgjigj: “Mësuese, besoj se ajo do t’i ketë thënë me zë të lartë: Kujdesu për fëmijën tonë.

Pasi u habit duke dëgjuar përgjigje të tillë, mësuesja e pyeti djalin: “Mos e ke dëgjuar edhe më parë këtë histori?”.

Djali tundi kokën në shenjë mohuese dhe tha: “Jo nuk e kam dëgjuar më herët. Por i tillë është edhe amaneti që i la nëna babait tim para se të vdiste për shkak të një sëmundje të rëndë”.

Mësuesja shtoi: “Përgjigja tënde është e saktë!. Anija u mbyt, burri shkoi në shtëpi dhe e rriti i vetëm vajzën e tyre. Shumë vite më vonë pas vdekjes së tij, vajza po rregullonte të gjitha gjërat e të atit, kur zbuloi ditarin e tij personal.

Atje ajo zbuloi se kur prindërit e saj gjendeshin në anije, nëna e saj ishte diagnostikuar tashmë me një sëmundje të pashërueshme dhe ishte në fazën më kritike. Ndaj kur anija po fundosej, bashkëshorti nxitoi që të shfrytëzonte të vetmen mundësi për të mbijetuar.

Burri shkruante në ditar se dëshironte që të zhytej në fund të oqeanit bashkë me gruan e tij, por për hir të vajzës së tyre ai duhej të jetonte. Historia mbaroi dhe në klasë pllakosi heshtja. Mësuesja e pa se nxënësit e kuptuan moralin e tregimit.

Mbi të mirën dhe të keqen në këtë botë, ka shumë ndërlikime prapa tyre, të cilat janë të vështira për t’u kuptuar. Ndaj ne nuk duhet të përqendrohemi tek gjërat sipërfaqësore, dhe mos të gjykojmë askënd pa e kuptuar më parë.

Back to top button