HistoriMAIN

Napoleon Bonaparti: Oficeri që u bë gjeneral. Gjenerali që u bë mbret dhe ndryshoi Evropën

Nga oficer artilerie në gjeneral, më pas mbret dhe në fund perandor. Napoleon Bonaparti ishte gjithçka: gjeni ushtarak, politikan, jurist, talent krijues me një dinamizëm të pashoq. Ai i dha emrin e tij ambicies dhe e bëri atë në një kohë minimale. Në ato pak vite që ndajnë Austerlitz-in nga Ëaterloo, ai pushtoi botën. Kur, i mundur, e riktheu, gjurmët e tij e kishin mbetur përgjithmonë. Pastaj nga mërgimi i Shën Helenës fluturoi e u bë legjendë.

Gjithçka kishte nisur në një tjetër ishull, Korsikë, ku gjenerali i ardhshëm lindi më 15 gusht 1769 në Ajaccio, në një familje me origjinë të lashtë dhe fisnike toskane: babai i tij Giuseppe Maria Buonaparte, avokat, nëna e tij Maria Letizia Ramolino, pasardhëse e një pasaniku. Në moshën dhjetë vjeçare, një bursë i hapi dyert e shkollës ekskluzive ushtarake të Brienne-le-Château, në Francën veriore, ku fëmijët e rritur mësonin artin e luftës. Do të ishin pesë vite studim dhe lexim, si dhe vënie në lojë: shokëve nuk u pëlqente origjina e tij korsikane dhe frëngjishtja e çalë.

Napoleoni doli prej asaj shkolle me një prirje drejt vetmisë dhe një shpirt të fortë revanshi, me krenarinë të përforcuar nga një pakënaqësi e fortë antifranceze. Karriera e tij ushtarake eci shpejt: në vitin 1784 ai shkon në Shkollën Mbretërore të Parisit dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç caktohet në një regjiment artilerie të vendosur në La Fère, në Picardy. Kur shpërtheu revolucioni në vitin 1789, Napoleoni u rikthye në Korsikë, duke shpresuar se nga trazirat mund të përfitonte kauza e ishullit. Por iu desh të largohej në vitin 1793 me gjithë familjen, e tij pasi u nda nga fronti indipendentist.

Në Paris revolucioni ia kishte lënë vendin Terrorit, gijotina po punonte me kapacitet të plotë. I emëruar kapiten, ai u dërgua nga Komiteti i Sigurisë Publike për të shtypur disidencën në Marsejë, më vonë mori komandën e trupave në Toulon, ku ishin vendosur mbretërorët, të mbështetur nga anglezët. Oficeri i ri zgjidhi shkëlqyeshëm rrethimin e qytetit, duke shfaqur një menaxhim të forcave të artilerisë që e bëri të spikasë si strateg brilant. Një sukses që i dha emërimin gjeneral brigade. Dy vjet më vonë, më 5 tetor 1795, emërohet komandant në Paris: Napoleoni shpëtoi Konventën Kombëtare duke shtypur me gjak revoltën e monarkistëve. Pas kësaj do të vinte emërimi gjeneral i Korpusit të Ushtrisë së Brendshme: vetëm 26 vjeç dhe ishte një yll në ngjitje të shpejtë.

JOZEFINA DHE TRIUMFET NË ITALI

Në kryeqytet, djaloshi korsikan takohet me botën e madhe: shkon në teatër, organizon darka dhe vendos këmbë në sallonet me peshë. Mbetet i magjepsur nga sharmi i Jozefina Tasher, një e ve e Beauharnais, zonjë e madhe me një mijë lidhje, më e madhe se ai, e zhytur borxhe, por gjithsesi pronare e një pasurie: ajo vë bast për atë ushtar me shikimin magnetik, ai për atë grua të rafinuar.

Më 9 mars 1796 ai u martua me të dhe më 27 të po të njëjtit muaj, ajo ishte tashmë në Nice në komandën e ushtrisë italiane, gati për të luftuar me Austrinë, udhëheqëse e koalicionit të monarkive të mëdha evropiane, të terrorizuara nga spektri i “murtajës revolucionare”. Fushata fillon më 12 Prill; Më 14 maj Napoleoni hyri në Milano si triumfues. Në pak më shumë se një muaj, i shndërruar në legjendë, ushtari i ri i befasoi të gjithë duke sulmuar nga Liguria, ndau frontin e armikut dhe shkatërroi fillimisht piemontezët dhe më pas austriakët e gjeneralit të vjetër Beaulieu, i cili mbeti në mëshirën e zgjedhjeve strategjike të rivalit të tij.

Në krye të një ushtrie të dobësuar, të paguar keq, të pajisur dobët, inferiore, Napoleoni realizoi kryeveprën e tij të parë, të ndërtuar mbi menaxhimin inovativ të trupave, përgatitjen e përpiktë të betejave, zgjedhjen e oficerëve po aq të guximshëm sa ai, aftësinë për të rigjallëruar ushtrinë duke u dhënë burrave një ndjenjë përkatësie, që bëhet një ëndërr e përbashkët e lavdisë kur marrëdhënia midis trupës dhe udhëheqësit konsolidohet deri në atë pikë, sa të bëhet përkushtim fanatik ndaj liderit.

Prandaj Napoleoni në Itali zbulon se ai ka një madhështi, po aq të madhe sa ambicia e tij. Dhe ai fillon t’i shërbejë të dyjave. Më 5 gusht në Castiglione delle Stiviere fitoi betejën e tij të parë të madhe, duke shtyrë deri në Venecia dhe duke e detyruar Austrinë të firmosë Traktatin e Campo Formio. I rrethuar nga dafina e triumfuesit, në Francë ai bëhet politikisht me shumë peshë.

Prandaj e largojnë nga Parisi, duke i besuar pushtimin e Egjiptit, duke iu kundërvënë interesave ekonomike të anglezëve në dete. Fushata do të ishte një dështim: pavarësisht betejës së fituar të Piramidave në 21 korrik 1798, luftëtarit iu desh të shohë shkatërrimin e plotë të flotës përballë admiralit anglez Horatio Nelson, si dhe të dorëzohej përballë pamundësisë për të marrë fortesën e lashtë të San Giovanni d’Acri.

Me t’u rikthyer në atdhe, gjen në Paris krizë dhe ushtrinë copë-copë. I mbetej vetëm grushti i shtetit. Në 9 nëntor 1799, Bonaparti shpërndan Dhomat, pushteti i kalon tre konsujve që hartojnë një kushtetutë të re, e cila më pas do të ratifikohej me plebishit. I emëruar Konsull i Parë, Gjenerali ka në duar tashmë vendin e tij dhe plazmon sipas modelit të një përqëndrimi të fortë administrativ: vendi ndahet në departamente, me në krye figurën e re të prefektit. I jep fund edhe rivalitetit me Kishën, duke sanksionuar laicitetin e shtetit. Themelon Bankën Kombëtare dhe riorganizon sistemin shkollor ku gjen hapësirë liceu, djepi i klasës së re drejtuese.

Por nëse Franca ishte e tija, Italia po i shpëtonte nga duart. Koalicioni i ri antifrancez kishte përmbysur një pjesë të madhe të republikave bija të ekspeditës së parë, kështu Konsulli i Parë rikthehet tek lufta dhe fitorja, fillimisht në Montebello e më pas në Marengo, në 4 qershor 1800. Nga triumfi lind në vitin 1802 Republika italiane, president i të cilës është vetë Bonaparti, ndërkohë që traktati i Amiens i firmosur me Mbretërinë e Bashkuar i jep dy vite armëpushim Evropës. Në Notre-Dame, në vitin 1804, Napoleoni merr nga Papa Piu VII kurorën e perandorit të Francës; një vit më pas në Duomo të Milanos, edhe atë të Mbretit të Italisë.

PERANDORI FRANCEZ DHE MBRETI I ITALISË

Në kulmin e lavdisë dhe pushtetit, ai vë në shenjëstër Anglinë. Por pushtimi i planifikuar i ishullit përplaset me disproporcionin e forcave detare dhe fundoset pas asgjësimit të flotës në Trafalgar, përsëri nga Nelsoni. Më 1805, Napoleoni përballet me koalicionin e tretë antifrancez, i cili këtë herë përfshinte Anglinë, Austrinë dhe Rusinë, duke dërguar marshallin e tij më të aftë, Andrea Massena, për të “shqetësuar” austriakët në Itali, teksa ai personalisht mori komandën e “Ushtrisë së Madhe”.

Është pragu i Austerlitz-it, kryevepra strategjike e Bonapartit: 13 dhjetor 1805, në përvjetorin e kurorëzimit të tij, ai shkatërron austro-rusët. Një vit më pas mundi Prusinë në Jena dhe hyri triumfalisht në Berlin. Në vitin 1807, ushtria e Car Aleksandrit kapitulloi në Friedland. Praktikisht i pamposhtur, në krye të një ushtrie të dehur nga suksesi, perandori vendos një bllokadë kontinentale, duke ndaluar anijet që mbajnë flamurin anglez të ankorohen në çdo port, duke shpresuar kështu të goditet ekonomia britanike.

Papës që refuzon t’i bashkohet, ai i përgjigjet me marrjen e Romës dhe aneksimin e Shtetit Papnor në Perandori, dhe kur i vjen njoftimi i shkishërimit, ai arreston papën dhe e transferon në Francë, fillimisht në Grenoble dhe më pas në Fontainebleau.

Bllokada, megjithatë, ishte një dështim. Shumë shtete e anashkaluan, duke përfshirë Portugalinë, e cila pushtohet në shenjë hakmarrjeje.

Më pas, Napoleoni përfitoi nga mosmarrëveshja dinastike midis Karlit VI dhe djalit të tij për t’i detyruar të dy të abdikojnë dhe të vendosin vëllanë e tyre Jozefin në fronin e Spanjës, por pa qenë në gjendje të zbuste luftën guerile apo të shkatërronte forcën e ekspeditës angleze. E cila kishte çliruar ndërkohë shtetin luzitanian. Megjithë vështirësitë, në vitin 1809 u gjunjëzua edhe koalicioni i pestë (një tjetër aleancë midis Perandorisë Austriake dhe Mbretërisë së Bashkuar), fitore që erdhi prej epërsisë së padiskutueshme ushtarake.

Ai pushton Vjenën dhe Kalanë e Schönbrunnit dhe u diktoi austriakëve një paqe shumë të ashpër. Ndërkohë arrin një marrëveshje me kryeministrin e tyre Metternich për një martesë shtetërore të aftë për të pajtuar përfundimisht Francën dhe Austrinë dhe, me shpresë, t’i jepte perandorit trashëgimtarin e shumëdëshiruar. Ai ishte divorcuar nga Jozefina, shoqja që adhuronte, por e cila ishte jobesnike, dhe tani ishte martuar me Mari Luizën e Austrisë, mbesa e Marie Antuanetës.

Por djali i tij i lindur në 1811, Napoleon Françesku, i njohur si Mbreti i Romës, nuk do të ngjitej kurrë në fron dhe do të vdiste në moshën 21-vjeçare.

I vendosur për t’i dhënë një goditje përfundimtare edhe carit Aleksandër, perandori përpiqet të pushtojë Rusinë, një sipërmarrje titanike që do të përmbyllej me një humbje epokale. Shifrat nuk gënjejnë: perandori niset në krye të një ushtrie prej 700 mijë burrash, nga të cilët 400 mijë nuk do të ktheheshin kurrë. Disfata e tij bën që fuqitë evropiane të ngrejnë kokë.

Me t’u rikthyer në Francë, Napoleoni punon natë e ditë për të ringritur në këmbë ushtrinë, afro 400 mijë, në pjesën më të madhe rekrutë të rinj. Luanit të plagosur i mjaftojnë për të mbajtur larg prusianët, por joa koalicionin e madh, duke përfshirë dhe austriakët, të cilët duket se nuk e marrin parasysh martesën e një viti më parë.

Ushtria franceze kapitullon në Lajpcig. Napoleoni ia beson perandorinë të shqoes dhe kryeqytetin vëllait, vihet në krye të 60 mijë veteranëve dhe për dy muaj frenon forcat armike. Por më pas, iu duhet të lëshojë përballë prusianëve. Në 31 mars 1813, car Aleksandri hyn në Paris. Napoleoni detyrohet të abdikojë. Pas një tentative vetëvrasjeje me arsenik, që shmanget për mrekulli, si dhe një lamtumire shumë emocionuese që i bën Gardës së Vjetër, shkon në Marsejë e prej aty niset për në ekzilin e tij, në Elbë. Në ishull e shfryn hiperaktivizmin që e karakterizon duke ndërtuar rrugë dhe infrastruktura, si dhe mban një sy vigjilent nga Parisi ku Luigji XVIII, që u rikthye në fron pas abdikimit të Napoleonit, e ka humbur tashmë mbështetjen e popullit.

Arratia nga Elba dhe 100 ditët legjendare

Dhjetë muaj izolim mund të mjaftojnë. Arratiset edhe përballë syrit vigjilent të anglezëve dhe në 1 mars 1815 zbarkon në Antibes: fillojnë kështu 100 ditët legjendare. Në marshimin drejt Parisit shkakton një entuziasëm popullor që nuk e priste: për të bindur trupat që dërgonte mbreti që të ulnin armët, mjaftonte që të shfaqej vetë para tyre. I hipur sërish në fron, riorganizon ushtrinë dhe harton një kushtetutë më liberale.

E pret dueli final. Përballë ka armiqtë e përhershëm, në krye Mbretërinë e Bashkuar dhe Prusinë. Planifikon sërish që të përçajë forcat kundërshtare, por kjo manovër i realizohet vetëm pjesërisht. Vaterloja do të ishte kapitulli i fundit e historisë ushtarake të papërsëritshme. Gabime taktike dhe në organizim sjellin disfatën historike të 18 qershorit 1815, mbi të cilën rëndon edhe zgjedhja e gjeneralëve që nuk ishin në lartësinë e detyrës.

Pasi gjen strehim në kështjellën Malmaison, Napol,eoni pret fatin e tij: në 15 korrik u dorëzohet anglezëve. Eshtë i bindur se mund të jetojë si qytetar i thjeshtë në Angli apo SHBA, por e pret ekzili në ishullin e Shën Helenës, në oqeanin Atlantik.

Në atë copëz toke, që kontrollohet me sy prej kontinentit anglez, njeriu që kish qenë zot i Evropës vdes në 5 maj 1821, nga një tumor në stomak. I varrosur në ishull, trupi i tij do të rikthehej në Paris për një funeral solemn vetëm në vitin 1840. / bota.al

Back to top button