HistoriMAIN

Në origjinë të luftës civile kolumbiane (dhe akuzat për CIA-n)

Gjithça filloi me vrasjen e një politikani karizmatik që ëndërronte të bëhej president i kombit të tij dhe ta bënte atë një fuqi të madhe. Ai ishte favorit në zgjedhjet e ardhshme, vizioni i tij politik kishte magjepsur njerëzit dhe kokëfortësia e bënte atë një kërcënim për status quo-në. Nëse zgjidhej, ai mund të kishte ndikuar në trajektoren e historisë së Amerikës Latine. Nëse zgjidhej, Revolucioni Kuban do të kishte ndodhur në Bogota në 1950, në vend të Havanës në 1959.

Politikani në fjalë quhej Jorge Eliécer Gaitán, ai ishte lideri i Partisë Liberale dhe nuk do të kishte mbërrinte i gjallë në zgjedhjet presidenciale të Kolumbisë të vitit 1950: ai u qëllua për vdekje më 9 prill 1948 në atë që ka mbetur, për të gjithë, një çështje e pazgjidhur. E cila vazhdon të përndjekë Kolumbinë, e cila ka qenë në luftë civile që nga ai 1948 i mallkuar.

Nga barrio në Plaza Bolívar

Jorge Eliécer Gaitán Ayala lindi në një ditë të papërcaktuar në janar 1903 në një nga lagjet më të varfra dhe më të rrezikshme të Bogotasë: barrio Egipto. Ai u rrit me nënën, me profesion mësuese, duke mësuar që në moshë të vogël të dashurojë librat dhe të lundrojë në ujërat e vështirësive.

Zhvilloi një karakter të çuditshëm në vitet e kolegjit, ndoshta si reagim ndaj ngacmimeve të shokëve të klasës për shkak të pamjes së tij të zbehtë – një reflektim i kequshqyerjes -, duke iu afruar ideve të socializmit liberal kolumbian, pas hyrjes në universitet.

I shkëlqyer, por plot energji, në kufi me problematiken, Gaitán shpejt do të bëhej studenti më i njohur i Universitetit Kombëtar të Kolumbisë, ku themeloi një rreth letrar dhe një qendër liberale. Pas diplomimit për drejtësi dhe shkenca politike në 1924, Gaitán mori një bursë për të vazhduar studimet në Romë. Ai u kthye në Bogota në vitin 1928, me një doktoraturë dhe aftësi oratorike të mësuara duke dëgjuar fjalimet e Benito Musolinit, i vendosur për të hyrë në politikë.

Paraqitja e tij e parë në Kongres, si avokat, ishte një sukses i madh: fjalimi i Gaitán-it, i cili ishte thirrur të fliste për masakrën e bananeve – një masakër me autore United Fruit Company – do t’i jepte pseudonimin “Tribuna e popullit” nga shtypi si dhe rekrutimin në Partinë Liberale.

Rruga e Gaitán-it dukej e destinuar për presidencën. Në vitin 1931 zgjedhja si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Në vitin 1933 ai u emërua negociator i qeverisë në krizën midis Kolumbisë dhe Perusë. Në vitin 1936 ndodhi transformimi në kryetar bashkie të Bogotas. Në vitin 1940 titullar i ministrisë së arsimit. Në vitin 1946 gara e parë drejt Casa de Nariño përfundoi në vendin e tretë.

Dy vjet më vonë, në gjysmë të rrugës së zgjedhjeve të reja presidenciale, Kolumbia kishte filluar të ndjente efektet e fillimit të Luftës së Ftohtë: barbarizmin e diskursit politik, polarizimin e shoqërisë në ekstremizma, radikalizimin në forcat e armatosura, teksa trazirat dhe politikat e dhunës ishin dukuri e përhapur dhe e përditshme. Përpjekjet e Gaitán-it për të korrigjuar situatën duke rregulluar superstrukturën do të rezultonin fatale.

Nga Bogotazo në Dhunë

Kolumbi, 1948. Liberalët dhe konservatorët janë në gjendje lufte: pritat, përleshjet dhe vrasjet ndodhin çdo javë. Një lloj histerie kolektive ka kapluar klasën sunduese, e cila akuzon liberalët se janë të paguar nga Bashkimi Sovjetik, dhe thirrjet e Gaitanit për qetësi janë ulërima në shkretëtirë.

Kanë mbetur edhe dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, të planifikuara për në vitin 1950, dhe Gaitán ka bërë fushatë që nga viti 1946. Ai premton të transpozojë politikat e deoligarkizimit të bujqësisë dhe masat kundër analfabetizmit që e bënë atë të famshëm në Bogota në nivel kombëtar. Ka bërë miqësi me presidentin e majtë të Venezuelës Rómulo Betancourt dhe po ndjek nga afër situatën në Kubë.

Më 9 prill, ditën e vrasjes së tij, Gaitán kishte në plan të takonte një të ri që kishte ardhur nga Havana për ta njohur, njëfarë Fidel Kastro. Por të dy nuk u takuan kurrë: tribuna e njerëzve u qëllua për vdekje nga një i panjohur rrugës për në Hotel Continental. Turma e kapi autorin e dyshuar të pritës një punëtor ndërtimi, Juan Roa Sierra, dhe e linçoi për vdekje.

Gaitán vdiq në spital disa orë pas atentatit. Njoftimi i largimit të tij nga kjo botë erdhi si një tronditje për popullsinë e kryeqytetit, e cila atë ditë shkaktoi një kryengritje të furishme, e njohur në histori si Bogotazo, e cila kulmoi me mbi 600 vdekje, 450 plagosje dhe mbi 500 arrestime. Fillimi i luftës civile para luftës civile: dhuna (la violencia).

Nga dhuna te lufta civile

Historiografia e tregon me gisht vrasjen e liderit komunist Jacobo Prías Álape, më 11 shkurt 1960 nga një komando bandoleri, si casus belli-n e luftës civile kolumbiane. Por e vërteta është se në vitin 1960, vendi kishte qenë tashmë në luftë prej dymbëdhjetë vjetësh.

Vrasja brutale e Gaitan-it inkurajoi liberalët dhe komunistët të formonin komitete vetëmbrojtjeje, të cilat shpejt u zhvilluan në lëvizje guerile, duke ndezur një rreth vicioz të hakmarrjes, i cili deri në vitin 1960 do të linte të vdekur, dyqind mijë civilë, pesëmbëdhjetë mijë guerrilas/paraushtarakë të majtë, pesë mijë guerrilë/paraushtarakë të djathtë dhe gati pesë mijë pjesëtarë të forcave të rendit dhe të forcave të armatosura.

Bota besonte se gadishulli Korean ishte teatri kryesor i konfrontimit hegjemonik midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Në fakt, ishte në Kolumbi që të dy superfuqitë kishin filluar të luftonin, në vitin 1948, duke financuar armatimin dhe radikalizimin e konservatorëve dhe liberalëve.

Nga dokumentet e deklasifikuara në vitet që pasuan, të cilat përbëjnë një pjesë pafundësisht të vogël të dosjes së Kolumbisë – e cila mbetet në thelb e klasifikuar -, doli se CIA ishte kaq e shqetësuar për figurën dhe idetë e Gaitán-it, pasi konsiderohej i aftë të projektonte Kolumbinë në orbitën e Bashkimit Sovjetik, sa që kishte një dosje për të.

Sipas një versioni të një agjenti të Langley, John Mepples Spirito, hetimi ndaj Gaitán-it ka qenë përgatitor për planifikimin e vrasjes së tij. Por ideja e atentatit nga CIA u dobësua më pas nga tërheqja e vetë Mepples dhe asnjë provë tjetër në këtë drejtim nuk ka dalë që atëherë. Gjithashtu sepse çdo dokument që disponojnë Shtetet e Bashkuara për çështjen Gaitán mban mbishkrimin “sekret shtetëror”.

Vrasja e Gaitán-it, dekada më vonë, mbetet një nga misteret e mëdha të Amerikës Latine. Një episod që ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së Luftës së Ftohtë në kontinentin jugor, i cili shkaktoi luftën më të gjatë civile të kohës sonë dhe ndaloi (përgjithmonë?) garën e Kolumbisë drejt madhështisë. / Il Giornale – Bota.al

Back to top button