Nicolas Maduro, presidenti socialist që ka sunduar Venezuelën për më shumë se një dekadë, tani përballet me sfidën më të madhe ndaj sundimit të tij.
Në zgjedhjet presidenciale të ditës së diel, sipas sondazheve, sfidanti i tij Edmundo Gonzales pritet të fitojë thellë – nëse Maduro do e lejojë. Votimet, që pak gjasa ka të jenë të lira dhe të drejta, do u ofrojnë venezuelianëve të pakënaqur shpresë për të lënë pas shtetin socialist që themeloi Hugo Chavez, një çerek shekulli më parë.
Maduro, president i Venezuelës që kur Chavez ndërroi jetë në 2013, u ka mbijetuar sanksioneve, protestave masive, një qeverie hije të mbështetur nga SHBA, një kryengritjeje e madje edhe një grushti shteti. Ndërkohë, vendi i tij ka vuajtur izolimin, një kolaps ekonomik dhe një eksod masiv – kriza të cilat ai i ka përdorur për të shtrënguar kontrollin e tij.
Në disa tregues, Venezuela e cila është bekuar me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ka qenë dikur vendi më i pasur i Amerikës së Jugut. Por mes viteve 2012 dhe 2020, ekonomia e saj u tkurr më shumë se e çdo vendi tjetër në historinë moderne. Inflacioni i lartë, dhuna e përhapur, mungesat e mallrave dhe shërbimeve, dhe një qeveri represive kanë nxitur më shumë se 7 milionë njerëz që të largohen, në atë që Kombet e Bashkuara e quajnë një prej krizave më të mëdha të migrimit në botë.
Për të kuptuar se sa shumë gjëra varen nga zgjedhjet e të dielës, ia vlen të rishikojmë ngjarjet që e sollën Venezuelën në këtë pikë.
Chavez ndërron jetë, Maduro merr pushtetin
Dhjetor 2012: Chavez, një ish oficer i ushtrisë që udhëhoqi të ashtuquajturin revolucion socialist, e kishte drejtuar Venezuelën për 14 vite si president. Tashmë i sëmurë me kancer, presidenti shumë i dashur bën një dalje të fundit televizive, dhe cakton trashëgimtarin: Maduro, ish shoferi i autobusit që u shndërrua në lider sindikatash dhe që në atë kohë shërbente si zëvendës president i tij. Në 5 mars 2013, qeveria shpall vdekjen e Chavezit. Kushtetuta kërkonte që të mbaheshin zgjedhje brenda 30 ditësh.
Prill 2013: Në zgjedhjet për zëvendësimin e Chavezit, Maduro shpall një fitore të ngushtë përballë kandidatit të opozitës, Henrique Capriles. Ky i fundit kërkon një rinumërim, duke përmendur parregullsi në votime. Nisin protesta në të gjithë vendin, dhe forcat e sigurisë vrasin 43 demonstrues. Ekonomia pëson kolaps. Venezuelasit nisin të largohen.
Dhjetor 2015: Në të parën fitore të rëndësishme kundër Maduros, opozita fiton zgjedhjet që i mundësojnë të ketë kontrollin e Ansamblesë Kombëtare.
2016-2017: Një rënie e ngadaltë e ekonomisë që kishte nisur qysh në kohën e Chavezit, shndërrohet në një krizë humanitare. Keqmenaxhimi i qeverisë dhe rënia e çmimeve të naftës shkaktojnë mungesa në ushqime, ilaçe dhe mallra të tjera. Inflacioni rritet mbi 700%. Venezuelasit presin në radhë të gjata për ushqime. Fëmijët vdesin nga uria. Krimi i rrugës përhapet me shpejtësi. Ndërprerjet e energjisë bëhen pjesë e përditshmërisë. Miliona njerëz largohen – shumica në Kolumbi, të tjerë në Brazil, Ekuador dhe Kili. Disa edhe në SHBA.
Mars 2017: Gjykata e Lartë e Venezuelës, e mbushur me besnikë të Maduros, zhvesh nga kompetencat Ansamblenë Kombëtare që kontrollohej nga opozita dhe projekton një legjislaturë të re. Opozita akuzon Maduron për organizim të një grushti shteti.
Prill 2017: Mijëra njerëz dalin në rrugë, në demonstrata antiqeveritare disa javore. Vendi zhytet në anarshi. Bandat proqeveritare të motoçiklistëve të quajtura “colectivos”, u përgjigjen protestuesve me forcë vdekjeprurëse. Forcat e sigurisë vrasin më shumë se 100 njerëz. Maduro mbledh një ansamble speciale për të ribërë kushtetutën, duke i dhënë më shumë kompetenca vetes. Udhëheqësit e SHBA dhe Amerikës Latine paralajmërojnë se qeveria e tij po shkon drejt diktaturës. Administrata Trump kufizon qasjen e Venezuelës në sistemin financiar të SHBA.
Rritja e lëvizjes opozitare
Maj 2018: Qeveria mban zgjedhje presidenciale por ndalon partitë opozitare tradicionale që të nxjerrin kandidatë. Opozita bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve. Maduro shpall fitoren. Zgjedhjet dënohen ndërkombëtarisht si të parregullta.
Janar 2019: Juan Guaido, president i Ansamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita citon kushtetutën, e cila vendos kreun e legjislaturës si lider të vendit nëse një uzurpator mban peng funksionin. SHBA dhe më shumë se 50 qeveri të tjera njohin Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës. Maduro ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin. Administrata Trump ndalon blerjen e naftës venezueliane.
Shkurt 2019: Liderë të opozitës përpiqen të sjellin miliona dollarë ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore për Venezuelën. Por Maduro e bllokon, duke e quajtur një përpjekje të SHBA për të pushtuar vendin. Forcat e sigurisë dhe opozita e mbështetur nga SHBA kanë një përballje dramatike në kufi.
Mars 2019: Një ndërprerje energjie mbarëkombëtare zhyt në errësirë Venezuelën, për më shumë se një javë. Defektet e vazhdueshme në rrjetin e energjisë elektrike përkeqësojnë mungesat në ujë, duke i shtyrë disa banorë të përdorin ujërat e zeza. Ardhja e koronavirusit në 2020 e përkeqëson më shumë sistemin shëndetësor dhe ekonominë.
30 Prill 2019: Guaido shfaqet në bazën ushtarake të La Carlotas pranë Caracasit, për të shpallur një kryengritje. Në krah të tij janë mentori i tij, udhëheqësi i opozitës Leopoldo Lopez, që ka dalë nga arresti shtëpiak i çliruar prej ushtarëve si dhe oficerë rebelë të ushtrisë. Ata u bëjnë thirrje ushtrisë dhe qytetarëve të Venezuelës të bashkohen me ta, për të rrëzuar diktaturën. Për disa orë, protestuesit mbushin rrugët e caracasit dhe qyteteve të tjera. Por shumica e trupave i qëndrojnë besnike Maduros, duke bërë që plani të dështojë.
Guaido do të deklaronte më vonë se opozita kishte llogaritur keq mbështetjen në radhët e ushtrisë. Ai vazhdon të bëjë thirrje për demonstrata, por pas dështimit të karvanit të ndihmave dhe rebelimit, pjesëmarrja nis të bjerë.
Janar 2020: Në një intervistë për Uashington Post, Maduro thotë se ka ardhur koha për bisedime të drejtpërdrejta me SHBA. Opozita humbet vrull, dhe Maduro shtrëngon kontrollin përmes masave kundër koronavirusit dhe planeve të vaksinimit.
Maj 2020: Ish pjesëtari i Beretave të Gjelbra Jordan Goudreau dhe ish gjeneral-majori venezuelian Cliver Alcala lançojnë operacionin Gideon, një plan për të infiltruar në Venezuelë dhe kapur Maduron. Plani përfshin dy ish pjesëtarë të tjerë të Beretave të Gjelbëra dhe shumë ushtarë venezuelianë në mërgim, të cilët janë grumbulluar dhe stërvitur në Kolumbi.
Por shërbimi i fshehtë i Maduros ka mundur të penetrojë tek organizatorët, dhe kur grupi mbërrin forcat e tij të sigurisë janë në pritje. Ata vrasin gjashtë pjesëmarrës dhe arrestojnë më shumë se 90, duke përfshirë dy ish pjesëtarë të Beretave të Gjelbra, Airan Berry dhe Luke Denman.
Maduro forcohet më shumë; afrohet SHBA
Mars 2022: Zyrtarë të administratës Biden udhëtojnë për në Caracas, për takime me qeverinë e Maduros. Eshtë një ndryshim i madh nga qasja e administraës Tump, për të ushtruar presion maksimal. Përpjekja e administratës Biden synon pjesërisht shkëputjen e Caracasit nga miqtë e vet në Moskë, Pekin dhe Teheran dhe pjesërisht për të patur më shumë qasje në burime energjie, duke patur parasysh nisjen e luftës në Ukrainë. Në Maj 2022, administrata nis të lehtësojë disa sanksione mbi naftën e Venezuelës.
Dhjetor 2022: Opozita shpërbën qeverinë hije të Guaidos. Një numër rekord venezualianësh mbërrijnë në kufirin jugor të SHBA. Shumë prej tyre kanë kaluar nëpër rripin Darien, 60 milje, pa rrugë, i mbushur me kriminelë në xhunglën midis Kolumbisë dhe Panamasë, i cili lidh Amerikën e Jugut me Amerikën e Veriut.
Tetor 2023: Administrata Biden lehtëson sanksionet mbi naftën, gazin dhe floririn në këmbim të premtimit nga Maduro që të mbajë zgjedhje të lira presidenciale, të pranuara ndërkombëtarisht. Përfaqësuesit e Maduros dhe udhëheqësit e opozitës firmosin një marrëveshje zgjedhore në Barbados. Disa ditë më vonë, udhëheqësja e opozitës Maria Machado fiton primaret, duke marrë 92% të votave dhe duke u vendosur përballë Maduros.
2024: Gjykata e Lartë e Venezuelës vendos që Maduro nuk është i kualifikuar për të kandiduar në zgjedhje. Qeveria shtypo protestat e opozitës duke arrestuar aktivistë dhe udhëheqës politike, dhe ndalon monitoruesit evropianë në zgjedhje. Administrata Biden akuzon Maduron se ka shkelur premtimet dhe rivendos sanksione.
Qeveria Maduro lejon një zëvendësues të Machados, ish diplomatin Edmundo Gonzales, që të regjistrohet si kandidat i opozitës në zgjedhjet e të dielës. / The Washington Post – Bota.al