MagazineMAIN

Meditimi / Një histori që lindi në Indi 4000 vjet më parë

Është e pamundur të përcaktohet një datë e saktë për lindjen e meditimit. Kjo na ndihmon të kuptojmë se sa e lashtë dhe e rrënjosur në tradita dhe në kultura, është kjo praktikë. Ndryshe nga sa mendojmë zakonisht, teknika e parë e meditimit nuk u zhvillua brenda Budizmit; 2500 vjet më parë, praktika ishte tashmë e përhapur kur jetonte Buda, dhe ai ndoshta eksperimentoi me teknika të ndryshme përpara se të zhvillonte të tijat, duke shkrirë elemente të traditave të ndryshme.

NË TEKSTET E SHENJTA TË VEDA-s

Origjina më e lashtë e meditimit daton, sipas shumë studiuesve, rreth 4000 vjet më parë, dhe i atribuohet një populli të lashtë nomad që u vendos në Luginën e Indusit. Ky popull imponoi filozofinë dhe fenë e tij, të quajtur Vedizëm, e lindur nga shkrirja e njohurive të mëparshme. Tekstet e shenjta të Vedave janë një seri librash që kanë si element qendror idenë e ekzistencës së një Ligji universal kozmik, të mbikëqyrur nga hyjnitë: koncepte që janë baza e hinduizmit.

Në këto tekste përmendet edhe meditimi; në librat e quajtur Upanisads (që na erdhën në formën e shkrimeve të zhvilluara midis viteve 800 dhe 500 p.e.s.), flitet edhe për teknikën me të cilën mund të praktikohet meditimi: joga. Është një disiplinë e bazuar në pozicionet e trupit, lëvizjet dhe teknikat e frymëmarrjes, të cilat synojnë të çojnë në përqendrim në nivele gjithnjë e më të larta. Në Vedat gjejmë themelet e të gjitha praktikave të mëvonshme medituese.

PËRHAPJA ME BUDIZMIN

Meditimi është një nga gurët e themelit të Budizmit, i cili e mori nga Vedat, e përsosi dhe e zhvilloi këtë praktikë, duke e përhapur më pas në të gjithë Lindjen. Edhe pse metoda ndryshon në Budizëm, qëllimi është i ngjashëm: të shërohesh nga vuajtja falë një vetëdijeje më të madhe për veten deri në pikën e perceptimit të një parimi universal kozmik, dhe dhembshurisë ndaj çdo qenieje. Praktikat dhe format e meditimit ndryshojnë në varësi të llojeve të budizmit; në fakt, qasja e tij ndryshoi me kalimin e kohës dhe sipas zonave të përhapjes.

Një nga format e meditimit budist që ka ndjekjen më të madhe sot quhet Vipassana, ose “vizion i qartë, vëmendje e vetëdijshme”. Një tjetër nga teknikat më të njohura është teknika Zen, ose forma e budizmit japonez, por e lindur në Indi dhe më pas e transmetuar nga mjeshtra të ndryshëm dhe dishepujt e tyre në Japoni, Kinë dhe në fund në Perëndim. Zeni ka një koncept të veçantë të mësimdhënies së bazave të tij filozofike: ai nuk mund të transmetohet me fjalë ose me arsyetim, por kalimi ndodh nga mësuesi tek nxënësi përmes iluminizmit, i cili gjithashtu ndodh përmes sjelljeve paradoksale. Teknika e meditimit quhet Zazen, pra “meditim ulur”. Duke u ulur dhe duke medituar, shkatërrohen siguritë e rreme për botën materiale, të cilat përfaqësojnë bazën e vuajtjeve. / bota.al

Fundi i pjesës I

Back to top button