Kohët e fundit, Baseem Youssef, komediani egjiptian që jeton në Shtetet e Bashkuara, u bë i famshëm në debatin me Pierse Morgan, në emisionin e këtij të fundit.
Pyetjeve të Morgan për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, Youssef iu përgjigj me një sarkazmë therëse, i cila bëri që brenda pak ditësh video të shikohej mbi 20 milion herë.
Youssef është një mbrojtës i paepur i kauzës së palestinezëve (jo Hamasit), dhe mbrojtja e tij është gjithmonë e veshur me figura letrare apo leksione historie, si kjo e shënimit që ka bërë në X (ish Twitter) ditët e fundit:
Baseem Youssef
“Kudo ku sheh kaktus, dije se në atë vend ka patur një fshat palestinez”. Këtë të thonë, kur viziton për herë të parë Bregun Perëndimor. Izraeli ka zhvendosur, ka futur buldozerë, ka fshirë fshatra të tërë dhe qytete për dekada me radhë. Por problemi është se, kaktusi vazhdon të rritet. Sado që përpiqen të shkatërrojnë tokën dhe të ndërtojnë vendbanime, kaktusi rikthehet gjithmonë.
Një mikja ime sapo u kthye nga Bregu Perëndimor dhe më solli një dhuratë: Vaj ulliri i nxjerrë në fshatin e saj në Bregun Perëndimor. “Harroje atë që del në treg dhe që e blen në supermarket. Ne e shtrydhim ullirin në fshatrat tona”.
Ata i shtypin ullinjtë në mullinj prej guri dhe përdorin çanta të posaçme prej kashte për ta shtypur në makineri. I njëjti proces që është bërë, 100, 200, 400, ndoshta 600 vjet më parë. Po aq i vjetër sa edhe pemët. Ti merr produkt nga toka, e shtrydh deri në limite dhe nxjerr prej tij atë flori të pastër ngjyrë të gjelbër.
Lëngu shërues i jetës.
“Thjesht vendos pak vaj ulliri”, është përgjigja për çdo gjë në Palestinë. Ke uri? Shtoj vaj ulliri. Je sëmurë? Lyeje me vaj ulliri. Do të ndihesh më mirë me botën? Vaji i vjetër sa toka është aty për ty. Ato nuk janë thjesht pemë ulliri. Janë familje. Janë aty për të të ushqyer, shëruar dhe për t’u kujdesur për ty.
Si mund të shkulësh një pjesëtar të familjes dhe ta quash këtë tokë tënden? Nuk e kam idenë!
Pemët nuk janë dakord me këtë. Dhe kaktusi përfundimisht nuk është dakord. Ndoshta ne të gjithë e kemi keqkuptuar. Ndoshta pemët e ullirit nuk janë thjesht një zgjatim i trashëgimisë palestineze. Ndoshta vetë palestinezët janë një zgjatim i tokës. Ata janë si pemët. Mund t’i mposhtësh, mund t’u bësh presion, mund t’i shtrydhësh përtej çdo limiti njerëzor. Por ata nuk vdesin. Ashtu si ullinjtë e shtypur që prodhojnë floririn e gjelbër.
Dhe nga vdekja, një milion jetë do të lindin. Dhe dhimbja e tyre më pas do të bëhet lëngu shërues i të gjithëve ne.
Dhe nëse përpiqesh t’i shkulësh me rrënjë, ata nuk do të ikin. Ti mendon se do të ndodhë. Por ata do të rikthehen. Si kaktusi. Për të të sfiduar, për të qëndruar përballë teje, për ta marrë abuzimin tënd dhe plasur në fytyrë.
Ata janë aty për të qëndruar. Përgjithmonë! / bota.al