Bota

Një plan i gabuar i përfunduar keq

Tentativa e opozitës së udhëhequr nga Juan Guaidó për përmbysjen e qeverisë së Maduro ka dështuar përpara se të fillojë

Videoja e shpërndarë mëngjesin e 30 prillit dukej se duhej të shënonte një moment historik. Në dritën e vjollctë të mëngjesit dukej një grup njerëzish të armatosur dhe një mjet ushtarak në rrugën që të çon në bazën ajrore La Carlota, në lindje të Caracas. Në plan të parë, në këmbë, ishte Juan Guaidó, Presidenti i Parlamentit venezuelian i njohur nga shumica e vendeve perëndimore si President legjitim i Venezuelës. Në video, Guaidó njoftonte “fazën finale e Operacionit “Libertad” me një ton në dukje i destinuar që të hyjë në legjendë: “Sot ushtarë kurajozë, patriotë dhe njerëz besnikë ndaj kushtetutës kanë dëgjuar apelin tonë. Më së fundi jemi takuar në rrugët e Venezuelës”, ka thënë ai. Ngjitur me të ishte Leopoldo López, i burgosuri politik më i njohur i vendit, në arrest shtëpijak qysh nga viti 2017. Fakti është se López është liruar pikërisht kur njoftimi për rebelimin të bënte të mendohej për një kthesë vendimtare.

Sot e dimë se kishte një plan për të zgjidhur ngërçin midis asamblesë së udhëhequr nga Guaidó dhe qeverisë socialiste të Presidentit Nicolás Maduro, trashëgimtar i revolucionit bolivarian të Hugo Chávez. Projekti parashikonte dezertimin e eksponentëve kyç të aparatit të sigurisë sipas shembullit të Christopher Figuera, shefi i shërbimit të inteligjencës (SEBIN), që e kishte nxjerrë López nga arresti shtëpijak. Dezertimet do të duhej t’i shtynin forcat e armatosura, që kanë një rol themelor për të ardhmen e Venezuelës, që të kalonin në opozitë. Maduro do të duhej të strehohej në Kubë, “duke ruajtur dinjitetin”. Të gjithë eksponentët e tjerë të regjimit do duhej ta ruanin postin, ndërsa Guaidó do të duhej të bëhej President ad interim në pritje të zgjedhjeve të reja. Siç referojnë burime zyrtare në Uashington, gjithçka ishte e hedhur në shkruar në një listë prej 15 pikash. Megjithatë, mëngjesin e 30 prillit, kur Guaidó po fliste përpara një telekamere, plani ishte duke dështuar. Kishte filluar me një ditë vonesë: në fakt, Operacioni Libertad do të duhej ta arrinte kulmin me manifestimet në program më 1 maj. A posteriori është e qartë se videoja ka qenë e xhiruar shumë nga afër për të fshehur faktin që prapa krahëve të Guaidó kishte vetëm një grush ushtarësh.

Sipas Vanessa Neumann, e emëruar në muajin mars si Përfaqësuese e Juan Guaidó në Mbretërinë e Bashkuar, opozita e dinte se Maduro e kishte zbuluar planin dhe se donte ta arrestonte Presidentin e Parlamentit. “Hyrja në veprim një ditë më parë ka qenë një vendim operativ në përgjigje të informacioneve që kishim”, pohon  Neumann. “Ama mënyra me të cilën kanë rrjedhur ngjarjet, në terma të pjesëmarrjes popullore, përfshirjes së ushtrisë dhe apeleve ndaj qytetarëve, qe e parashikuar”.

Më 30 prill arkitekti nga Caracas Julio Bianchi është zgjuar nga zhurma e qindra tiganëve dhe tenxhereve. Bianchi ka menduar se ndoshta ishte protesta e radhës prej ndërperjes së energjisë elektrike, por më pas e ka kuptuar se drita e komodinës së tij ishte e ndezur. Ka marrë celularin dhe ka parë videon e Guaidó. “E denim se do të mund të ndodhte”, rrëfen”, racconta Bianchi. “Kur kam parë Leopoldo López nuk kam pasur më dyshime: kishte ardhur momenti, Maduro ishte rrëzuar. Nëse López ishte i lirë, po ndodhte diçka e madhe”. Mariana Otero, një nënë e re me 3 fëmijë, ka marrë një telefonatë nga një mike që jeton afër bazës La Carlota: “Hajde menjëherë. Baza ka rënë”. Me një flamur venezuelian të hedhur mbi shpatulla, Otero ka dalë në rrugë për t’u bashkuar me mijëra njerëzit e gatshëm për t’ju përgjigjur apelit të Guaidó. “Nëse Leopoldo është në rrugë, duhet të jem edhe unë”, i kam thënë vetes. “Dua liri për vendin tim. Rrugët janë tonat, dua që fëmijët e mi të shohin se kemi dalë për të luftuar dhe për të fituar lirinë”. Ndërsa shkonte drejt Plaza Altamira, në lagjen e pasur Chacao, në pjesën lindore të Caracas, Otero ishte rrethuar nga qindra njerëz. Por pak vinin nga zonat e varfëra e periferike, ndoshta për shkak të klimës së pasigurisë dhe të frikës nga grupet paraushtarake besnikë të Maduro, që në zonat më të varfëra e kanë shtypur mosbindjen.

Në mesditë njerëzit që kishin mbushur sheshin nuk po u besonin syve të tyre: në majën e një kamioni, rrethuar nga një grup agjentësh të Gardës Kombëtare të armatosur me automatikë, Guaidó përsëriste se regjimi kishte rënë. Agjentët mbanin një shirit blu në krah për të treguar se kishin kaluar me opozitën. Njëri e kishte fytyrën e mbuluar me shami. Ishin edhe Leopoldo López e disa parlamentarë. Por nisja e revoltës po ezaurohej. Pasi i ka folur turmës, Guaidó dhe ekipi i tij janë shpërndarë. Njerëzit, që po përgatiteshin të marshonin mbi pallatin presidencial të Miraflores, kanë nisur të vijnë vërdallë nëpër shesh. Me përjashtim të kreut të shërbimeve sekrete Figuera, asnjë eksponent i spikatur i qeverisë Maduro nuk ka kaluar me opozitën. Njëri pas tjetrit, pecogrosot i kanë premtuar besnikëri Presidentit.

Ndërkohë në qendër të Cúcuta, qytetit kolumbian në kufi me Venezuelën, një grup dexzertorësh shikonin lajmet e revoltës në dhomën e një hoteli. “Kur kemi parë Presidentin tonë Guaidó bashkë me vëllezërit tanë ushtarë dhe me Leopoldo López më së fundi të lirë, kemi folur me trupat e afërta për të kuptuar se çfarë mund të bënim”, tregon një dezertor. Të çarmatosur dhe me rroba civile “për respekt ndaj Kolumbisë”, dezertorët janë mbledhur përpara urës ndërkombëtare Simón Bolívar që ndan të dy vendet, me shpresën e një pushtimi. “Qemë gati të merrnim San Antonio”, shpjegon një ushtar duke ju referuar qytetit në anën venezueliane të urës. “Prisnim urdhërin për t’ju bashkuar vëllezërve tanë nën armë përtej urës”. Por urdhëri nuk erdhi ndonjëherë. Përkundrazi, bashkëpunëtorët e Guaidó u kanë kërkuar dezertorëve që të ktheheshin në hotel. “Ka qenë një zhgënjim i jashtëzakonshëm”, pranon njëri prej tyre. “Donim të kontribuonim në çlirimin e Venezuelës”. Në Uashington, fajkojtë e administratës Trump që kishin njoftuar çlirimin, vërenin të dëshpëruar dështimin e revoltës.

Akoma nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara kanë komunikuar ose jo drejtpërsëdrejti me rrethin e Maduro gjatë fazës përgatitore të Operacionit Libertad. Pasi është strehuar në ambasadën spanjolle në Caracas, López u ka thënë gazetarëve se negociata ishte zhvilluar në banesën e tij gjatë javëve të fundit, por sipas skeptikëve ajo e tija ka qenë një tentativë për të rënë në sy, pasi frikësohet se mos eklipsohet nga Guaidó. Administrata Trump ka reaguar sikur të kishte pësuar një tradhëti personale. Çuditërisht, Shtëpia e Bardhë ka dhënë versionin e saj të fakteve, duke komunikuar detaje që zakonisht mbesin sekret. John Bolton, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, ka treguar për 3 funksionarë të rëndësishëm venezuelianë që sipas tij do të negocionin daljen nga skena të Maduro: Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Forcave të Armatosura Vladimir Padrino, Kryetarin e Gjykatës Supreme Maikel Moreno dhe Shefin e Gardës Presidenciale e të Inteligjencës Iván Hernández. Jashtë nga Shtëpia e Bardhë, Bolton i ka përmendur 3 herë, edhe në një video kurioze që do të duhej të ishte një apel ndaj venezuelianëve patriote, por gjithçka ishte në anglisht, përveç fjalës “libertad”.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se avioni i Maduro ishte në pistë i gatshëm për t’u ngritur, por se në fund rusët e kanë bindur Presidentin që të mos nisej. Moska e ka mohuar. Donald Trump ka ndërhyrë personalisht, duke kritikuar në Twitter mbështetjen e Kubës për Maduro. Elliott Abrams, i Dërguari i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, veteran i operacioneve sekrete në Amerikën Latinë në epokën Reagan, është shfaqur në një television të pavarur venezuelian duke dhënë një përmbledhje të detajuar të dokumentit me 15 pika teorikisht të firmosur nga dezertorët. Linja zyrtare ishte se revolta ishte një iniciativë massive e venezuelianëve, por gjithçka administrata Trump ka bërë dhe ka thënë forcon bindjen se ka qenë një operacion i planifikuar në Uashington. “Është idiotësi. Nuk di se çfarë besojnë se bëjnë, por po dëmtojnë përpjekjet e opozitës në arritjen e një objektivi”, ka thënë Eva Golinger, autore librash indulgjentë ndaj Chávez. Mbrëmjen e 30 prillit Maduro ka organizuar një shfaqje uniteti dhe force për telekamerat, i rrethuar nga një falangë ushtarësh. Në të djathtë të tij ndodhej Ministri i Mbrojtjes Padrino, një prej dezertorëve të supozuar.

María Corina Machado, lidere e grupit opozitar “Vente Venezuela”, që mbështet hapur hipotezën e një ndërhyrjeje nga jashtë për të përmbysur Maduro, e ka premtuar humbjen e momentit. “Objektivi final nuk është arritur”, ka thënë ajo. “Qëllimi ynë ishte të sigurohej një tranzicion i shpejtë drejt demokracisë, në mënyrë që kjo katastrofë humanitare të përfundojë ose do të zgjidhet vetëm kur Maduro dhe rrethi i tij mafioz do të jenë larguar nga pushteti”. Sipas Machado, operacioni ka dështuar për shkak të karteleve të drogës dhe të grupeve guerrilase që dformojnë një rrjet të fshehtë pushteti në vend. Në Uashington, Bolton dhe Pompeo e kanë cekur shumë herë mundësinë e një ndërhyrje të drejpërdrejtë ushtarake të Shteteve të Bashkuara për të favorizuar rënien e Maduro, por deri më tani jamë përmbajtur nga Pentagoni.

Sipas “Washington Post” ka pasur një përballje të nxehtë në Shtëpinë e Bardhë midis fajkojve të Bolton dhe Paul Selva, Zëvendësshefit të Shefave të Bashkuar të Shtabit. Me sa duket, teksa nënvizonte rreziqet e një eskalimi të detyruar nga ana e Shteteve të Bashkuara, Selva duket se është ndërprerë shumë herë nga bashkëpunëtorët e Bolton që donin të njihnin opsionet ushtarake, deri kur gjenerali, zakonisht i përmbajtur, ka përplasur grushtin në tavolinë. Në këtë pikë mbledhja është shtyrë. Fulton Armstrong, ish ekspert i Amerikës Latine për CIA-n dhe sot Profesor në American University, ka frikë se mos gjeneralët nuk u durojnë pafundësisht presioneve për një ndërhyrje: “Disa njerëz në administratën Trump janë të obsesionuar nga ideja e sigurimit të një fitoreje dhe kanë testosterone të shumtë në trup”, thotë ai. “Kam frikë se mos bëjnë ndonjë budallallëk”.

(nga The Guardian)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button