Bota

“Një zhurmë e fortë, pastaj kaos”. Rrëfimi i të mbijetuarve

U desh një zhurmë e fortë dhe vetëm pak sekonda për ta kthyer një fundjavë të gjatë pushimi në një makth për qindra grekë të gjendur në mesin e një përplasje vdekjeprurëse trenash të martën mbrëma.

Përplasja e së martës 220 milje në veri të Athinës solli vdekjen e të paktën 36 njerëzve, kur një tren pasagjerësh me shpejtësi të lartë që shkonte për në qytetin verior të Selanikut u përplas në një tren mallrash nga drejtimi i kundërt, duke dalë jashtë binarëve dhe duke shpërthyer në flakë.

Dëshmitarët thanë se ndjenë një dridhje të fortë, më pas një zhurmë dhe më pas kaos.

Ekipet e shpëtimit thanë se njerëzit u hodhën jashtë vagonëve pas përplasjes, me viktimat e gjetura deri në 40 metra larg nga rrënojat, dhe të tjerët të bllokuar në vagona mes flakëve.

Shumë nga viktimat mendohet se ishin studentë.

“Janë thyer dritaret dhe njerëzit po bërtisnin,” tha një pasagjer në vagonin e pestë.  “Njëra nga dritaret u rrëzua nga përplasja e hekurit që erdhi nga treni tjetër,” tha pasagjeri për Skai TV ndërsa u strehua nën një urë aty pranë, me fytyrën që i ndriçohej nga zjarri në sfond.

Në tren ishin rreth 350 persona, dhe pasagjerët thanë ss dy të tretat ishin të rinj.

“Fëmija im nuk po e ngre telefonin,” tha një grua teksa priste në një stacion treni në Selanik. Një grua tjetër vrapoi për të përqafuar vajzën e saj teksa ajo zbriste nga një autobus me të mbijetuarit. “Kujdes mama, jam e lënduar,” u përgjigj vajza.

Shumë pasagjerë po ktheheshin në shtëpi pas një fundjave të gjatë pushimi që shënonte fillimin e Kreshmës Ortodokse Greke. Selaniku ka një popullsi të madhe studentore.

“Kishte panik, kabllo (kudo) zjarr, zjarri ishte i menjëhershëm, ngado të ktheheshe digjeshe, zjarri ishte djathtas dhe majtas”, tha pasagjeri 28-vjeçar Stergios Minenis.

Një pasagjer tjetër në një nga vagonët e fundit tha se ndjeu se treni po dridhej dhe më pas u anua.

“Unë arrita të dal dhe shkova përpara, treni ishte i përkulur në një kënd 90 gradë, gjysma e tij ishte e varur mbi shkëmb duke u djegur. Kishte pesë persona të lënduar pikërisht aty ku qëndroja unë,” tha ai.

Lugina e Tempit, ku ndodhi përplasja, është një vend i njohur për aksidente. Në vitin 2003, 23 nxënës shkolle u vranë në një aksident autobusi atje.

Ndërsa zbardhi mëngjesi, ekipet e shpëtimit kaluan nëpër një masë çeliku të djegur, ndërsa vinçat largonin ngadalë pjesët e trenit.

Ata ende po zbulonin viktima disa orë më vonë. 

Back to top button