Your Life

Oprah Winfrey ka tri këshilla SUPER për jetën

 “Jo çdokush mund të jetë i famshëm, por çdokush mund të jetë i madh, sepse madhësia përcaktohet nga shërbimi ndaj atyre në nevojë”

Oprah Winfrey është një ndër femrat më me ndikim në botë dhe për shumë të tjerë, është edhe një idhull për gjithë pozitivitetin dhe optimizmin që transmeton në televizion dhe në jetën reale. Së fundmi, ajo është shprehur lidhur me një puntatë të show-t të saj, duke përfunduar me dhënien e tri këshillave shumë të vlefshme për secilin nga ne. Fjalët e saj ishin :

“Gjatë regjistrimeve të një prej shfaqjeve të emisionit tim, zonja që donte të tregonte historinë e saj, më tha “Gjatë ditës isha një mësuese dhe gjatë natës duhet të punoja si prostitutë”. Nga ajo që më tha, u shokova dhe ndërkohë që ajo tregonte arsyet se pse e bënte këtë gjë, e pyeta se pse donte ta tregonte historinë e saj në publik dhe më tha “Unë dua ta tregoj historinë time dhe unë dua t’i ndihmoj të tjerët përmes historisë sime”

E pyeta : “A ke fëmijë?” .

Ma ktheu “Po, kam një djalë dhjetë vjeç”

Që në atë moment vendosa të mos e transmetoja atë intervistë. Kështu që, kur po afrohej koha të dilnim live në televizion, i thashë zonjës : “Ne nuk do e transmetojmë historinë tënde”.

Ajo natyrshëm më pyeti “Pse?”.

Edhe producentët po më pyesnin të njëjtën gjë. Sipas tyre, ajo e dinte që po filmohej dhe gjithçka e kishte thënë me vullnetin dhe dëshirën e saj të plotë.

Të gjithëve ia ktheva : “Sepse një ditë djali i saj do të rritet dhe mund të zhgënjehet nga nëna e tij”.

Të gjithë duhet të dini se jeni duke bërë gjënë e duhur, kur në fund ndiheni në paqe me veten tuaj. Unë jam këtu për t’ju dhënë tri këshilla.

Së pari, ju duhet ta njihni mirë veten tuaj. Përpiquni t’i përgjigjeni pyetjes “Kush jam unë dhe çfarë dua unë të arrij?”. Këtu nuk po ju pyes për rolin tuaj si nënë, motër, baba, apo për profesionin që doni të arrini në të ardhmen. Po ju pyes gjënë më të rëndësishme “Kush je ti?” dhe “Çfarë do ti të arrish me jetën tënde?”. Përpiquni të arrini atë që Zoti mendoi kur krijoi çdo qelizë tuajën. Duhet të keni njëfarë vizioni për jetën tuaj. Edhe nëse nuk keni plane, duhet të keni një drejtim, në të cilin zgjidhni të shkoni. Ju duhet të jeni shoferi i jetës suaj, sepse nëse nuk jeni, jeta do t’ju drejtojë ju.

Së dyti, shërbejini atyre në nevojë. Martin Luther King tha se jo çdokush mund të jetë i famshëm, por çdokush mund të jetë i madh, sepse madhësia përcaktohet nga shërbimi ndaj atyre në nevojë. Kur ju i ndihmoni të tjerët, kur i shërbeni atyre në nevojë, jua siguroj unë që suksesi do t’ju ndjekë edhe juve.

Së treti, bëni gjithmonë gjënë e duhur. Kjo mund të thuhet shumë lehtë, por është gjëja më e vështirë për t’u bërë. Bëni gjënë e duhur dhe keni për të qenë në paqe me veten tuaj”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button