Besojeni ose jo, por përveç tualetit të burrave, klubeve të zotërinjve dhe disa tempujve, në Greqinë Veriore ekziston një gadishull, sot një republikë gjysmë–autonome e murgjve ortodoksë lindorë, e cila për mbi 1000 vjet i ka ndaluar gratë të depërtojnë në kufijtë e saj.
I pozicionuar buzë detit Egje, banorët e malit Athos janë të privilegjuar. Të mbuluara nga pyjet e harlisura mesdhetare, në shpatet e malit Athos (i njohur edhe si Mali i Shenjtë) ndodhen 20 manastire mahnitëse dhe godina të tjera më të vogla fetare me pamje mbi vijën bregdetare.
Ky vend është njohur zyrtarisht si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mali Athos, nga i cili e ka marrë emrin gadishulli, ngrihet deri në lartësinë 2.033 metra. Sipas mitologjisë greke, mali u krijua kur Athos hodhi një shkëmb të madh në Poseidon.
Kur filluan të vendoseshin njerëzit në malin Athos në shekullin V-të, Manastiri i Lavrës së Madhe ishte i pari që u themelua në vitin 963 Pas Krishtit nga murgu bizantin AthanasiusAthoniti me mbështetjen e perandorit bizantin. Mali Athos njihet si Kopshti i Virgjëreshës Mari, pasi të krishterët athonitë pretendojnë se Virgjëresha Mari dhe Gjon Ungjilltari u strehuan atje për shkak të motit të keq.
Mesa duket Maria u dashurua aq shumë me bukurinë e tij, saqë kërkoi që t’i jepej si dhuratë. Më pas u dëgjua një zë nga qielli “Le të jetë ky vend trashëgimia juaj dhe kopshti juaj, një strehë dhe një parajsë shpëtimi për ata që kërkojnë të shpëtohen!”.
Por nëse keni filluar të paketoni valixhet në kërkim të çlirimit, ekziston një kusht. Megjithëse Mali Athos është pjesë e Bashkimit Evropian dhe i nënshtrohet ligjit të BE-së, i cili duhet të funksionojë për të mbrojtur të drejtën për barazi gjinore, ai është i hapur vetëm për burrat me një leje speciale të lëshuar nga Byroja e Pelegrinëve të Malit Athos, dhe sipas kuotave shumëtë kufizuara (100 vizitorë ortodoksë dhe 10 vizitorë jo–ortodoksë në ditë).
Ndalimi i hyrjes për gratë njihet si ‘avaton’, dhe ato nuk lejohen as brenda 500 metrave larg vijës bregdetare. Fakti që ndalohen edhe fëmijët nën 18 vjeç, të nxit të pyesësh nëse nuk do të ishte më e lehtë për murgjit që të mbanin thjesht nën kontroll epshin e tyre.
Ky përjashtim nuk ekziston vetëm për botën e njerëzve. Të ndaluara atje janë edhe kafshët shtëpiake femra si lopët dhe pulat. Megjithatë, murgjit bëjnë një përjashtim për macet, me qëllim që këto të fundit të kapnin minjtë. Ndërkohë kafshët e egra janë të përjashtuara nga rregullat. / ancient origins – bota.al