
Giorgia Meloni besoi se afërsia ideologjike me Donald Trump do t’i siguronte Italisë një marrëdhënie të privilegjuar me SHBA. Përplasja mes tyre tregon kufijtë e aleancave ideologjike në epokën e “America First”.
Nga Amy Kazmin
Përvoja e Giorgia Melonit është shndërruar në një histori paralajmëruese për liderët europianë që tundohen të besojnë se afërsia ideologjike me Donald Trumpin u siguron mbrojtje politike.
Dikur një prej aleateve europiane më të vendosura të presidentit amerikan, kryeministrja italiane ka mësuar se mbrojtja e interesave kombëtare të vendit të saj nuk përputhet gjithmonë me vizionin agresiv të MAGA-s, të bazuar tek parimi “Amerika e para”.
Kur Roma refuzoi t’i lejonte ushtrisë amerikane përdorimin e bazave italiane për bombardimet e saj jopopullore ndaj Iranit, Trump iu kthye kundër një lidereje që më parë e kishte cilësuar si një “grua fantastike”, e cila e kishte “marrë Europën përpara si një stuhi”.
Përplasja shumë shpejt u bë personale. Trump u ankua se Melonit “i mungonte guximi” dhe e akuzoi se i ishte “përgjëruar” për një fotografi me të gjatë samitit të G7-s në Francë, për të përmirësuar pozicionin e vet në sondazhe. Ajo iu përgjigj se fakti që ishte “mikja juaj” nuk e kishte ndihmuar aspak popullaritetin e saj, duke ndezur një luftë fjalësh nga e cila marrëdhëniet dikur miqësore mes tyre vështirë se do të rikuperohen.
“Koncepti ‘Amerika e para’ duhet të jetë një sinjal alarmi për një partner të huaj”, thotë Stefano Stefanini, ish-ambasador i Italisë në NATO. “Nuk mund të presësh shumë solidaritet nga një filozofi e tillë.”
Beniamino Irdi, ish-këshilltar i qeverisë italiane për politikën e jashtme, thotë se Meloni gaboi kur besoi se një botëkuptim i përbashkët nacionalist dhe konservator do t’i mundësonte të “kultivonte një marrëdhënie të veçantë” me presidentin amerikan. “Natyra transaksionale e Trumpit është e tillë që afërsia ideologjike të çon vetëm deri në një pikë”, thotë Irdi, tashmë bashkëpunëtor i lartë në German Marshall Fund. “Duhet të jesh realisht në gjendje të vendosësh diçka konkrete në tryezë.”
Giorgia Meloni, Nga e preferuara e MAGA-s tek kufijtë e pushtetit
Kur ishte një udhëheqëse e zjarrtë euroskeptike e opozitës, Meloni ishte një prej të preferuarave të MAGA-s. Ajo vlerësohej për sulmet ndaj Brukselit, emigracionit të parregullt dhe asaj që e quante “ideologjia woke”, e cila, sipas saj, kërcënonte identitetin e Italisë.
Por pasi mori pushtetin, ajo u përball me kufijtë e kësaj afërsie. Trump dhe rrethi i tij nuk arritën të kuptonin kufizimet politike dhe institucionale brenda të cilave ajo duhej të vepronte – nga opinioni publik armiqësor deri te roli i presidentit italian Sergio Mattarella në mbikëqyrjen e sigurisë kombëtare gjatë krizave, siç ishte sulmi amerikan ndaj Iranit.
“Ata nuk e kuptuan fare idenë se ajo nuk mund të bëjë çfarë të dojë – se vepron brenda një sërë kufizimesh”, thotë Giovanni Orsina, politolog në Universitetin Luiss të Romës. “Trump… nuk arriti të respektojë interesin kombëtar të Italisë. Internacionalja nacionaliste është një oksimoron.”
Pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, Meloni – e vetmja udhëheqëse e BE-së e pranishme në inaugurimin e tij – u përpoq ta paraqiste veten si ura e Europës drejt Uashingtonit, me shpresën se kjo do t’i forconte pozitat si në Bruksel, ashtu edhe në vend.
Në vend të kësaj, në sytë e shumë votuesve italianë, imazhi i Melonit është dëmtuar nga lidhja e saj e ngushtë me një president amerikan jopopullor. Trump ka vendosur tarifa të larta ndaj importeve nga BE-ja, u ka bërë presion aleatëve të NATO-s që të rrisin ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes dhe ka sulmuar Iranin – politika që kanë dëmtuar rëndë interesat italiane.
“Afërsia e saj me Trumpin nuk i ka sjellë asnjë rezultat të dukshëm”, thotë Riccardo Alcaro, drejtor kërkimor në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare në Romë, duke e quajtur miqësinë e saj të dikurshme me Trumpin një “albatros elektoral”, ndërsa Meloni përgatitet për një fushatë të vështirë rizgjedhjeje.
Si u ndërtua lidhja e Melonit me republikanët
Afrimi i Melonit me Partinë Republikane, përfshirë figurat kryesore të MAGA-s, nisi më shumë se një dekadë më parë, kur ajo ishte ende një figurë periferike e opozitës dhe përpiqej të distanconte veten – dhe partinë e saj të re, Fratelli d’Italia – nga rrënjët neofashiste. Ajo po përpiqej të ndërtonte një identitet të ri si konservatore kombëtare e rrymës kryesore: pjesë e një familjeje politike globale të respektueshme dhe jo një relike e së djathtës ekstreme italiane të pasluftës.
Ndërsa ishte në opozitë, Meloni u ftua dy herë të fliste në Conservative Political Action Conference (CPAC), takimin e përvitshëm politik të republikanëve. Ndërkohë, ideologu i MAGA-s Steve Bannon u shfaq si folës kryesor në festivalin politik Atreju të partisë së saj në vitin 2018. “Ajo e kupton shumë mirë se politika ka një dimension shumë të fortë transnacional”, thotë Orsina, duke shtuar se MAGA fillimisht i dha Melonit “një shtëpi, një ideologji dhe një markë”.
Por, si kryeministre, pragmatizmi i kujdesshëm i Melonit ka zhgënjyer puristët më radikalë të MAGA-s, si Bannon, i cili u tha mediave italiane se ajo kishte tradhtuar “bindjet e saj themelore”.
Meloni ka kombinuar masa të ashpra për frenimin e emigracionit të parregullt me rritjen e kuotave për emigrantët e ligjshëm. Ajo gjithashtu e ka zbutur retorikën e saj kundër BE-së. “Nuk mund të qëndrosh pranë një lëvizjeje që dëshiron të shkatërrojë unitetin e Europës”, thotë një konsulent politik me lidhje të afërta me Fratelli d’Italia. “Ky nuk mund të jetë objektivi i një partie konservatore në Itali. Objektivi është ta ndryshosh BE-në, jo ta shkatërrosh atë.”
Giorgia Meloni, ekuilibri i vështirë me Trumpin
Fillimisht, Meloni krijoi marrëdhënie të ngrohta me administratën e dytë Trump, duke ruajtur për më shumë se një vit një ekuilibër delikat.
Ajo kundërshtoi hakmarrjen e BE-së ndaj tarifave të Trumpit, heshti për afrimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin në kurriz të Ukrainës dhe shmangu kritikat ndaj kërcënimit të tij për të marrë Groenlandën.
Edhe pasi Trump bombardoi Iranin, duke shkaktuar një spirale rritjeje të çmimeve globale të energjisë, Meloni nuk pranoi as t’i dënonte, as t’i mbështeste sulmet, duke thënë se nuk kishte informacionin që kishte çuar në ndërmarrjen e tyre.
Por Mario Sechi, ish-zëdhënës i qeverisë Meloni, thotë se vendimi i njëanshëm i Uashingtonit për të sulmuar pa u konsultuar me aleatë të prekur drejtpërdrejt, si Italia, i tensionoi seriozisht marrëdhëniet. “Nëse do aleatë, duhet të flasësh me aleatët”, thotë Sechi. “Ky është problemi me Shtëpinë e Bardhë… Kjo, sipas meje, ishte origjina e largimit.”
Përplasja që e bëri konfliktin personal
Sulmi i Trumpit ndaj Papa Leonit XIV, pasi ky i fundit dënoi luftën në Iran, i la Melonit pak mundësi tjetër përveçse të reagonte. “Heshtja nuk ishte një opsion për asnjë kryeministër italian, e aq më pak për një që e ka ndërtuar identitetin e saj politik si një grua e krishterë dhe katolike”, thotë Alcaro.
Kritika e saj e matur me shkrim zemëroi një president që tashmë ishte i irrituar nga mungesa e mbështetjes europiane për fushatën e tij në Iran. “Në sytë e Trumpit, ishte lèse-majesté”, thotë Alcaro. “Ajo nuk tregoi nënshtrimin që, sipas tij, vartësit ia detyrojnë shefit.”
Roma tani po përpiqet të frenojë një përçarje që konsiderohet kryesisht “personale”. Pasi Trump bëri thirrje për një “urdhër kufizues” ndaj Melonit përpara samitit të fundit të NATO-s, Roma deklaroi se nuk do t’u përgjigjej më provokimeve të tij.
Zyrtarët italianë këmbëngulin se marrëdhëniet dypalëshe mbeten të forta dhe Meloni e ministrat e saj po forcojnë lidhjet me figura të tjera të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. “Administrata Trump dhe kabineti i Melonit po flasin mes tyre, kjo është e sigurt”, thotë Sechi.
Mësimi për Europën: ideologjia nuk mjafton
Por analistët thonë se vështirësitë e Melonit me Shtëpinë e Bardhë nuk pasqyrojnë vetëm personalitetin e Trumpit, por edhe një botëkuptim të MAGA-s që duket se pret një nënshtrim pothuajse të plotë nga aleatët.
“Është e vështirë të thuhet nëse paaftësia për të punuar me partnerët është karakteristikë e lëvizjes MAGA apo diçka te Trumpi që e bën këtë të pamundur”, thotë Stefanini. “Lëvizja MAGA është kaq e përqendruar tek vetvetja dhe kaq izolacioniste, saqë vetë koncepti i bashkëpunimit dhe ndarjes së përgjegjësive i është i huaj.”
Irdi thotë se antagonizmi i rrënjosur thellë i MAGA-s ndaj BE-së si projekt politik e bën gjithashtu të vështirë për çdo udhëheqës me një vizion paneuropian që të ruajë për një kohë të gjatë marrëdhënie tepër të afërta me administratën. / Financial Times – Bota.al