Kulture

Pesë leksionet, që mësuam nga Eurovizioni i këtij viti

Nga Neil Smith

“Jam shumë i lumtur!”- tha Dankan Lorenc, pak minuta pasi siguroi fitoren e parë të Holandës në festivalin e këngës në Eurovizion, që nga viti 1975. “Është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet dot me fjalë. Ëndrra ime u bë realitet”- u tha gazetarëve këngëtari holandez.

I pyetur se çfarë kishte mësuar nga përvoja e tij në Eurovizion, 24-vjeçari tha se kjo gjw i kishte mësuar atij që “duhet tw këmbëngulësh gjithmonë për atë që do, dhe të ëndërrosh gjithmonë për gjëra të mëdha“. Por këto nuk ishin të vetmet leksione, që duhen nxënë nga edicioni i këtij viti, i mbajtur këtë vit në Tel Aviv të Izraelit. Ja cilat janë 5 leksionet, që ne morëm nga kjo ngjarje e madhe artistike.

  1. Është e pamundur mbajtja jashtë e politikës

Organizatorët e festivalit, këmbëngulin se Eurovizioni është një aktiviteti jo politik. Megjithatë, ngjarjet e të shtunës, treguan se ata gënjejnë vetveten. Ishte i pashmangshëm, reflektimi  i tensioneve të ndryshme rajonale, dhe grupi muzikor islandez “Hatari”, u kujdes që të shfaqte direkt në televizion parulla pro Palestinës.

Më herët, edhe Madona bëri deklaratën e saj mbi këtë çështje, me dy nga kërcimtarët e saj, që mbanin secili në shpinë flamurin e izaelit dhe atë të palestinës, duke ecur krah për krah.

“U jam mirënjohëse për mundësinë që më dhatë, për të përhapur mesazhin e paqes dhe unitetit në botë”- shkroi ajo më vonë në rrjetet sociale. Si mundet që Eurovizioni të vazhdojë të konsiderohet neutral, kur konkurrentët dhe të ftuarit vip, refuzojnë të respektojnë rregullat?

  1. Një këngë e mirë, e dominon skenën e madhe

Këtë vit kishte disa shfaqje spektakolare, ku spikaste konkurrentja nga Australia. Megjithatë, Eurovizioni është kryesisht një konkurs për këngën, dhe një këngë e mirë nuk ka nevojë as për këmbana apo bilbila, për të bërë përshtypje tek publiku. Lorenc zgjodhi një prezantim modest, që i përshtatej thjeshtësisë dhe sinqeritetit të këngës së tij të përkryer.

Fishekzjarret dhe efektet speciale, janë shumë të mira kur përdoren, por fitorja e Lorenc, ashtu si e Portugalisë në vitin 2017, na kujtojnë se më pak ekzibicion do të thotë ndonjëherë më shumë nga të gjitha. Në konferencën për shtyp, Lorenc tha se mjetet piroteknike, do të ishin te tepruara për këngën e tij.

  1. Edhe një emër i madh i muzikës, mund të zhgënjejë

Madona shihej si qershia mbi tortë e Eurovizionit, një nxitje që akoma më shumë njerëz ta ndiqnin natën finale. Megjithatë, ajo e pati shumë të vështirë për të arritur notat më të larta tek kënga hit e saj ”Like a prayer”, ndërkohë që kënga e saj e re “Future”, në bashkëpunim me repistin Kuavo, nuk është një nga më të mirat e saj.

Më herët gjatë kësaj jave, drejtuesja e Eurovizionit Jon Ola Sand, pretendoi se Madonna duhej ende të nënshkruante një kontratë, dhe nuk mund të zbriste në skenë pa një të tillë. Pas interpretimit të saj të shtunën, a do të kishte qenë kaq e tmerrshme, po të mos kishte një kontratë të tillë? Meqë ra fjala, Lorenc këmbënguli se Madonna kishte bërë “një punë të mrekullueshme” në skenë.

  1. Pesë të Mëdhenjtë, nuk janë aq të mëdhenj

Pesë vende, japin më shumë para për Eurovizionin sesa vendet e tjera, ndaj lejohen gjithmonë të kapërcejnë fazën e gjysmë-finaleve, dhe të garojnë në natën finale. Por kjo praktikë, mund të nxisë pakënaqësi në mesin e fansave, që besojnë se edhe këto vende duhet t`a fitojnë si të gjithë të tjerët një vend në finale.

Sigurisht, nuk do të kishte ndonjë hatërmbetje ndaj Italisë, që u rendit e dyta me kengën “Soldi” të Mahmud, kënga me e dëgjuar e festivalit. Por, 3 anëtarë të tjerë të ”Pesë të Mëdhenjve” – ​​Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe – përfunduan jashtë 20 më të mirave, duke u renditur të fundit. Fakti që Gjermania mori zero pikë nga votimi publik, ishte një moment veçanërisht i turpshëm.

  1. Bota njohu emrin e ri të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Maqedonia e Veriut

Sipas kushteve të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar me Greqinë, vendi i njohur më parë si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, i vuri vetes një emër të ri. Falë shfaqjes mbresëlënëse të Tamara Todevskës në Eurovizion, shumë më tepër njerëz në mbarë botën, do ta dinë tashmë se ky emër është Maqedonia Veriore. Kredencialet artistike të Eurovizionit, janë gjithonë të debatueshme, por nuk ka dyshime për shërbimet e këtij evenimenti në njohjen e gjeografisë botërore. Thënë kjo, shumica e njerëzve ende nuk e dinë si ta gjejnë San Marinon në një hartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close