HistoriMAIN

Pesë qytetet e famshme të lashtësisë, që sot nuk ekzistojnë

Duket si diçka e pabesueshme, që një qytet i tërë mund të pushojë një ditë së ekzistuari. Një metropol i sofistikuar i artit, arkitekturës, mbretërve, mbretëreshave, ushqimit dhe tokës bujqësore, mund të lulëzojë për shekuj, dhe më pas papritur, për arsye nganjëherë misterioze, të humbasë në pluhurin e kohës.

Por falë arkeologëve, humbja pa nam e nishan e një qyteti (gjithnjë nëse nuk bëhet fjalë për Atlantidën) është sot më e vështirë se kurrë më parë. Kjo pasi sot studiuesit janë shpesh në gjendje të zbardhin arsyet që i dhanë formë disa prej qyteteve të lashta dhe më të iluminuara në botë.

Pompei

Ishte gati mesdita e 24 gushtit të vitit 79 Pas Krishtit, kur qyteti i lulëzuar i Pompeit afër Napolit të sotëm në Itali, u varros nën hirin dhe gazrat helmuese të malit vullkanik të Vezuvit. Qyteti është sot një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në botë, pasi shtresat e hirit e ruajtën me shumë saktësi reliket e qytetit dhe banorëve të tij.

Keitlin Baret, arkeologe në Universitetin Kornell, që ka kaluar shumë kohë duke gërmuar në zona të Pompeit, mbetjet na mësojnë shumë mbi historinë e njerëzimit. Gati 2000 trupa janë gjetur në Pompein e lashtë, shpesh në momentet kur u përpoqën deri në fund për t’i shpëtuar vdekjes.

“Këto janë kujtime të brendshme, jo vetëm të dhimbjes së momenteve të tyre të fundit, por edhe të humanizmit të tyre”-thotë Baret. Por përpara vdekjes dhe shkatërrimit të asaj dite të tmerrshme, Baret thotë se Pompei kishte qenë një qytet i gjallë dhe i pasur.

Ajo thekson se kopshtet ishin një “vend prodhimi dhe rekreacioni”. Mostrat e tokës tregojnë se rrushi dhe ulliri kultivoheshin shpesh me gjasë nga skllevër të aftë. Qyteti ishte i njohur si shumë kozmopolit, pasi banorët e tij shkonin për pushime në Egjipt, dhe kjo sipas Baret, përshkruhet në mozaikë të përpunuar brenda shtëpive të pasura të Pompeit.

Persepolis

I vendosur në Iranin jugperëndimor, qyteti antik i Persepolis u themelua në vitin 518 Para Krishtit nga Dari i Madh, i njohur si një nga sundimtarët më të rëndësishëm të dinastisë Akamenide. Pallati mbretëror ishte një kryevepër arkitekturore në mesin e shkretëtirës.

Por arritja më e madhe e qytetit antik, ishte sistemi i tij i ujitjes nëntokësore i quajtur qanat. Sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e suksesit të perandorisë i detyrohet menaxhimit të kujdesshëm të ujit. Në fakt, qanat është ende në përdorim sot. Mjerisht, qyteti u dogj i gjithi në vitin 330 Para Krishtit, kur Aleksandri i Madh e pushtoi dhe e shkatërroi.

Mesa Verde

Midis viteve 550-1281 pas Krishtit, në shkretëtirat jugperëndimore të Kolorados së sotme në SHBA, një popullsi prej mbi 3.000 puebloanësh, gdhendën disa nga banesat shkëmbore më të ndërlikuara që gjenden në Amerikën e Veriut.

Këto strukturat variojnë në madhësi nga 1 deri në 150 dhoma, dhe strehonin këtë grup fermerësh. Banesat dhe arkitektura e këtyre shtëpive prej guri janë mbresëlënëse ende sot, thotë Skot Ortman, antropolog në Universitetin e Kolorados.

Por sipas tij edhe më madhështor ishte arti që ata lanë pas. “Virtuoziteti dhe ngjyrosja e pikturave në qeramikën e tyre, është vërtet shumë e bukur. Artet e tekstilit ishin gjithashtu të dekoruara shumë mirë, bashkë me sandalet e endura imët”- thotë Ortman.

Kjo tregonte një shoqëri që e shijonte shumë kulturën dhe artet. Qytetërimi lulëzoi deri pak para shekullit XIV-të. Ortman thotë sot gjenden ende shenja të shpërbërjes së një shoqërie të suksesshme me gjasë, për shkak të një thatësire të zgjatur që shkaktoi një luftë midis njerëzve.

Kartagjena

E vendosur në periferi të Tunizit në Tunizi, Kartagjena është një perlë legjendare e antikitetit. Qyteti ishte shtëpia e Hanibalit , i konsideruar gjerësisht si një nga komandantët ushtarakë më të mëdhenj që ka parë ndonjëherë bota. Thuhet se ai udhëtoi me elefantë nëpër Alpe për të luftuar kundër ushtrive romake, teksa synonte pushtimin e Romës.

I themeluar nga fenikasit në shekullin IX Para Krishtit, qyteti i madh i vendosur në Gjirin e Tunizit u rrafshua gjatë Luftërave Punike në vitin 146 para Krishtit. Më vonë u rindërtua nga romakët, por pak ka mbetur nga rrënjët e tij të hershme fenikase.

Në qytetin e rindërtuar, cisternat dhe akuiferët e mëdhenj romakë mbanin ujë që përdorej në banjat publike të përpunuara që ishin të pajisura me sauna, pishina dhe më shumë se 100 dhoma prej mermeri. Më vonë, edhe qyteti i ndërtuar nga romakët do të binte pas pushtimit nga arabët në shekullin e VII.

Tikal

Ky qytet i lashtë Maja, i fshehur në pyjet tropikale të Guatemalës, ishte një metropol i lulëzuar midis viteve 200-900 Pas Krishtit, derisa u braktis duke lënë pas rrënojat e tij mistike. Në kulmin e tij në periudhën e vonë klasike (vitet 600- 900 Pas Krishtit), qyteti ka të ngjarë të ketë pasur një popullsi prej 40.000-60.000 banorësh.

Stefën D.Hjuston, arkeolog në Universitetin Braun, thotë se qyteti ishte në gjendje të kishte një popullsi aq të madhe për shkak të bujqësisë së zhvilluar në tokat kënetore që e rrethonin. Sot, studiues si Hjuston përdorin një teknologji të re të quajtur LiDAR për të kërkuar strukturat antike në qytetin e humbur. LiDAR përdor lazerin pulsues nga avioni, për të identifikuar reliket e lashta të varrosura nën tokë. Dhe ato janë të shumta. “Pallatet e përhapura, tregojnë qendrat e tij të qeverisjes, si dhe piramidat kushtuar perëndive të lashta, dhe atyre që strehonin mbetjet e mbretërve të mëdhenj të qytetit”-thotë Hjuston.

Por rreth shekullit IX Pas Krishtit, qyteti i madh u braktis. Një studim i publikuar vitin e kaluar në “Scientific Reports”, teorizon se arseja kryesore mund të ketë qenë ndotja e ujit të pijshëm, për shkak të algave toksike të gjetura në rezervuarët e lashtë. / Discover Magazine – Bota.al

Back to top button