Po sikur qëllimi i Putinit të mos jetë të fitojë luftën?

qëllimi i Putinit

Pas më shumë se katër vjetësh lufte, Rusia ka paguar një çmim të jashtëzakonshëm dhe megjithatë Vladimir Putin nuk tërhiqet. Ndoshta ka ardhur momenti të ngrihet pyetja: Cili është qëllimi i Putinit? Dhe çfarë quan ai “fitore”?

Kur flasim për luftë, instinktivisht kërkojmë një fitues dhe një humbës. Shikojmë hartën. Numërojmë territoret e pushtuara dhe të rimarra. Shikojmë humbjet ushtarake, armët, ekonominë, sanksionet. Dhe pastaj përpiqemi të kuptojmë se kush po fiton.

Por lufta në Ukrainë ngre një pyetje shumë më të vështirë: Po sikur Vladimir Putin të mos jetë duke e matur suksesin me të njëjtën metër që përdorim ne?

Po sikur objektivi i tij të mos ketë qenë prej kohësh një fitore e shpejtë dhe spektakolare, por diçka shumë më e ngadaltë: të ndryshojë kushtet mbi të cilat do të ndërtohet paqja?

Kjo nuk do të thotë se gjithçka që ka ndodhur ishte pjesë e një plani të përsosur rus. Lufta ka prodhuar dështime, kosto dhe pasoja që Moska me shumë gjasë nuk i parashikoi në shkurt 2022. Por pas më shumë se katër vjetësh, mënyra se si Rusia vazhdon luftën na detyron të bëjmë një pyetje tjetër. Çfarë po përpiqet të arrijë Putin tani?

Një çmim kolosal. Por të gjithë e vazhdojnë luftën

Rusia ka paguar dhe vazhdon të paguajë shumë.

Lufta ka konsumuar njerëz, pajisje dhe burime financiare. Ekonomia ruse vazhdon të funksionojë nën një regjim të gjerë sanksionesh perëndimore dhe vetëm ditët e fundit Britania ka shtuar masat kundër rrjeteve që ndihmojnë Moskën t’i shmangë ato. SHBA, nga ana tjetër, i ka bërë të qartë Moskës se lehtësimi ekonomik mbetet i lidhur me përfundimin e luftës.

Edhe sektori rus i energjisë po ndien presionin. Parashikimet e fundit të siguruara nga Reuters tregojnë se prodhimi rus i naftës për vitin 2026 mund të bjerë në nivelin më të ulët që prej vitit 2009, mes pasojave të luftës, kufizimeve tregtare dhe goditjeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike.

E megjithatë, Moska nuk po jep shenja se është gati të ndalet. Përkundrazi, luftimet vazhdojnë dhe forcat ruse po përpiqen të avancojnë më tej në Donbas.

Po nëse kostoja është kaq e madhe, çfarë e bën Kremlinin të mendojë se ia vlen të vazhdojë?

Ndoshta po shohim tabelën e gabuar të rezultatit

Nëse luftën e shohim vetëm përmes kilometrave katrorë, përgjigjja mbetet e paqartë. Por ekziston edhe një mënyrë tjetër për ta lexuar. Putini mund ta konsiderojë sukses jo vetëm territorin që kontrollon Rusia, por edhe kushtet politike dhe strategjike që lufta prodhon me kalimin e kohës.

Në këtë këndvështrim, shfaqen bëhen të tjera: Sa gjatë mund ta mbështesë Perëndimi Ukrainën? Sa e kushtueshme bëhet lufta për ekonominë dhe shoqërinë ukrainase? Sa territor mund të mbajë Rusia? Dhe mbi të gjitha: Si do të duket Ukraina kur të vijë momenti i negociatave?

Ky është një ndryshim thelbësor perspektive. Sepse atëherë objektivi nuk është domosdoshmërisht pushtimi i gjithë Ukrainës. Objektivi mund të jetë krijimi i një realiteti të tillë që marrëveshja përfundimtare të jetë sa më afër interesave të Moskës.

Ukraina është njëkohësisht objektivi dhe leva

Për Rusinë, Ukraina nuk është vetëm territori ku zhvillohet lufta. Ajo është edhe pika përmes së cilës Moska përpiqet të ndikojë arkitekturën e sigurisë europiane. Kremlini ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO dhe ka kërkuar njohjen e kontrollit rus mbi territoret që Moska pretendon ose mban të pushtuara.

Kështu, çdo muaj që kalon nuk ndryshon vetëm vijën e frontit. Ai ndryshon edhe pozicionet nga të cilat palët do të negociojnë një ditë. Nëse Rusia arrin të mbajë territore, ndërsa Ukraina mbetet jashtë NATO-s dhe lufta vazhdon të konsumojë burime ukrainase e perëndimore, Kremlini mund ta shohë kohën jo vetëm si kosto.

Mund ta shohë edhe si levë.

Megjithatë, do të ishte gabim të interpretonim çdo dështim rus që prej vitit 2022 si pjesë të një strategjie brilante afatgjatë. Rusia u përpoq fillimisht të merrte Kievin dhe dështoi. Ukraina rimori territore të konsiderueshme. NATO, në vend që të dobësohej menjëherë, u zgjerua me Finlandën dhe Suedinë. Dhe lufta ka sjellë pikërisht atë që Moska pretendonte se donte të shmangte: një prani më të madhe të NATO-s pranë kufijve rusë.

Prandaj teza se “Putin e kishte planifikuar kështu që në fillim” nuk qëndron.

Por ekziston një mundësi tjetër, shumë më realiste: strategjia mund të ketë ndryshuar kur fitorja e shpejtë dështoi. Nga marrja e shpejtë e Ukrainës, drejt konsumimit të saj. Nga një fitore ushtarake absolute, drejt krijimit të një pozicioni negociues sa më të favorshëm.

Lufta e konsumimit

Kjo është pikërisht ajo që e bën konfliktin kaq të rrezikshëm. Sepse lufta nuk matet vetëm me territoret e fituara nga secila palë, por edhe shihet se kush lodhet I pari.

Ukraina po përballet me presion të jashtëzakonshëm financiar dhe ushtarak. Qeveria ukrainase aktualisht përllogarit një boshllëk prej rreth 27 miliardë dollarësh në buxhetin e mbrojtjes, ndërsa financimi ndërkombëtar mbetet jetik.

Ndërkohë Rusia po intensifikon sulmet ajrore. Vetëm në korrik, OKB regjistroi 437 civilë të vrarë dhe 2,610 të plagosur në Ukrainë, niveli më i lartë mujor i viktimave civile që prej majit 2022.

Në fund të gushtit, goditjet ruse u përqendruan gjithashtu mbi infrastrukturën ekonomike dhe logjistike ukrainase, ndërsa sulmet e fundit kanë vazhduar edhe mbi Kievin dhe rajonin përreth.

Por edhe Ukraina po përpiqet ta bëjë luftën më të kushtueshme për Rusinë, duke goditur energjinë, logjistikën dhe objektiva ekonomikë thellë brenda territorit rus.

Pra, kemi dy palë që po përpiqen gjithnjë e më shumë të dëmtojnë jo vetëm ushtrinë e kundërshtarit, por aftësinë e tij për ta vazhduar luftën.

Atëherë, çfarë mund të quante Putin “fitore”? Jo domosdoshmërisht flamurin rus mbi Kiev. Një rezultat shumë më realist për Moskën mund të ishte një Ukrainë që mbetet jashtë NATO-s; një pjesë e territorit ukrainas që mbetet nën kontroll rus; kufizime ose garanci mbi konfigurimin e ardhshëm të sigurisë ukrainase; dhe një marrëveshje që e detyron Perëndimin të pranojë, të paktën de facto, një pjesë të realitetit territorial të krijuar nga lufta.

Në atë skenar, Rusia nuk do ta kishte “fituar” luftën në kuptimin klasik. Por Putin mund të pretendonte se kishte arritur objektivin strategjik. Dhe kjo është një diferencë e madhe. Lufta mund të fitohet edhe në tryezën e negociatave Ndoshta kjo është mënyra më interesante për ta parë atë që po ndodh. Luftërat nuk përfundojnë gjithmonë kur një ushtri shkatërron tjetrën. Shpesh përfundojnë kur raporti i forcave në fushë krijon kushtet për një marrëveshje politike.

Në këtë kuptim, çdo qytet i marrë, çdo sistem armësh i humbur, çdo miliard i shpenzuar dhe çdo muaj që kalon mund të bëhet pjesë e negociatës së ardhshme.

Atëherë, çfarë paqeje po përpiqet të krijojë Putin përmes luftës? Sepse objektivi përfundimtar mund të mos jetë pushtimi i Ukrainës. Mund të jetë një Ukrainë aq e dobësuar dhe një Perëndim aq i lodhur, sa kushtet që në vitin 2022 dukeshin të papranueshme, një ditë të fillojnë të diskutohen si kompromis. Dhe këtu qëndron ndoshta beteja më e madhe. / bota.al

Back to top button