Lufta valutore është vazhdimi i proteksionizmit me mjete të tjera. Vendi që ul koeficentin e këmbimit, çmimin e valutës së tij në raport me të tjerat, fiton një avantazh konkurrues të përkohshëm sepse redukton sa hap e mbyll sytë çmimet e prodhimeve të tij dhe ngre atë të vendeve importuese. Është sikur këtyre të fundit t’u vendoset një taksë doganore transversale dhe jodiskriminuese. Karakteristika e një lufte valutore, si në proteksionizmin e vjetër, është hakmarrja. Vendet e prekura reagojnë me kundërzhvlerësime dhe lufta e të gjithë kundër të gjithëve përfundon në një lojë me shumatore zero.
Termi “luftë valutore” është përdorur për herë të parë në 2010 nga Guido Mantega, Ministri i Financave të Brazilit që ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se e zhlerësojnë dollarin nëpërmjet një politike monetare ekspansioniste dhe eksportojnë inflacion në vendet emergjente. Jens Weidmann, Guvernatori i Bundesbank, ka kritikuar kohët e fundit eskalimin e “politizimit” të koeficentëve të këmbimit me vendimin e para pak kohëve të Japonisë për të zhvlerësuar jenin. Kryeministri Shinzo Abe e ka nisur ofensivën e tij me këtë deklaratë: “Manovrat e vendeve, në vend të parë Shtetet e Bashkuara, për ta zhvlerësuar këmbimin do ta forcojnë pashmangshmërisht jenin. Për ne është jetike që ta kundërshtojmë këtë politikë”. Praktivisht, nga viti 2008 e këtej bankat qendrore kryesore kanë pompuar në sistem 10 trilion dollarë (për ta bërë të kuptueshme këtë shifër absurde, boll të mendohet se është e barabartë me PPB-në e Kinës dhe të Italisë) me efektin e rritjes së tensionit në tregun e këmbimeve.
Luftërat valutore nuk janë risi në histori: zhvlerësimi monetar është rruga e shkurtër për ta rritur kuotën e eksportit ndaj PPB-së dhe akumuluar rezerva në valuta të huaja për të paguar borxhet. Por lufta aktuale paraqet disa karakteristika të reja. Ai që zbulon më pak të natyrshmen ka qenë, në mënyrë jo të vetëdijshme, pikërisht Shinzo Abe: “Një këmbim prej 90 jenësh ndaj dollarit (ishte 84.26), ka pohuar, do t’i ndihmonte eksportuesit japonezë. Nëse dollari është mbi 85, atëhere bizneset që deri më tani nuk kanë paguar taksat [pasi duke mos qenë konkurruese nuk nxjerrin fitime, shënimi im], tani do t’i paguanin taksat”. Përkthimi: për një qeveri super të debituar, një sektor eksportimi i lulëzuar përfaqëson burim të ardhurash të taksueshëm. Pasi politikat monetare dhe fiskale deri më tani nuk kanë pasur efekte, nuk mbetet veç të përdorin politikë të këmbimit në funksion grabitqar brenda dhe jashtë. Zhvlerësimi kompetitiv është bërë një teknikë për të siguruar të ardhurën e vendeve importuese dhe shkarkuar mbi shpatullat e tyre shërbimin e borxheve në rritje. Veç kësaj, pasi me zhvlerësimin shkaktohet inflacion, zhduket deflacioni dhe reduktohet vlera e borxhit të brendshëm.
Në realitetin e kësaj lufte të ftohtë, nuk është gjë tjetër përveçse një mjet për të shmangur zbatimin e masave jopopullore të rreptësisë financiare, si për shembull shkurtimet e shpenzimeve publike. Dinamika e luftës valutore dhe pasojat e saj mund të kuptohen vetëm duke zbritur në shkakun fillestar të tyre: deficitin këmbëngulës të bilancit tregtar amerikan.
Trilemë
Gjatë periudhës së Bretton woods (1944 deri në 1971) të bazuar mbi gold exchange standard (valuta të konvertueshme në dollarë dhe dollarë të konvertueshëm në ar), zhvlerësimet qenë sporadike pasi bota gëzonte një zhvillim ekonomik të caktuar dhe sistemi i arit, megjithëse i manipuluar, e kufizonte inflacionin monetar që i paraprin zhvlerësimit. Kur në vitin 1971 Shtetet e Bashkuara e shpallën dollarin jo të konvertueshëm duke imponuar dollar standard, filloi era e deficitit të dyfishtë amerikan, atij të bilancit dhe atij tregtar. Deri në atë kohë Shtetet e Bashkuara kishin qenë kreditori dhe eksportuesi më i madh, por situata u përmbys. Pasi ekonomia botërore zgjerohej dhe pagesat ndërkombëtare kryheshin me dollarë, i të cilëve Amerika ishte emetuesi i vetëm, mënyra e vetme me të cilën pjesa tjetër e botës mund t’i siguronte ato ishte eksportimi drejt saj, duke ruajtur një suficit tregtar ndaj saj. Nga ana tjetër, për të bërë të disponueshëm dollarët, domethënë për të garantuar likuiditetin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara duhej të eksportonin dollarë drejt pjesës tjetër të botës dhe kjo ishte e mundshme me një deficit tregtar permanent. Privilegji i emetimit të valutës globale u mundësoi Shteteve të Bashkuara që të financonin hendekun tregëtar thjesht duke prerë valutën, krejt kundër nga pjesa tjetër e botës që, për të importuar, duhej të eksportonte. Qe kështu që Shtetet e Bashkuara u bënë importuesi dhe debitori më i madh, ndërsa pjesa tjetër e botës eksportuesi dhe kreditori neto, duke akumuluar një tepri rezervash në dollarë.
Qysh nga fillimet e viteve ‘60 ekonomisti belg Robert Triffin kishte paralajmëruar kontradiktat implicite në përdorimin e një valute unike rezervë duke formuluar trilemën e famshme. Sipas Triffin, për një vend të pajisur me valutë rezervë ishte e pamundur të plotësoheshin njëkohësisht tri objektiva: sigurimi i likuiditetit botëror, pasja e deficiti tregtar permanent dhe ruajtja e stabilitetit valutor. Në terma më teknikë, trilema është e pamundësi për të kombinuar bashkë një politikë monetare të pavarur, një lëvizje të lirë të kapitaleve dhe një këmbim të qëndrueshëm. Mund të zgjidhen vetëm dy opsione, duke përjashtuar të tretën, e papajtueshme me të tjerat. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë adoptuar dy të parat, duke hequr dorë nga a e treta, stabiliteti i dollarit. Por trilema vlen për të gjithë.
Për shembull, fiksimi i barazisë së koeficientit të këmbimit, që është (PEG), që është instrument politike monetare, nuk është i pajtueshëm me lirinë e lëvizjes së kapitaleve. Është rasti i Kinës, që për të ruajtur barazinë me dollarin duhet të imponojë në brendësi të saj një kontroll të kapitaleve. Nëqoftëse nuk do të bënte flukse dhe deflukse financiare, do të destabilizonte barazinë. Për pasojë, mund të ketë qarkullim të lirë kapitalesh dhe politikë monetare autonome bashkë, ama duke hequr dorë nga kontrolli i këmbimit, i cili duhet të fluktuojë lirisht. Është rasti i stërlinës angleze. Së fundi, nëse vendoset për qarkullimin e lirë të kapitaleve dhe këmbimin e qëndrueshme, duhet hequr dorë nga një politikë monetare autonome. Është edhe rasti i vendeve të eurozonës, por është bërë edhe rasti i Zvicrës. Pasi nga 2008 në 2011 franga zvicerane ishte rivlerësuar ndjeshëm ndaj euros, duke e vënë në rrezik kompetitivitetin zviceran, Swiss National Bank i është dashur që të impenjohet në shitjen e frangave kundër eurove për të penguar rivlerësimin e frangës. Me fjalë të tjera, është sikur Zvicra të kishte adoptuar euron, duke hequr dorë, në konformitet me trilemën, nga një politikë monetare e pavarur.
Deficiti konstant tregtar amerikan që detyron pjesën tjetër të votës që të akumulojë rezerva në dollarë e tërheq për poshtë platformën valutore botërore. Pjesa tjetër e botës duhet të përshtatet me zbritjen, duke i zhvlerësuar valutat (ose duke ju penguar vlerësimin) nëpërmjet zgjerimit të bazës monetare. Shkalla e zhvlerësimit të një valute ndaj një tjetre varet nga shpejtësia e krijimit monetar në vendet respektive, si trilema të implikojë një këmbim fluktuant, ashtu edhe një barazi fikse. Për shembull, për të zhvlerësuar stërlinën, është e mjaftueshme që Banka e Anglisë të rrisë ofertën dhe të lërë të fluktuojë këmbimin, që duke u zhvlerësuar nda valutave të tjera, do të mundësojë që të shiten më shumë produkte angleze. Anasjelltas, për t’i bërë produkte zvicerane më shumë joshëse sesa ato europiane është e nevojshme që të fiksohet këmbimi me euron dhe të rritet qarkullimi i frangave me qëllim që më pak euro të blejnë më shumë franga.
Kur Kina rrit eksportet drejt Shteteve të Bashkuara, dollarët që merr do ta rivlerësonin juanin, duke e destabilizuar barazinë me dollarin sikur Banka Qendrore Kineze të mos ndërhynte, duke prodhuar juanë pë të blerë teprinë e dollarëve. Përmbledhtazi, kur një vend hap rubinetin e valutës së vet, pjesa tjetër e botës duhet të bëjë të njëjtën gjë, por kjo nënkupton edhe të rritet inflacioni botëror, duke krijuar flluska financiare dhe dizekuilibra tregëtarë (global imbalances). Por ka edhe tjetër. Pjesa më e madhe e rezervave në dollarë nuk mbesin të vdekura në arkat e vendeve eksportuese, por kthehen në Shtetet e Bashkuara për t’u investuar sidomos në bono thesari. Prandaj pjesa tjetër e botës duhet ta financojë borxhin e tyre. Sikur të mos ndodhte kjo, dollari do të binte pikiatë dhe rezervat e bankave qëndrore do të zëroheshin me humbje të jashtëzakonshme. Paradoksalisht, ndërsa të gjithë janë të interesuar statukuoja ndaj dollarit, nxitojnë që ta zhvlerësojnë. Trilema me të cilën çdo vend konformohet krijon në sistemin monetar një rreth vicioz dhe një paqëndrueshmëri eksplozive që e bën çdo investim sporadik dhe të ardhmen gjithnjë e më të paqartë.
Fitimtarë dhe të mundur
Ajo që ka kaluar pa u vënë re është shpronësimi i madh i resurseve që u shkakton vendeve eksportuese një valutë jo e qëndrueshme rezervë. Për një kohë të gjatë, pjesa tjetër e botës nuk e ka kuptuar faktin që suficiti që akumulohej ishte proporcional me humbjet që pësonte, pasi arsyet e saj të këmbimit përkeqësoheshin në favor të dollarit. Jo vetëm financonte borxhin amerikan, por ulte vlerën e kreditit të saj ndaj Shteteve të Bashkuara. Japonia ka qenë viktima më e goditur nga ky fenomen. Bartëse e rezervave më të mëdha në dollarë për pothuajse një 30 vjeçar, domethënë midis viteve 1974 e 2000, ka injoruar që mbi 2/3 e vlerës së tyre të shkonte kot prej reduktimit korrespondues të vlerës së dollarit. Fatkeqësisht, Tokio ndoqi qorrazi kurën e mjekëve keynesianë amerikanë të Thesarit dhe të Federal Reserve, që e bindën pacientin se rezervat valutore nuk qenë të nevojshme për të paguar borxhet, nga momenti që mund të bëhej duke ju drejtuar deficitit të bilancit!!! Borxhi i madh që Japonia ka akumuluar gjatë kësaj periudhe dhe shkatërrimi i saj shpjegohen vetëm në këtë mënyrë. Sot vendimi për të zhvlerësuar jenin që sjell një stimul (1.2 trilion në bono) baraz me dyfishin e atij amerikan, për një ekonomi që vlen sa 1/3 është ekuivalent me vrasjen e pacientit. Dora dorës që jeni do të zhvlerësohet, investitorët do ta heqin qafe borxhin japonez për të blerë atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës duke ua forcuar valutat, duke intensifikuar me këtë luftën valutore. Në fakt, me një papunësi në nivele rekord, sigurisht që eurozona nuk do të qëndrojë duarkryq, pasi një euro e fortë do t’i thante të ardhurat nga eksportet, burimi i vetëm i zhvillimit i mbetur.
Sot bartësi më i madh i rezervave në dollarë (3 trilion) është Kina dhe e di mirë sesa i paqëndrueshëm është pozicioni i saj. Por pasi është bërë platforma produktive amerikane dhe një nyje industriale që prodhon mbi 20% të prodhimit botëror, ka krijuar premisat për ta kandiduar juan/renminbin si valutë rezervë të konvertueshme. Duke parashikuar krizën valutore, po i diversifikon rezervat e saj, sidomos në ar, i të cilit është bërë edhe prodhuesi më i madh botëror dhe përdorimi i të cilit inkurajohet në vend. Në fund, mund të jetë pikërisht metali i verdhë fituesi i vetëm i kësaj lufte absurde.
Është domethënës fakti që rezervat botërore të dollarit nga një pik prej 71.5 përqindësh në 2001 kanë zbritur në 62 përqind në 2012. Kjo do të thotë se po bota po shkon drejt një sistemi rezervash të shumëfishta në konkurrencë midis tyre. Dollari kanadez dhe australian janë klasifikuar tashmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si valuta rezervë. Por cilido qoftë rendi i ri botëror monetar, do të jetë Kina ajo që do të diktojë kushtet. Marrëveshjet e fundit e shkëmbimeve tregtare të saj me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera arabe për disa miliarda juan dhe fakti që midis vendeve të BRICS-it transaksionet nuk bëhen më në dollarë, janë simptomatikë të dekadencës së kartëmonedhës së gjelbër që mund të katandiset në valutë të thjesht lokale. Me pasojën që, nëse Londra ka qenë kryeqyteti financiar i shekullit të XIX-të dhe New York i shekullit të XX-të, Shanghai mund të bëhet ai i shekullit të XXI-të. Por një evolucion i tillë, nëse do të ndodhë, do të duhet kalojë një turbulencë të paparë ndonjëherë në historinë botërore. Lufta aktuale valutore nuk është një rrugëdalje nga kriza pas asnjeri. Është ekuivalent me një reaksion bërthamor të pakontrolluar e të pandalshëm që do ta bëjë botën gjithnjë e më shumë jomikpritëse për kë dëshiron të prodhojë, kursejë duke krijuar pasuri e punë. Në fund sistemi monetar do të shpërthejë sepse pa valuta të qëndrueshme dhe të besueshme ekonomia botërore nuk mund të funksionojë. Gjithsesi, pjesa më e madhe e qeverive vazhdon ta injorojë realitetin. Ama nuk mund t’i injorojë pasojat.
(nga Geopoliticus)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Bota.al