Pas arrestimit arbitrar dhe dënimit të liderit të opozitës ruse, Alekei Navalni, sanksionet e reja kundër Rusisë janë urgjentisht të nevojshme. Dhe gazsjellësi rus “Nord Stream 2”, duhet të jetë në krye të listës në kundërpërgjigje të shtypjes më të fundit që Kremlinit i bëri opozitës dhe demokracisë ruse.
Ne i bëjmë thirrje Gjermanisë që ta braktisë projektin, që në fakt po minon interesat ekonomike dhe mjedisore të Evropës, por edhe sigurinë dhe integritetin tonë politik.
Arrestimi i padrejtë i zotit Navalnit, menjëherë pas kthimit të tij në Rusi, ka shkaktuar protesta masive në mbarë vendin. Protestuesit kurajozë, po sfidojnë të ftohtin dhe dhunën e tepruar të policisë, me rezistencën e tyre në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.
Regjimi ka reaguar duke arrestuar mijëra njerëz. Ç’është më e keqja, pas një gjykimi farsë, një gjykatë ruse e dënoi Navalnin me 3vjet e gjysmë burg. Ky akt ilustron edhe një herë se autoritarizmi i Kremlinit nuk njeh kufij.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë dënuar me të drejtë arrestimin dhe dënimin e Navalnit. Por ato nuk kanë arritur të bien dakord mbi sanksionet e reja ndaj Moskës. Ne jemi të bindur se nevojitet një veprim urgjent, duke synuar specifikisht gazsjellësin”Nord Stream 2”.
Kjo qasje do të përbënte një qëndrim të qartë kundër veprimeve të paligjshme të regjimit rus, dhe do të ishte një shenjë e qartë e mbështetjes ndaj lëvizjes demokratike në Rusi. Për më tepër, dhënia fund e këtij projekti është në fakt në interesin e vetë BE-së, dhe në përputhje me objektivat e politikës sonë të përbashkët si union.
Gazsjellësi ishte që nga fillimi një lëvizje nga e cila përfiton kryesisht Rusia, dhe nuk ka asnjë ndikim tregtar për BE-në. Ai është projektuar vetëm për të përqendruar 1/4 e të gjithë konsumit të gazit të Bashkimit Evropian, dhe 80 për qind të importeve të gazit rus në një rrugë të vetme, duke e shmangur Ukrainën si një vend tranzit, dhe duke e çimentuar varësinë tonë ndaj Rusisë për sigurinë energjitike.
Për shkak të madhësisë, rrugës dhe karakterit të tij strategjik, gazsjellësi “Nord Stream 2”, do të monopolizonte tregut evropian të gazit, dhe do të rrezikonte sigurinë dhe pavarësinë e kontinentit tonë. Gjithashtu, “Nord Stream 2” do të pengojë ambiciet mbi luftën kundër ndryshimeve klimatike,bashkë me të gjitha synimet e Unionit tonë të Energjisë.
Nuk ka asnjë logjikë tek thellimi i varësisë sonë ndaj gazit rus, njëherazi ky projekt do të lejojë shkretimin e rrugës tranzit në Ukrainë,duke i dhuruar kompanisë ruse “Gazprom” një pozitë gjithnjë e më dominante në tregun evropian.
Në vend të kësaj, ka ardhur koha për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt një Unioni Energjitik plotësisht të zhvilluar, të ndërtuar mbi sigurinë, solidaritetin dhe inovacionet, në dobi të veprimit për mbrojtjen e klimës, sigurisë, diversifikimit, dhe pavarësisë sonë energjitike.
Vendet tona, ashtu si Shtetet e Bashkuara, kanë kohë që hezitojnë t`a vendosin sigurinë energjitike të Evropës në duart e Kremlinit. Në janar, një shumicë e madhe në Parlamentin Evropian i bëri zyrtarisht thirrje BE-së që të ndalojë menjëherë zbatimin e projektit të “Nord Stream 2”. Kohët e fundit, Franca bëri thirrje për një vendim të ri të Gjermanisë mbi këtë çështje.
Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel, kanë treguar deri tani një mbështetje të konsiderueshme dhejetë-shpëtuese për Aleksei Navalnin. Sanksionet e mëtejshme që synojnë “Nord Stream 2”, do të ishin në të gjitha aspektet, gjëja e duhur që duhet bërë.
Shënim: Tomas Tobé (Suedi), Sandra Kalniete (Letoni), Andrius Kubilius (Lituani), Sirpa Pietikäinen (Finlandë), Riho Terras (Estoni) dhe Pernille Weiss (Danimarkë), drejtojnë delegacionet e tyre përkatëse kombëtare të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian. / “Euractiv” – Bota.al