Izraeli thotë se synon të gjymtojë forcat e Hezbollahut në një zonë të Libanit jugor, që grupi i armatosur kontrollon dhe ku ka ndërtuar tunele drejt Izraelit
Izraeli dhe Hezbollahu kanë luftuar më parë – më së fundi në vitin 2006 – një konflikt njëmujor që përfundoi me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për armëpushimin, e cila u bënte thirrje të dyja palëve të tërhiqeshin nga një zonë tampon 20 milje në Libanin jugor, përgjatë kufirit verior të Izraelit.
Por Hezbollahu nuk u tërhoq kurrë nga rajoni dhe trupat izraelite hynë në zonë të hënën vonë në atë që ushtria izraelite e quajti një operacion “të kufizuar”. Ja pse Izraeli thotë se ka dërguar forca tokësore në Liban:
Cili është qëllimi i Izraelit?
Pushtimi, të cilin ushtria izraelite e konfirmoi herët të martën, synon të gjymtojë forcat dhe infrastrukturën e Hezbollahut në një zonë të Libanit jugor që kontrollon grupi i armatosur, dhe ku dihet se ka ndërtuar tunele nëntokësore që të çojnë në Izrael. Inkursioni vjen pas dy javësh sulmesh ajrore intensive izraelite dhe atentatet me eksplozivë në pager-a dhe radiomarrëse, kundër grupit të armatosur libanez të mbështetur nga Irani. Zyrtarët izraelitë thanë se sulmet kishin pjesërisht për qëllim të eliminonin udhëheqjen e grupit; një sulm ajror të premten vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Pse Izraeli po vë në shënjestër Libanin jugor?
Libani jugor është një zonë e thyer, e mbushur me lugina të pjerrëta në të cilat ata që mbrohen mund t’i zënë pritë kollaj një ushtrie pushtuese, një faktor që mund të ketë formësuar planifikimin ushtarak izraelit. Terreni i ashpër ka ndihmuar historikisht fraksionet në rajon të mbrohen dhe Hezbollahu e ka përdorur gjeografinë në avantazhin e vet, në luftërat e kaluara me Izraelin. Udhëheqësit ushtarakë izraelitë kryen disa muaj stërvitje përgatitore për trupat që mund të dërgoheshin për të luftuar në rajon.
Çfarë është Rezoluta 1701 e OKB?
Rezoluta 1701 e Kombeve të Bashkuara, e cila i dha fund luftës së vitit 2006, u bëri thirrje trupave izraelite të tërhiqen nga Libani jugor në një zonë në Kodrat e Golanit, nën atë që njihet si Linja Blu dhe Hezbollahut të tërhiqej në veri të lumit Litani, rreth 20 milje nga kufiri verior i Izraelit.
Zona në mes, ku ishte zhvilluar pjesa më e madhe e luftimeve mes tyre, do të bëhej një zonë tampon. Rezoluta kërkon që zona të kontrollohet nga ushtria libaneze dhe forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Një forcë paqeruajtëse e OKB-së ka mbetur në zonë, por rezoluta nuk u zbatua kurrë plotësisht. Hezbollahu ka argumentuar se prania e tij në zonën tampon është e justifikuar sepse Izraeli ende mban të pushtuar tokën libaneze.
Megjithëse OKB-ja mendoi se Izraeli ishte tërhequr plotësisht nga Libani në vitin 2000, Izraeli mbeti në një zonë të njohur si Fermat Shabaa, të cilën OKB-ja e konsideron një pjesë të pushtuar të Sirisë. Libani dhe Hezbollahu thonë se toka është libaneze. Rezoluta kishte parashikuar çmilitarizimin e Hezbollahut, por grupi ka fituar vetëm fuqi politike dhe ushtarake.
Në vitin 2008, Izraeli kërkoi bisedime paqeje me qeverinë e Libanit, por u refuzua, kryesisht për shkak se Hezbollahu kishte fituar pushtetin politik në një marrëveshje me qeverinë libaneze. Izraeli pohon se Hezbollahu ka ndërtuar arsenalin e tij të raketave që synojnë kufirin verior të Izraelit dhe ka ndërtuar më shumë tunele nëntokësore, që do t’i lejonin grupit të depërtonte dhe të sulmonte Izraelin, siç bëri në vitin 2006.
Në vitin 2018, një operacion ushtarak izraelit zbuloi tunele të ndërtuara nga Hezbollahu, duke e shtyrë Izraelin të bëjë thirrje për veprim ndërkombëtar. Forcat e OKB-së në Liban konfirmuan praninë e tuneleve. Muajin e kaluar, ndërsa Izraeli shtoi sulmet ajrore ndaj Hezbollahut, ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i dërgoi një letër Kombeve të Bashkuara duke argumentuar se ushtria izraelite synonte të pengonte planet e grupit të armatosur, për të depërtuar në Izrael dhe bëri thirrje për zbatimin e Rezolutës 1701.
Hezbollahu ka pësuar goditje të rënda përtej humbjes së liderit të tij në sulmet e intensifikuara izraelite që i paraprinë pushtimit, duke përfshirë sulme të rënda ajrore pranë dhe në Bejrut gjatë fundjavës. Por Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë raketa në veri të Izraelit – dhe herë pas here në Izraelin qendror – duke dëshmuar qëndrueshmërinë e tij. Sipas ekspertëve, Hezbollahu mendohet se ka ndoshta arsenalin më të madh të çdo grupi të armatosur në botë, duke përjashtuar qeveritë. / nyt – bota.al