AnalizaMAIN

Qasja e Perëndimit ndaj Vuçiçit rrezikon të destabilizojë rajonin

Nga

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përshpejtuan kthesën e tyre drejt Serbisë. Në vend që të merreshin me kërkesat kontradiktore të shteteve përbërëse të një Ballkani të fragmentuar, kryeqytetet perëndimore përqendruan pjesën më të madhe të përpjekjeve të tyre, në një objektiv të veçantë.

Politikat e tyre kishin dy synime. Së pari, ta fusnin Serbinë në vathën perëndimore, larg Rusisë. Së dyti, të lejonin administratat e tyre përkatëse që të fokusoheshin plotësisht në mbështetjen e Ukrainës.

Tradicionalisht një nga aleatët më të afërt të Moskës në Evropë, Beogradi është përpjekur prej kohësh të shkelë kufirin midis lidhjeve të tij historike me Rusinë dhe një të ardhmeje të mundshme të një integrimi më të ngushtë evropian. Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar ta tërheqin presidentin serb Aleksandar Vuçiç nga orbita e homologut të tij rus, presidentit Vladimir Putin, duke u zotuar për një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, si dhe duke paralajmëruar me izolim.

Por, 18 muaj më vonë, disa vëzhgues thonë se qasja aktuale ka qenë e gjitha “karrotë” pa shkop, dhe si rezultat nuk po i arrin synimet e saj.

Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putinit. Dhe Serbia ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me një përgjegjshmëri në rënie, duke nxitur konflikte jashtë vendit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësitë e brendshme, e sigurtë se nuk do të qortohet në Perëndim.

Efektet e kësaj sjelljeje janë ndjerë më së shumti në Kosovë, e cila arriti pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në veri të Kosovës – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e saj, duke tensionuar marrëdhëniet mes fqinjëve.

“Një kalë troje i Rusisë”

Qeveritë perëndimore e kanë trajtuar prej kohësh Serbinë si zërin e domosdoshëm ballkanik, ndonjëherë në kurriz të lojtarëve më periferikë, thonë disa vëzhgues.

“Besimi i tyre është se Serbia është shteti ballkanik, siç e shohin ata. Serbia është ajo që, nëse mund t’a afrosh e ta kesh në krah – cilido qoftë kuptimi i kësaj – gjithçka do të jetë më e lehtë”, tha për CNN Jasmin Mujanoviç, një politolog i specializuar në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa administratat e njëpasnjëshme amerikane janë përpjekur të nxjerrin Vuçiçin dhe Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) “nga i ftohti”, këto përpjekje “janë bërë veçanërisht të pacipa” që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Mujanoviç dhe nuk i kanë arritur objektivat e SHBA.

“Ata duket se besojnë që po e afrojnë Serbinë drejt BE-së dhe NATO-s dhe drejt mendimit perëndimor dhe larg Rusisë. Por kjo nuk është diçka që po reflektohet në terren,” thotë Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme parlamentare.

Vuçiç ka mbajtur prej kohësh një marrëdhënie komode me homologun e tij rus, Putinin. Duke folur pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në shkurt, Vuçiç arsyetoi vendimin e tij për të mos sanksionuar Rusinë, sepse ishte “i vetmi vend që nuk kishte vendosur sanksione kundër nesh në vitet 1990”.

“Ata mbështetën integritetin tonë territorial në Kombet e Bashkuara”, shtoi ai, duke iu referuar refuzimit të Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Serbia humbi kontrollin e Kosovës pas një fushate bombardimi të NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund masakrës së shqiptarëve etnikë – të cilët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës – nga forcat serbe.

Pavarësisht përpjekjeve të mbështetura nga BE drejt tranzicionit energjetik, Serbia mbetet shumë e varur nga Rusia, pasi i ka shitur shumicën e aksioneve të kompanisë së saj të naftës gjigantit shtetëror rus Gazprom.

Rezultati është se, pavarësisht nga shpresat e shpallura të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në, Vuçiç ka vazhduar të ecë në një litar të hollë, midis Moskës dhe fuqive perëndimore. Megjithëse ai i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë, udhëheqësi i Serbisë ka treguar pak vullnet për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore.

Në prill, qeveria serbe mohoi raportet se i shiste armë dhe municione Ukrainës, pasi doli një dokument i Pentagonit që pretendonte të kundërtën. Serbia tha në atë kohë se ruante politikën e saj të neutralitetit, megjithëse disa zyrtarë perëndimorë i morën raportet si provë se politika e tyre po funksiononte.

Disa analistë i thanë CNN se Serbisë i është dashur të bëjë shumë pak për të marrë lëvdata nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë dhe se në realitet Vuçiç ka lënë një pas një gjurmë të gjatë premtimesh të shkelura.

“Kur ndodhi rizgjedhja e tij [Vuçiçit në vitin 2020], të gjithëve na thanë, vetëm prisni deri pas zgjedhjeve, do të shihni se ai papritur do bëhet shumë i orientuar nga perëndimi dhe Europa”, thotë Kearns. “Nuk ndodhi.”

“Na u tha se ai do t’i bashkohej sanksioneve dhe do të tregonte se është vërtet në anën tonë. Nuk ndodhi. Na thanë se ai nuk do të afrohej më shumë me Rusinë. Ai firmosi një marrëveshje sigurie me Putinin në shtator. Herë pas here, ai qesh përballë Perëndimit. Dhe kur i pyes zyrtarët perëndimorë, ‘pse jeni kaq të vendosur të lejoni Vuçiçin të luajë me ju?’, ata thonë se ai është alternativa më e mirë,” thotë Kearns.

Ministri i Jashtëm i Serbisë tha në atë kohë se marrëveshja me Rusinë parashtronte plane për konsultime për një numër aktivitetesh, por nuk përfshinte politikën e sigurisë, raportoi Reuters.

Kearns ka qenë një nga figurat e pakta perëndimore që ka kritikuar Serbinë publikisht. Por kjo ka ardhur me një kosto. Pasi foli për CNN, Vuçiç lëshoi një kërcënim të hapur ndaj saj gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, duke pretenduar se “nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë” ndaj kritikave të saj ndaj Serbisë, “ne do të detyrohemi të reagojmë”.

Duke pasur parasysh një sjellje të tillë, shumëkush pyet nëse i gjithë projekti i integrimit serb është i zbatueshëm, nën qeverinë e saj aktuale.

“Duke supozuar se do ia dalim ta sjellim, falë ndonjë mrekullie Serbinë në BE, me këtë lloj regjimi, ju praktikisht po fusni një kalë tjetër troje të Rusisë në BE, siç e kemi sot në formën e kryeministrit hungarez Viktor Orban,” thotë për CNN Majda Ruge, një eksperte për Ballkanin në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Po, mund të ndikoni për zgjerimin por me siguri që nuk do ta neutralizoni ndikimin rus në rajon – thjesht do ta importoni atë në BE”.

Në një deklaratë për CNN, ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara mohoi se mbështetja perëndimore për Beogradin po nxiste tensionet në Ballkan. “Në të vërtetë, mbështetja e SHBA-së dhe e Europës për Serbinë bazohet në faktin se këta diplomatë pranojnë që Serbia po luan sot një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit në Ballkan”, tha Marko Duriç.

“Serbia është thellësisht e përkushtuar për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe ka votuar për rezolutën e Kombeve të Bashkuara që dënon veprimet ruse në Ukrainë dhe ka mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe ka dërguar në mënyrë të përsëritur lloje të ndryshme ndihme.”

Kosova dhe sundimi i ligjit

Efektet e qasjes së zbutur të Perëndimit ndaj Beogradit ndihen më fort në Kosovë, e cila ka qenë e varur nga mbështetja perëndimore që nga shpallja e pavarësisë. Ndërsa më shumë se 100 vende e njohin sovranitetin e saj, Serbia nuk e njeh, duke e parë atë si një shtet të shkëputur. Përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve – të mbikëqyrura nga SHBA dhe BE – kanë qenë të tensionuara dhe herë pas here të dhunshme.

Tensioni u shtua sidomos pas zgjedhjeve për kryetar komunash në katër komunat veriore të Kosovës në maj. Këto zgjedhje shpesh kalojnë pa bujë: Rreth 90% e popullsisë në këtë rajon janë serbë etnikë, dhe kështu, në rrethana të zakonshme, ata zgjedhin serbët etnikë për kryetarë komunash.

Por këto nuk ishin rrethana të zakonshme. Në nëntor, kryebashkiakët nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon katër komunat, dhanë dorëheqjen njëkohësisht. Ata u pasuan nga oficerë policie, personel administrativ dhe gjykatës serbë etnikë në rajon.

Dorëheqjet e tyre shkaktuan zgjedhje të reja, që do të mbaheshin në dhjetor. Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi serbët në rajon i bojkotuan ato, me mbështetjen e plotë të Vuçiçit. Por, duke pasur parasysh tensionet, Kosova pranoi të shtyjë zgjedhjet deri në prill – një vendim që u vlerësua nga Pesëshja, një grup joformal që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, kandidatët shqiptarë etnikë garuan pa rivalë. Zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1,500 njerëz votuan në të katër komunat – një pjesëmarrje prej vetëm 3.5%. Disa kryetarë bashkie u zgjodhën me më pak se 100 vota.

Por ndërsa zgjedhjet nuk ishin aspak përfaqësuese, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, çështja tashmë kishte të bënte me vetë sundimin e ligjit.

“Kemi katër kryetarë komunash, legjitimiteti i të cilëve është i ulët. Por, megjithatë, nuk ka njeri që është më legjitim se ata. Duhet të kemi shtet ligjor. Ne jemi një republikë demokratike”, tha Kurti për CNN në maj.

Megjithatë, qëndrimi i kryeministrit është kritikuar si i ashpër dhe i pakompromis. Aleatët e tij e akuzuan për hyrjen me forcë në zyrat e kryetarëve të komunave më 26 maj.

“Shtetet e Bashkuara i thanë Kurtit – dhe këtu ai është në faj – ata i thanë të mos i vendoste kryetarët në ndërtesat e komunave. Dhe këtu Kurti e injoroi udhëzimin specifik,” tha Edward Joseph, një pedagog i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, i cili ka shërbyer për shumë vite në Ballkan, duke përfshirë NATO-n.

Një zyrtar i qeverisë së Prishtinës i tha CNN se ata nuk donin t’ua “dorëzonin” ndërtesat zyrtare qeveritare protestuesve. “Kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre… Serbia u kishte kërkuar serbëve që të bojkotonin zgjedhjet. Tani donin që askush të mos hynte në ato ndërtesa. Por atëherë, pyetja është: Nëse kryetarët e bashkive nuk duhet të hyjnë në ndërtesë, kush duhet të hyjë?”

Por ndërsa Kurti mund të ketë ndërmarrë një veprim të pakoordinuar, përgjigja ndaj kësaj nuk ishte e pashmangshme. Më e keqja e dhunës nuk erdhi në ditën kur kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre, por tri ditë më vonë, në qytetin e Zveçanit – kur kryetari as nuk ishte në ndërtesë.

Dhuna ishte ekstreme. Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë. Disa plagosje ishin të rënda: Tre ushtarë hungarezë u qëlluan; njërit i është prerë këmba.

Kurti tha për CNN se këta nuk ishin “protestues paqësorë”, por një “milici fashiste” e njohur se vepron në veri të Kosovës, “të cilët paguhen dhe urdhërohen nga Beogradi”.

Të tjerët pajtohen me Kurtin. Kearns i tha CNN se trupat britanike të stacionuara në Kosovë si pjesë e KFOR-it, Forca e NATO-s në Kosovë, “dëgjuan për granata tek pragu i dyerve të njerëzve nëse ata refuzonin të mbështesnin milicinë serbe”. Kearns tha se trupat britanike gjithashtu i thanë që kishin gjetur “depo armësh të fshehura në kisha dhe ambulanca nga milicia serbe në veri të Kosovës”, megjithëse KFOR-i tha në korrik se nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë pretendim.

Pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e reagimeve diplomatike është fokusuar në veprimet e Kurtit, për të cilat Kosova ka paguar një çmim të rëndë. Që pas zgjedhjeve, Kosova nuk është ftuar në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në, është përjashtuar nga projektet evropiane të infrastrukturës dhe është goditur me sanksione që Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se mund t’i kushtojnë ekonomisë së saj 500 milionë euro (550 milionë dollarë), deri në fund të këtij viti.

Kearns kritikoi përgjigjen “e pabalancuar” nga Perëndimi, duke thënë se ajo injoronte shkakun e vërtetë të telasheve. “Fillimi i krizës ishte ndërhyrja e jashtme e qeverisë serbe në punët e brendshme të Kosovës, kur u tha serbëve të Kosovës që të mos votojnë në zgjedhjet lokale. Kjo është ndërhyrje nga jashtë”, tha ajo.

Kurti është përpjekur të shpallë sovranitetin e Kosovës kundër forcave binjake të ndërhyrjes së huaj dhe dhunës së organizuar, dhe sipas Mujanoviçit, SHBA-ja dhe BE-ja janë përgjigjur: “Jo. Kjo nuk është e përshtatshme në këto rrethana.”

“Zelensky i Ballkanit”

Duke pasur parasysh varësinë e Kosovës nga mbështetja perëndimore, disa kanë frikë se mospajtueshmëria e Kurtit po i frustron aleatët e tij dhe po dobëson vendin. Disa po bëjnë thirrje për një ndryshim të plotë të qëndrimit.

“Ai po përpiqet të jetë Zelensky i Ballkanit”, tha për CNN Shqiprim Arifi, kryetar i rajonit jugor serb të Preshevës. “Ai po përdor në mënyrë retorike dhe në mënyrë populiste argumentimin e shtetit të së drejtës. Ai dëshiron të jetë Zelensky i shqiptarëve.”

Lugina e Preshevës në Serbi përfaqëson anën tjetër të veriut të Kosovës. Ndërsa veriu i Kosovës është i populluar kryesisht me serbë etnikë në një vend me shumicë shqiptare, Lugina e Preshevës është e populluar kryesisht me shqiptarë etnikë në një vend me shumicë serbe.

Mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën, tha Arifi, është që Kurti të bëjë ashtu siç kërkojnë aleatët perëndimorë: Të punohet për të krijuar “Asociacion të Komunave Serbe” (ASM) në veri të Kosovës.

Kurti është akuzuar se ka penguar zbatimin e krijimit të komunave vetëqeverisëse për serbët, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Sipas marrëveshjes, Serbia mund të krijojë ASM-në në veri të Kosovës, e cila do të funksiononte nën sistemin ligjor të Kosovës, me policinë kosovare që mbetet autoriteti i vetëm i zbatimit të ligjit.

Një dekadë më vonë, këto komuna nuk janë krijuar, duke i lënë të ziejnë mosmarrëveshjet për shkallën e autonomisë së serbëve të Kosovës.

Por ka dyshime nëse kjo zgjidhje – që tani po shtyhet me forcë nga SHBA dhe BE – do të lehtësojë tensionet.

“Më besoni, nuk do të jetë zgjidhja më e mirë,” i tha CNN Dushan, një serb që jeton në komunën e Leposaviqit. “Ndoshta, në dy muajt e parë do të jetë një lehtësim. Ndoshta do mendohet “Oh shiko, më në fund morëm diçka.”

Por do të ishte një agim i rremë. “Nga aspekti ekonomik, jeta jonë nuk do të përmirësohet, por do të jetë më keq”, tha ai, pasi banorët do të duhet të fillojnë të paguajnë për shërbimet dhe taksat që aktualisht mbulon qeveria e Kosovës. CNN po fsheh emrin e vërtetë të Dushanit, pasi ai kishte frikë se komentet e tij mund të ndikonin në jetesën e tij.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se ASM mund të nxisë më shumë tensione gjeopolitike.

“Ne nuk e dimë se cilat do të jenë këto komuna,” tha Kearns. “A do të jetë thjesht që komunat lokale të jenë përgjegjëse për ujin, rrymën dhe taksat e tyre? Apo është se ajo do të jetë një Republika Srpska e re? Realiteti është se nuk mendoj se dikush dëshiron një Republika Srpska tjetër”.

Republika Srpska, një nga dy entitetet që përbëhet nga Bosnja dhe Hercegovina, shpalli pavarësinë në 1992 dhe u njoh zyrtarisht sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995. Në muajt e fundit, presidenti i saj pro-rus Milorad Dodik është përpjekur të hapë rrugën për shkëputjen e saj nga Bosnja.

Në qershor, ligjvënësit e Republika Srpska votuan për pezullimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese të Bosnjës, në një lëvizje të përshkruar nga ekspertët si “shkëputje ligjore” dhe një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Dejtonit. SHBA e dënoi këtë veprim, duke thënë se kërcënonte sovranitetin e Bosnjës.

“Njerëzit në Prishtinë dhe Kurti e kanë bërë shumë të qartë se në komunat autonome shohin Republikën Srpska të re. Dhe ata nuk shohin në atë model një zgjidhje për Kosovën. Ata shohin një version të ri, një gjeneratë të re të krizës për Kosovën, dhe në fund të fundit rajonin në tërësi”, tha Mujanoviç.

I dërguari i Serbisë në Uashington, Duriç, këmbënguli në deklaratën e tij për CNN se Beogradi ishte i përkushtuar për një marrëdhënie paqësore me Kosovën. “Serbia po punon gjithashtu në mënyrë aktive për të mos përshkallëzuar tensionet me Kosovën shpesh në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe është e përkushtuar që të sigurojë që Evropa Juglindore të mbetet paqësore”, tha ai.

Kali i gabuar?

Gjatë gjithë muajve të fundit të tensioneve, SHBA dhe BE kanë përsëritur vazhdimisht angazhimin e tyre për kauzën e sjelljes së Vuçiqit në krahun e tyre. Por Serbia ka vepruar me injorim në rritje, duke përfaqësuar atë që Kearns e quajti “një dështim i diplomacisë parandaluese”.

Një episod i dëmshëm erdhi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, në mars, kur, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga SHBA dhe BE, Serbia dhe Kosova më në fund pranuan një marrëveshje dypalëshe që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por, ndërsa kjo u paralajmërua si një përparim, Vuçiç u largua nga negociatat pa e firmosur dokumentin, duke pretenduar në një fjalim televiziv se nuk ishte në gjendje ta bënte: “Kam një dhimbje torturuese në dorën time të djathtë… ajo dhimbje pritet të vazhdojë për katër vite.”

Një tjetër erdhi kur autoritetet serbe arrestuan tre oficerë të policisë së Kosovës, të cilët pretendonin se ishin futur “thellë brenda territorit të Serbisë qendrore” dhe përgatiteshin për të kryer “një akt terrorizmi”. Por Kosova këmbënguli se oficerët ishin “rrëmbyer” brenda kufijve të Kosovës, dhe se Serbia kishte kryer dhe “akt agresioni”.

SHBA dhe BE ishin të ngadalta për të reaguar ndaj këtij incidenti. KFOR-i, Forca e NATO-s në Kosovë, lëshoi një deklaratë 48 orë pasi oficerët u raportuan të zhdukur. SHBA lëshoi një deklaratë tre ditë më vonë, duke pretenduar se arrestimet u kryen me “akuza të rreme”.

Joseph i tha CNN se rrëfimi serb i ngjarjeve ishte i vështirë për t’u besuar – dhe se formulimi i deklaratës së SHBA-së sugjeronte që zyrtarët e tyre gjithashtu nuk po e hanin atë. “Nëse SHBA-të ishin vërtet të pasigurta nëse policia e Kosovës ndodhej në Serbi, atëherë pse të përdoret një term kaq kategorik [si “i rremë”], i cili parandalon kompetencën dhe gjykimin e gjykatës serbe?”

E megjithatë Serbia nuk u ndëshkua për incidentin. Lirimi i oficerëve u sigurua dy javë më vonë – jo nga aleatët perëndimorë, por nga kryeministri hungarez Orban.

Pas episodeve të tilla, Joseph i tha CNN se qasja “nuk shohim një të keqe” ndaj regjimit të Vuçiqit mund të ketë filluar të plasaritet.

“Pyetja këtu është: Kush në administratën e Bidenit beson ende se Vuçiç është partner?, tha ai, duke vënë në dukje sanksionimin e fundit të Aleksandar Vulin, drejtorit të shërbimit inteligjent të Serbisë, si dëshmi se administrata e Bidenit “nuk është më rob i frikës dhe iluzionin për Vuçiçin”.

Por është ende e paqartë nëse kjo përkthehet në një ndryshim të politikës.

Ndërkohë, Vuçiç e ka rritur stekën. Në përgjigje të sanksionimit të Vulinit, Vuçiç ndaloi eksportet e armëve nga Serbia për 30 ditë, duke pretenduar se “gjithçka duhet të përgatitet në rast agresioni kundër Republikës së Serbisë”.

“Ai në thelb thotë ‘ne do të hyjmë në konflikt, duhet të ndalojmë të gjitha eksportet e armëve tani, sepse na duhen për sigurinë tonë kombëtare.’ Ai po kërcënon haptaz me luftë. Unë kurrë nuk e kam parë kaq të qartë më parë”, tha Ruge nga ECFR.

Dhe mesazhi i presidentit është pranuar nga disa qytetarë serbë. Në ndeshjen e futbollit të Yllit të Kuq të Beogradit muajin e kaluar, tifozët nacionalistë serbë mbanin një pankartë ku shkruhej “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vuçiq mori pjesë në ndeshje, sipas mediave lokale.

“Eshtë e qartë se kush është ende trazovaçi i Ballkanit”, tha për CNN Meliza Haradinaj, ish-ministre e Jashtme e Kosovës. Koha do të dëshmojë se ky ‘investim’ për të qetësuar Serbinë do të shkojë dëm. / CNN – Bota.al

Back to top button