EkonomiMAIN

Rikthehet frika e recesionit. Dobët Gjermania dhe Shba

Gjermania është bërë çakëlli i Evropës. Ditët e fundit, teksa humori i tregjeve, të cilat u shembën të premten nga frika e një recesioni amerikan, nisi të ndryshonte, u publikuan edhe të dhënat për PBB-në evropiane. Dhe Gjermania zhgënjeu pritshmëritë me një rënie prej 0.1% të PBB-së në tremujorin e dytë, ndërsa pjesa tjetër e eurozonës u rrit me 0.3%. Tashmë midis janarit dhe marsit, Berlini kishte arritur një rritje +0.2% të dobët, pas tkurrjes prej 0.4% në tremujorin e mëparshëm. Për të gjetur një rritje mbi 0.5%, duhet të kthehemi në vitin 2022. Ekonomia gjermane po lëngon. Dhe ekonomistët shohin zi. Në një podcast të fundit të Handelsblatt, Clemens Fuest, kreu i IFO në Mynih, tha se për vitin 2024 ekziston një rrezik i përgjithshëm për një shifër negative.

Gjermania mund të rrëshqasë – përsëri – në recesion. Dhe në zyrat e Komisionit të BE-së po qarkullon një e dhënë kthjelluese: nëse nuk do të kishte rënie nga ekonomia gjermane, pjesa tjetër e kontinentit mund të rritet me 2% në 2024.

Ndërkohë Mercedes, Volkswagen dhe BMW, tre emrat e mëdhenj të automobilizmit gjerman, kanë kaluar në rënie edhe ato. Po ndjejnë lodhjen kineze dhe kanë pësuar një rënie të fitimeve në gjashtë muajt e parë prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Por nuk po ndihmon aspak, edhe një klimë që errësohet me shpejtësi në Evropë: inflacioni dhe normat e interesit rëndojnë mbi dëshirën për të ndryshuar. Dhe në Gjermani gjendja shpirtërore është aq e keqe sa po pyesin veten nëse jabë bërë problem për Evropën.

Përtej arsyeve më të dukshme të dobësisë së saj, e para prej të cilave është dobësia e Kinës, ka një fakt më pak të dukshëm që të bën përshtypje. Edhe pse inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm për muaj të tërë dhe Banka Qendrore Evropiane i ka dhënë fund fazës rritëse duke filluar të ulë normat, pavarësisht rritjeve të fuqishme të pagave të marra nga shumë punëtorë në tremujorin e parë – një bum prej 6.5% krahasuar me një rritje çmimi që u ndal në 2.5% – gjermanët duken të frikësuar. Dhe ata filluan të kursejnë me furi. Sipas analistëve, sepse nuk i besojnë qeverisë Scholz dhe sepse janë të frikësuar nga shumëfishimi i luftërave. Në tre muajt e parë të vitit, norma e kursimeve ishte pothuajse 15%, mbi një të tretën më shumë se në 2023. Dhe vihet re një maturi e ngjashme, midis kompanive, të cilat ndaluan së investuari.

Në fund, është problemi i politikës. Qeveria Scholz, pas vendimit shkatërrues të Gjykatës së Karlsruhes, e cila në dhjetor 2023 i dha fund një periudhe intensive të “financave krijuese” duke risjellë frenimin e borxhit, ka vendosur të vazhdojë të frenohet duke i qëndruar besnike fetishit të eleminimit të deficitit. Edhe ditët e fundit, shumica është e ndarë se si të sigurohen burimet për rimëkëmbjen pa cënuar buxhetin e balancuar. Një tjetër frenë dore për ekonominë kryesore të kontinentit. Që shkakton dëme për të gjithë. / bota.al

Back to top button