Edhe pse zakonisht shohim vetëm një, kometat kanë në fakt dy bishta. Këto objekte qiellore, që janë mbetje të mjegullës protoplanetare nga e cila u formua Sistemi Diellor, janë grumbuj akulli, siliciumi dhe grafiti me diametra që variojnë nga disa kilometra deri në dhjetëra kilometra.
Kur kometat arrijnë pikën më të afërt me Diellin (periheli), pjesa më e jashtme e bërthamës së tyre të ngurtë avullon, duke krijuar një “komë” – një atmosferë përreth bërthamës. Por, kjo atmosferë nuk mund të mbahet për shkak të masës së vogël të kometës dhe përhapet në hapësirë, duke krijuar bishtin e saj karakteristik.
Në fakt, formohen dy bishta: njëri është i verdhë dhe përbëhet nga grimca të vogla të ngurta që mbarten nga gazi i avulluar, ndërsa tjetri është i kaltër dhe krijohet nga ndërveprimi i kometës me erën diellore. / bota.al