MagazineShkence

Sëmundja që solli vdekjen e Bethovenit dhe një sekret familjar

Përpara se të vdiste kompozitori Ludwig van Beethoven më 27 mars 1827, ishte dëshira e tij që sëmundjet e tij të studioheshin, në mënyrë që “sa të jetë e mundur të paktën bota të pajtohej me mua pas vdekjes sime”.

Tani, studiuesit kanë ndërmarrë hapa për të respektuar pjesërisht këtë kërkesë duke analizuar ADN-në e Beethoven nga flokët e ruajtura të tij dhe duke renditur gjenomin e kompozitorit për herë të parë.

Një studim që detajon gjetjet u botua të mërkurën në revistën Current Biology.

Përveç humbjes së dëgjimit, kompozitori i famshëm klasik pati probleme të përsëritura gastrointestinale gjatë gjithë jetës së tij, si dhe sëmundje të rënda të mëlçisë.

Beethoven u shkroi një letër vëllezërve të tij në Vitin 1802 duke kërkuar që mjeku i tij, Johann Adam Schmidt, të përcaktojë dhe të ndajë natyrën e “sëmundjes” së tij pasi Beethoven të vdiste.  Letra njihet si Testamenti i Heiligenstadt.

Që nga vdekja e tij, ka patur shumë pyetje rreth vuajtjeve të Beethovenit dhe shkakut të vërtetë të vdekjes. Brenda shtatë viteve të fundit të jetës së tij, kompozitori përjetoi të paktën dy sulme të verdhëzës, e cila shoqërohet me sëmundje të mëlçisë, duke çuar në besimin e përgjithshëm se ai vdiq nga ceroza.

Analiza gjenetike zbuloi të dhëna të fshehura në ADN-në e kompozitorit që mund t’i shtonin kontekst problemeve të tij shëndetësore.

“Ne nuk ishim në gjendje të gjenim një shkak përfundimtar për shurdhimin ose problemet gastrointestinale të Beethovenit,” thanë studiuesit.

“Megjithatë, ne zbuluam një numër faktorësh të rëndësishëm të rrezikut gjenetik për sëmundjen e mëlçisë”, shtuan ai. “Ne gjetëm gjithashtu prova të një infeksioni me virusin e hepatitit B më së voni muajt para sëmundjes përfundimtare të kompozitorit. Këto me gjasë kontribuan në vdekjen e tij.”

Pirja e alkoolit, e kombinuar me faktorët e riskut gjenetik për sëmundjen e mëlçisë dhe infeksionin e tij nga hepatiti B, mund të ketë qenë stuhia e përsosur për shëndetin e Beethoven-it afër fundit të jetës së tij.

Një sekret në ADN

Pasi ekipi hulumtues vendosi profilin gjenetik të Beethoven-it, ata e krahasuan atë me ADN-në e të afërmve të tij të gjallë në Belgjikë. Por në një kthesë të ngjarjeve, ata nuk ishin në gjendje të përcaktonin një krahasim të plotë.

Ndërsa disa nga të afërmit kishin një paraardhës nga ana e familjes së Beethovenit në fund të viteve 1500 dhe në fillim të viteve 1600, nuk kishte asnjë përputhje për kromozomin Y në mostrat e flokëve të Beethoven.

Kjo sugjeron se diku në historinë e familjes, ka pasur një lidhje jashtëmartesore nga ana e babait të Beethovenit që rezultoi në një fëmijë.

“Përmes kombinimit të të dhënave të ADN-së dhe dokumenteve arkivore, ne ishim në gjendje të vëzhgonim një mospërputhje midis gjenealogjisë ligjore dhe biologjike të Ludwig van Beethovenit,” tha bashkëautori i studimit Maarten Larmuseau, një gjenealog gjenetik në KU Leuven në Belgjikë. / bota.al

Back to top button