Horizonti.alMAIN

Sfida e Inteligjencës Artificiale vjen nga Kina

Pierre Haski

Vitin e kaluar, mes bujës së shkaktuar nga ardhja e ChatGpt, një gazetë e qeverisë kineze u përpoq të qetësonte lexuesit, të cilit ishin impresionuar nga epërsia amerikane në fushën e inteligjencës artificiale. “Nuk duhet të shqetësoheni shumë, sepse ne po punojmë për t’i arritur,” shkroi Global Times.

Javën e kaluar një startup kinez prezantoi përgjigjen e Pekinit ndaj ChatGpt: quhet “Deepseek 3” dhe do të garantojë rezultate të krahasueshme apo edhe më të larta me ato të amerikanëve me një kosto prej vetëm gjashtë milionë dollarësh, krahasuar me qindra milionët e shpenzuara për ChatGpt. Deepseek 3 përdor gjysmëpërçues më pak të sofistikuar dhe konsumon shumë më pak energji.

Kompania kineze është fokusuar shumë në natyrën e hapur të produktit të saj. Kjo do të thotë se kushdo, në të gjithë botën, mund të kopjojë kodin dhe ta përdorë atë falas. Një sulm ndaj modelit ChatGpt, aplikacionet më të sofistikuara të të cilit paguhen.

Kjo histori zbulon se sa shumë inteligjenca artificiale është kthyer në një fushë rivaliteti ekonomik, por edhe gjeopolitik që vë kundër njëra-tjetrës superfuqitë e shekullit njëzet e një.

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump dhe atij të Joe Biden, Shtetet e Bashkuara vendosën një sërë sanksionesh teknologjike ndaj Kinës, e cila sot nuk mund të ketë qasje në gjysmëpërçuesit më të sofistikuar apo financime apo teknologji amerikane. Në Shtetet e Bashkuara, kompanitë kineze janë tashmë pjesë e një liste të zezë.

Këto pengesa kanë krijuar në mënyrë të pashmangshme probleme për Pekinin, por ato gjithashtu e kanë shtyrë Kinën të zhvillojë teknologjitë e veta. Xi Jinping e konsideron sfidën teknologjike si një prioritet absolut dhe investon shuma kolosale në kërkimin e zgjidhjeve kombëtare që mund të zvogëlojnë varësinë nga vendet e huaja. Ky është ekuivalenti kinez i “derisking”, politikë e adoptuar nga evropianët dhe amerikanët për të mos u varur më nga Kina.

Ky rivalitet vlen për të gjitha fushat teknologjike, siç e kemi parë edhe në rastin e kompanisë kineze Huawei. Megjithatë, inteligjenca artificiale është një fushë veçanërisht delikate, sepse sot ajo është në qendër të transformimit teknologjik të të gjithë sektorëve, përfshirë mbrojtjen. Armët e së ardhmes do të menaxhohen nga inteligjenca artificiale dhe për këtë arsye, janë strategjike.

Muajin e kaluar Alex Karp, CEO i kompanisë amerikane Palantir, shumë aktive në fushën e grumbullimit të informacionit, deklaroi se “revolucioni i inteligjencës artificiale” është “amerikan”. “Është e jona, kompanitë janë amerikane, paratë janë amerikane dhe nuk ka asnjë realitet tjetër që mund të konkurrojë me ne, as Evropa e cila është anemike dhe mendon vetëm për rregulloret, aq më pak Kina apo Rusia. Kush do të donte të vepronte ndonjëherë në këto vende?”, pyeste Karp me njëfarë arrogance.

Deepseek 3 tregon se Kina nuk e ka thënë ende fjalën e fundit. Silicon Valley, i cili do të ripërqafojë Trumpizmin, mbetet jashtëzakonisht i fuqishëm, por tani duhet të përballet me një kundërshtar në anën tjetër të planetit. Kjo përplasje do të formësojë shekullin tonë, në të mirë dhe në të keq. / Bota.al

Back to top button