Bota

Shoferi i kamionit “prangos” 7 shqiptarë në Holandë

Shtatë shqiptarë ranë në prangat e autoriteteve holandeze pasi tentuan të fshiheshin në një kamion. Ishte shoferi, ai i cili lajmëroi policinë, pasi shqiptarët u munduan të ngjiteshin në trajlerin e tij dhe të fshiheshin brenda.

Shtatë të ndaluarit janë të moshës nga 16 deri në 26-vjeçare. Për katër prej tyre rëndon edhe akuza e dhunës. Pas një hetimi, ata iu dorëzuan Policisë së Emigracionit. Gjithashtu u zbulua se dy prej shqiptarëve ishin kapur më parë nga autoritetet.

Ngjarja ndodhi në Moerdijk të Holandës, “shtegun” e ri të shqiptarëve për të shkuar në Angli.

Gati çdo ditë aty, shqiptarët përpiqen që të kapin kamionët në autostradën A16. Për ta, ky është vendi i përshtatshëm pasi mund të fshihen lehtësisht në kamion dhe më pas të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Fakti që shumë bashkëatdhetarë kanë kaluar me sukses, ka bërë që edhe miqtë e tyre ta provojnë shansin. Sipas mediave holandeze, situata prej kohësh është rënduar.

Kryetari i Bashkisë së Moerdijk, Jac Klijs, kohë më parë është shprehur që duhet të shmanget që qyteti holandez të kthehet në shteg të ri për emigrantët. Ai frikësohet se qyteti i tij mund të shndërrohet si Calais në Francë./abcnews.al

Leave a Reply

Back to top button