Një libër i botuar në vitin 2014 e tronditi botën e financave në parajsat fiskale. “Global Shell Games” nxori në pah lehtësinë me të cilën kompanitë guacka mund të pastrojnë para apo të shmangin taksat duke përdorur llogaritë bankare të ruajtura nga kompani guacka anonime.
Libri, aktivizmi i OJQ-ve dhe rrjedhjet e shumta të informacioneve konfidenciale vitet e fundit, me rastin e fundit “Pandora Papers”në fillim të këtij muaji, i nxiti qeveritë të rrisin transparencën e korporatave.
Britania dhe vendet e tjera prezantuan regjistrat publikë të pronarëve të kompanive. Amerika miratoi një ligj që i jep fund anonimitetit të kompanive guacka. Por cili është rezultati? Autorët e librit kanë realizuar së fundmi një studim të ri që tregon se në fakt kanë ndryshuar shumë pak gjëra.
Bankat dhe ofruesit e shërbimeve për korporatat (CSP), kompani që krijojnë kompani për të tjerët, dhe që synohet të jenë në vijën e parë të luftës kundër krimit financiar bëjnë një punë të tmerrshme për të bërë dallimin midis klientëve të ligjshëm dhe atyre që shkelin ligjin.
Tre ekspertët që kryen studimin-Xhejzën Sharman nga Universiteti i Kembrixhit, dhe Daniel Nielson dhe Majkëll Findlej nga Universiteti i Teksasit në Ostin – ndërmorën atë që ata e quajtën një “ekspeditë misterioze të blerjeve”. Ata regjistruan kompani guacka me profile të ndryshme rreziku, dhe më pas dërguan më shumë se 30.000 e-maile në banka dhe CSP në çdo vend të botës për të krijuar llogari bankare.
Pjesa më e madhe e këtyre kompanive ndodhej në vende me një rrezik të lartë korrupsioni, të tilla si Papua Guinea e Re ose Pakistani. Vendndodhjet më të sigurta ishin Australia dhe Zelanda e Re. Në mes ishin kompanitë guacka nga parajsat e njohura fiskale si Ishujt e Virgjër Britanikë.
Në disa misione autorët dhe ekipi i tyre u paraqitën si biznesmenë të ligjshëm; në raste të tjera si njerëz që kishin probleme me ligjin, siç janë shumë nga njerëzit që janë pjesë e listave të zeza. Sistemi global kundër pastrimit të parave (AML) që ka evoluar që nga vitet 1980 nën Task–Forcën e Veprimit Financiar (FATF), një agjenci shumëpalëshe, mbështetet shumë tek sektori privat për të pastruar paratë e pista.
Bankat duhet të ndjekin rregullin“njoh klientin tuaj”, dhe të identifikojnë pronarin e vërtetë të klientit, ose “përfituesin”.Ky regjim “i bazuar tek rreziku” është prishur sugjeron studimi. Autorët zbuluan se profilet e ndryshme të rrezikut nuk bënë “thuajse asnjë diferencë” në gatishmërinë e bankave për të hapur një llogari; dhe CSP-të ishin edhe më pak të ndjeshme ndaj rrezikut.
Studimi tregon se puna e zhurmshme e AML-së po “i delegohet një sektori privat që nuk mundet ose nuk do që ta bëjë atë” thotë Sharman. “Bankat nuk janë në gjendje ose nuk duan të bëjnë gjykime të imta të rrezikut që kërkon vetë sistemi, pasi ato përdorin procedura të standardizuara dhe të përgjithshme”- thekson ai. /
“The Economist” – Bota.al