Një studim mbi planin e shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit në Britaninë e Madhe, sugjeron se variante të reja të Covid-19, mund të jenë një pengesë serioze për arritjen e imunitetin të tufës.
Studimi i shpërndarjes aktuale të vaksinave kundër koronavirusit, arrin në përfundimin se shumica e njerëzve duhet të marrin vaksinat “më efektive” të Pfizer ose Moderna, në vend të vaksinës së Oksfordit. Gjithashtu studimi sugjeron se kjo gjë do të jetë e nevojshme për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme indirekte për ata që nuk janë imunë, i njohur ndryshe si imuniteti i tufës.
Të dyja vaksinat e aprovuara për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, si ajo e Pfizer ashtu edhe e Modernës, janë dëshmuar si të efektshme në masën mbi 90 për qind. Ndërkohë, vaksina e Universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike Astra Zenecca, është treguar të jetë deri në 80 për qind e efektive.
Studim,i bazuar në modelimin e kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Anglisë Lindore (UEA), nuk është shqyrtuar ende nga kolegët. Modelimi fillestar parashikoi që vaksinën e Pfizer duhet t`a marrë të paktën 69 për qind e popullsisë, ose 93 për qind e popullsisë në rastin e vaksinës së Oksfordit, për të ulur më pak se 1 vlerën numrit R (norma e infektimit), dhe për të ndaluar përhapjen e virusit.
Gjithsesi, kur studiuesit morën parasysh variantin shumë të transmetueshëm të koronavirusit që është vërejtur në fillim në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas është përhapur në shumë vende të tjera, ata zbuluan se vaksinimi i të gjithë popullsisë me vaksinën e Oksfordit do të ulte vlerën e R në vetëm 1.3.
Kur numri R – numri mesatari njerëzve që një person i infektuar do t’u kalojë virusin – është mbi 1, ka një valë të madhe rastesh të reja. Shkencëtarët që kanë kryer studimin e ri, mendojnë se vaksina Pfizer do të kërkonte vaksinimin e 82 për qind të popullsisë britanike për të kontrolluar përhapjen e variantit të ri.
Bashkë-autori i studimit,profesor Alisteir Grant tha:“Disa njerëz do t`a refuzojnë vaksinën, ndaj arritja e një norme vaksinimi prej 82 për qind me vaksinën Pfizer do të jetë e pamundur. Ndërkohë vaksina e Oksfordit, e zvogëlon incidencën e sëmundjes në formën më serioze në një masë më të madhe, sesa e zvogëlon sëmundjen simptomatike, e cila është ende e zakonshme edhe tek ata që kanë marrë vaksinën. Efikasiteti i saj kundër incidencës së infeksioneve asimptomatike është më i ulët, duke zvogëluar efikasitetin e saj kundër infeksionin nga 70.4 në 52.5 për qind. Kjo do të thotë që mbrojtja e përgjithshme që ajo ofron ndaj infeksionit është vetëm e pjesshme, rreth 50 për qind”.
Për këtë arsye, Grant thotë se vaksina e Oksfordit “nuk mund të na çojë dot tek imuniteti i tufës, edhe nëse vaksinohet e gjithë popullata”.Ai shtoi:“Vaksina e Oksfordit, do të jetë pa dyshim një ndërhyrje e rëndësishme në këtë luftë. Por nëse ndryshimet në regjimin e dozës mund të rrisin efikasitetin e saj,nuk ka gjasa që ajo të kontrollojë plotësisht virusin, ose të çojë popullatën britanike në arritjen e imunitetin e tufës”.
Profesor Azra Gani, drejtuese e epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Kolegjin Mbretëror në Londër, tha se me këto gjetje nuk do të thotë se Britania e Madhe do të jetojë për një kohë të pacaktuar me nivelin aktual të kufizimeve të ashpra ndaj Covid-19.
“Nëse vaksinohen një pjesë e madhe e atyre që janë në rrezik nga ndërlikimet e rënda nga sëmundja, atëherë numri i shtrimeve në spital dhe vdekjeve do të bjerë në mënyrë dramatike. Dhe mënyra se si reagojmë ndaj virusit që po qarkullon, duhet të bëhet e ngjashme me mënyrën se si reagojmë ndaj viruseve të tjerë që qarkullojnë, siç është gripi ”- thotë ajo.
“Për më tepër, edhe pse vaksinat nuk janë rekomanduar ende për fëmijët, po kryhen studime mbi ta. Dhe për këtë arsye ka të ngjarë që fëmijët të mund të vaksinohen në rast se kjo gjë do të konsiderohet e nevojshme”-theksoi ekspertja. Asnjë vaksinë e koronavirusit nuk është miratuar ende për përdorim tek fëmijët, një grupim që përbën 19 për qind të popullsisë në Britaninë e Madhe. / ScienceFocus – Bota.al