Covid19

Studiuesit zhvillojnë një trajtim novator me ultratinguj, që mund të shkatërrojë Covid-19

Që nga marsi i vitit 2020, më shumë se 250 milionë njerëz kanë rezultuar zyrtarisht pozitivë me Covid-19. Shkencëtarët në mbarë botën, janë përpjekur të identifikojnë metodat më të mira të parandalimit dhe trajtimit të virusit, që nga mbulimi i fytyrës me maskë, deri tek vaksinimi.

Tani, një studim i Departamentit të Inxhinierisë Mekanike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MI), ka zbuluar se dridhjet e ultratingujve mund ta dëmtojnë strukturën e koronavirusit, duke zbuluar kësisoj një përgjigje revolucionare ndaj kërcënimit të shëndetit publik.

Duke përdorur simulimet kompjuterike, studiuesit vizualizuan strukturën e koronavirusit dhe modeluan reagimet e tij ndaj dridhjeve me ultratinguj në frekuenca të ndryshme. Ata zbuluan se frekuencat midis 25 dhe 100 megaherz çojnë në prishjen e pjesës së jashtme të koronavirusit.

Studiuesit e patën të vështirë krijimin e një modeli, që do të simulonte me saktësi sjelljet dhe strukturat e SARS-CoV-2. Nuk dihen ende shumë gjëra rreth përbërjes fizike të virusit të ri. “Ne nuk i dimë vetitë materiale të proteinave në formë thumbash, pasi ato janë shumë të vogla, rreth 10 nanometra të gjata”- thotë profesori i mekanikës së aplikuar në MIT, Tomash Virzbicki.

Duke përdorur thumba elastikë për të imituar strukturën e virusit, studiuesit e testuan modelin me nivele të ndryshme të dridhjeve me ultratinguj. Si në ajër ashtu edhe në ujë, ekipi vuri re se frekuencat që varionin nga 25 MHz-100 MHz ,shkaktuan prishjen e e modelit.

Ndërsa vaksinimet kundër virusit janë tashmë gjerësisht të disponueshme, gjetja e trajtimeve të suksesshme për individët që preken nga Covid-19, ka rezultuar shumë i vështirë. Gjetjet e këtij studimi, janë një tregues shpresëdhënës se teknologjia e ultratingujve mund të jetë një mjet i mundshëm për trajtimin efektiv të pacientëve me koronavirus.

“Ne kemi vërtetuar se nën ngacmimin e ultratingujve, guaska dhe proteinat në formë thumbash të koronavirusit, do të nisin të dridhen. Amplituda e asaj dridhjeje do të jetë shumë e madhe, duke prodhuar shtame që mund të çajnë pjesë të caktuara të virusit, duke shkaktuar dëme të dukshme në shtresën e jashtme, dhe ndoshta një dëmtim të padukshëm brenda ARN-së së virusit”- thotë Virzbicki.

Por studimi i fundit ngre edhe më shumë pyetje për studimet e ardhshme. Shkencëtarët duhet të kuptojnë se si trajtimet me ultratinguj, do të funksiononin jashtë kompjuterit dhe brenda një trupi të vërtetë njerëzor, dhe si mjekët do t’i administronin realisht trajtimet e pacientëve të sëmurë me Covid-19. “Shpresojnë që gjetjet e studimit tonë të frymëzojnë shkencëtarë të tjerë, që të vazhdojnë të eksplorojnë mbi këtë opsion të ri të trajtimit të Covid-19”-përfundon Virzbicki.

Back to top button
Close
Close