Që kur Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë, Kroacia është kthyer në vendin kryesor të tranzitit për refugjatët në Ballkan. Por edhe këtu Hungaria tani po ndërton një gardh. Vetëm tri kalime kufitare janë të hapura
Kur motorët me naftë të autobusëve ndalojnë, nga xhamat e autobusëve depërton jashtë vetëm britma e mbytur e fëmijëve të refugjatëve. Atmosfera në kufirin midis Hungarisë dhe Kroacisë ka një qetësi të frikshme. Rreth njëzet autobusë me refugjatë kanë mbërritur nga kampi i pritjes në Opatovac të Kroacisë. Kur dyert hapen, një kufitar hungarez me maskë higjenike në gojë bërtet: “Vendosuni në dy rradhë”. Me ngurrim, 50 nga rreth 1000 refugjatët zbresin nga autobuzi dhe dalin në vapën e drekës. Ajo që kanë para syve i ngjan një kështjelle ushtarake. Automjete të blinduara, mitrolozë dhe një çadër e përbashkët furnizimi me një WC të vogël, kështu i pret Hungaria njerëzit në kalimin kufitar Beremend.
Refugjatët trajtohen si të arrestuar
Procedura që nis tani është tamam rënie në qafë. Çdo ngarkesë autobusi me refugjatë kontrollohet veçmas nga dyzina policësh të kufirit. Çdo çantë duhet të hapet. Njerëzve u bie shpesh të fikët nga rraskapitja, punonjës sanitarë kujdesen për ta. Në anën hungareze presin autobuzë.
Që refugjatët tani lejohet të hyjnë në Hungari, kjo e çudit shumicën e tyre. Ata e patën zgjedhur rrugën përmes Kroacisë vetëm sepse Hungaria e mbylli kufirin me Serbinë vetëm një javë më parë. “Jemi nisur në Liban dhe kemi udhëtuar përmes Mesdheut në Turqi. Prej atje, përmes detit shkuam në Greqi, pastaj në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci”, thotë një sirian i ri, i cili udhëton me një grup studentësh. Ai nuk ka pasur alternativë tjetër, prindërit e tij punonin për regjimin e Assadit: “Kur nuk shkojmë në ushtri, kërkon të na rekrutojë IS ose Ushtria Çlirimtare Siriane. Po ne nuk duam luftë, duam vetëm të studiojmë.”
Më shumë se dy d itë iu desh të priste një grupi me 4000 refugjatë në kampin e vetëm të pritjes, që ekziston aktualisht në anën kroate. Para kampit në Opatovc janë krijuar vargje të gjata njerëzish dhe refugjatë të rinj shfaqen herë pas here nga fushat e misrit pranë. Vetëm javën e kaluar më shumë se 50.000 refugjatë erdhën nga Serbia në Kroaci. Vendi është krejtësisht i mbingarkuar me valën e refugjatëve. Kalimi kufitar Beremend është kthyer në vrimë gjilpëre, sepse përmes kufirit të gjelbër në Hungari thuajse nuk vijnë më refugjatë. Pak metra larg kalimit kufitar syri të zë një grup ushtarësh hungarezë që ngulin kollona të mëdha në tokë me mjete të rënda. Me shpejtësi të madhe Hungaria tani po punon të mbyllë kufirin prej 320 kilometrash me Kroacinë.
Vetëm pas gjashtë orësh pritjeje, kolona e parë me autobusë, e shoqëruar nga automjete të blinduara të ushtrisë, vihet në lëvizje – drejt një stacioni të vogël treni në Magyarboly të Hungarisë. Prej këtu, trenat i sjellin njerëzit në kufirin austriak dhe më pranë ëndrrës së tyre, Evropës Perëndimore.
Linku: http://www.dw.com/sq/t%C3%AB-pafuqish%C3%ABm-p%C3%ABrball%C3%AB-kufirit/a-18742443