EkonomiMAIN

Tronditja e stagflacionit global 2022: Sa keq mund të shkojë?

Jo më larg se vitin e kaluar, shumë ekonomistë prisnin që 2022 të ishte një periudhë e rimëkëmbjes së fortë ekonomike. Bizneset do të ktheheshin në funksionim të plotë pas Covid. Konsumatorët do të ishin të lirë të shpenzonin kursimet e grumbulluara, në të gjitha festat dhe aktivitetet që nuk kishin mundur të zhvillonin gjatë pandemisë. Do të ishin “vitet e potershëm njëzetë”, thanë disa, duke iu referuar dekadës së konsumizmit që pasoi pandeminë e viteve 1918-21.

Kaluan disa muaj dhe paralelja po hiqet me vitet 1970, kur embargoja arabe e naftës çoi në krijimin e një periudhe të zgjatur vështirësish ekonomike. Inflacioni u rrit në norma dyshifrore, edhe teksa ekonomitë në mbarë botën ngecën në vend – një përzierje e dhimbshme e çmimeve të larta dhe rritjes së ulët ekonomike, e njohur si “stagflacion”.

Tani, për stagflacionin po flitet përsëri. Pas goditjes së dyfishtë të Covid-19 dhe pushtimit rus të Ukrainës, normat e inflacionit kanë tejkaluar pritshmëritë, duke u ngjitur në nivelet më të larta të disa dekadave, në shumë vende, ndërkohë që parashikimet e rritjes ekonomike po përkeqësohen me shpejtësi.

Mundësia e rikthimit të stagflacionit ngjall frikë tek politikëbërësit, sepse ka pak mjete monetare për ta trajtuar atë. Rritja e normave të interesit mund të ndihmojë në uljen e inflacionit, por rritja e kostove të huamarrjes do të ulte më tej rritjen ekonomike. Ndërkohë, mbajtja politikave monetare të lirshme, rrezikon të rrisë çmimet.

Shumica e analistëve dhe ekonomistëve, përfshirë FMN-në, nuk presin një ripërsëritje të ditëve të këqija të viteve 1970 – një dekadë rënieje ekonomike, që shkaktoi dhimbje si për familjet ashtu edhe për bizneset. Inflacioni nuk është ende aq i lartë sa ishte atëherë; më shumë banka qendrore janë sot të pavarura; dhe mbështetja fiskale po mbron më të prekurit.

Por, ashtu sikurse jehona e krizës së naftës u ndje në të gjithë ekonominë globale në vitet 1970, po ashtu goditja e dyfishtë e pandemisë dhe luftës ka shkaktuar presion të paparë mbi furnizimin me mallra dhe shërbime në mbarë botën.

Edhe përpara se lufta të shpërthente në Ukrainë, çmimet ishin rritur në nivelet më të larta në disa dekada në shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe eurozonën, pasi pandemia ndërpreu zinxhirët e furnizimit, rriti kërkesën për mallra dhe rezultoi në politika monetare lehtësuese, si dhe stimuj fiskalë.

Lufta vetëm sa i përkeqësoi këto probleme. Rusia dhe Ukraina prodhojnë sasi të mëdha të furnizimit global të gazit, naftës, grurit, plehrave dhe materialeve të tjera, duke i rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve, veçanërisht në Evropë.

Kjo është “goditja më e madhe e mallrave që kemi përjetuar që nga vitet 1970”, thotë Indermit Gill, nënkryetar i Bankës Botërore për rritjen e barabartë, financat dhe institucionet. Në rast të një lufte të zgjatur, ose sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, “çmimet mund të jenë edhe më të larta se sa parashikohet aktualisht”, shton ai.

Parashikimet duken të frikshme. Konsensusi tani është që rritja ekonomike globale do të jetë mesatarisht vetëm 3.3 për qind këtë vit, nga 4.1 që pritej në janar, para luftës. Inflacioni global parashikohet në 6.2 për qind, 2.25 pikë përqindjeje më i lartë se parashikimi i janarit. Po kështu, FMN-ja uli parashikimin e saj për 143 ekonomi këtë vit – që përbën 86 për qind të prodhimit të brendshëm bruto global.

Stagflacioni ka rëndësi sepse pak ekonomistë bien dakord se si ta ndalojnë, pasi të ketë filluar. Ai gjithashtu shkakton dhimbje të mëdha, potencialisht afatgjata për bizneset dhe familjet e klasës së mesme dhe me paga më të ulëta. “Në aspektin ekonomik, rritja ekonomike është në rënie dhe inflacioni është rritur,” thotë Kristalina Georgieva, drejtoreshë në e FMN. “Në aspektin njerëzor, të ardhurat e njerëzve janë ulur dhe vështirësitë janë rritur.”

Batica mbarëbotërore

Goditja stagflacioniste e vitit 2022 është vërtet globale, me pritshmëri të ndryshme rritjeje dhe inflacioni në shumicën e vendeve, me shumë faktorë të ndryshëm që përkeqësojnë trendin në mënyrë të sinkronizuar.

Vend pas vendi, tendenca të ngjashme mund të shihen në zhvillim e sipër – një rritje e papritur e çmimeve dhe rënie e aktivitetit gjatë muajve të fundit – ndërsa pritshmëritë për fundin e vitit përkeqësohen.

Në të gjithë Azinë, parashikimet të rritjes së fortë ekonomike, janë rishikuar për shkak të erërave të kundërta që shkaktoi lufta në Ukrainë, dhe ndërprerjeve të furnizimit, si dhe kërkesës më të dobët, që rezultojnë nga izolimet e reja në Kinës dhe politika e Xi Jinping për zero-Covid.

Inflacioni është më i ulët në Azi sesa në vendet e tjera, por ai po rritet pas rritjes globale të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Në Korenë e Jugut, për shembull, çmimet e konsumit arritën nivelin më të lartë 10-vjeçar në mars.

Në disa vende të Amerikës Latine, veçanërisht në Brazil, shtrëngimi agresiv i politikës monetare i miratuar për të zbutur inflacionin në rritje, ka rezultuar në një perspektivë ekonomike të përkeqësuar. Komisioni Ekonomik i OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet rishikoi perspektivat e rritjes për rajonin, duke paralajmëruar për një “nyje komplekse” sfidash, të lidhura me luftën në Ukrainë.

Pavarësisht se është e kufizuar në Evropë, efektet e luftës “po ndihen në mbarë botën pasi rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve po ndjehet tek më të prekurit, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme”, tha David Malpass, president i Bankës Botërore.

Por çuditërisht tronditja ekonomike e luftës po ndihet më fort në Evropë, veçanërisht në ato vende që varen shumë nga nafta dhe gazi rus.

Rajoni evropian në tërësi është shumë i prekshëm nga ndërprerjet e furnizimit me energji, ku 40 për qind e gazit në BE vjen nga Rusia. Çmimet e energjisë për konsumatorët u rritën që në mars, teksa besimi i bizneseve dhe konsumatorit pësoi goditje. Shumë ekspertë paralajmërojnë se një ndalim i blerjes së gazit rus nga BE, do të shkaktonte një nga recesionet më të thella të dekadave të fundit në Gjermani dhe në eurozonë.

Veprimet hakmarrëse ruse mbi eksportet e energjisë janë gjithashtu një kërcënim për perspektivën ekonomike të rajonit, gjë kjo pjesërisht e realizuar kur gjigandi shtetëror i energjisë, Gazprom tha se do të ndërpresë furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë.

“Nëse Moska ndalon papritur rrjedhën e gazit të saj natyror në Gjermani dhe ekonomi të tjera të BE-së, Evropa do ta gjejë veten përballë një krize të re ekonomike, që ashtu si kriza e euros e viteve 2011-12, apo kriza e Covid e vitit 2020, mund të përbëjë sërish një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e monedhës së përbashkët”, thotë Tom Holland në Gavekal Research.

Edhe pa ndërprerjet e gazit, rritja në eurozonë u ngadalësua me vetëm 0.2 për qind në tremujorin e parë, ndërsa inflacioni u rrit në një nivel rekord prej 7.5 për qind. “Ky do të jetë një vit stagflacioni” në eurozonë, thotë Andrew Kenningham, kryeekonomist për Evropën në Capital Economics. “Çmimet më të larta të energjisë do ta mbajnë inflacionin të lartë, do të shtrydhin të ardhurat e familjeve dhe do të dëmtojnë besimin e biznesit.”

Gjermania është ndër vendet më të goditura, me sektorin e saj prpodhues thellësisht të varur nga energjia, dhe ekonominë e orientuar nga eksporti. Gjatë gjashtë muajve të fundit, ekonomistët kanë përgjysmuar parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2022 për Gjermaninë, ndërsa pritshmëritë për inflacionin janë tre herë më të larta.

Jashtë BE-së, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu vuan nga presione të ngjashme të çmimeve të energjisë dhe rritjes së rrafshët për këtë vit, pas asaj që parashikohet të jetë rënia më e madhe e të ardhurave reale që nga fillimi i regjistrimeve në vitet 1950.

Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e larta të mallrave të importit shoqërohen me një treg pune me shumë boshllëqe, gjë që rrit perspektivën e një inflacioni të lartë më të qëndrueshëm. Shkalla e papunësisë në Mbretërinë e Bashkuar është në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve 1970, dhe vendet e lira të punës janë më të lartat në histori, duke rrezikuar një “spirale paga-çmim”, ku kërkesat për paga më të larta, i shtyjnë çmimet gjithnjë e më lart.

“Ky kombinim i goditjeve të ofertës dhe një tregu të shtrënguar të punës tenton të na shkaktojë më shumë një problem [të inflacionit të vazhdueshëm]”, tha Andrew Bailey, guvernatori i Bankës së Anglisë, në një intervistë për Financial Times këtë muaj.

Por janë SHBA që përballen me “rrezikun më të madh të inflacionit dramatik dhe spiralen e çmimeve-pagave”, thotë Anatole Kaletsky, ekonomist në kompaninë kërkimore të investimeve Gavekal. Inflacioni arriti në 8.5 për qind në mars dhe investitorët presin që ai të rritet edhe më shumë. Ekonomia u tkurr në mënyrë të papritur në tremujorin e parë, duke sfiduar parashikimet.

Tregu i punës në SHBA, ndërkohë, është më i “mbinxehuri” në historinë e pasluftës, me mbi 5 milionë më shumë vende të lira pune sesa punëtorë të papunë, sipas Daan Struyven, ekonomist në Goldman Sachs.

Natyra e “mbinxehur” e tregut të punës, tha ish-sekretari i Thesarit Larry Summers në një analizë të fundit, sugjeron “që të ketë shumë pak gjasa që Rezerva Federale të mundet të ulë inflacionin, pa shkaktuar një ngadalësim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik”.

Struyven vëren se shenjat e tregjeve të shtrënguara të punës janë të dukshme në shumicën e vendeve anglishtfolëse të G10, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë.

Shëndeti i tregut të punës ndikon në atë që politikëbërësit pritet të bëjnë për inflacionin e lartë, gjë që nga ana tjetër ndikon në kostot e huamarrjes dhe standardet e jetesës.

Presionet më të forta të çmimeve të brendshme që vijnë nga rritja e pagave dhe inflacioni bazë më i lartë, që është norma e inflacionit duke zbritur energjinë dhe ushqimin, kanë nxitur pritshmëritë për rritje të shumëfishta të normave në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Parashikohet që norma e interesit në SHBA të jetë 1.5 për qind në qershor, duke nënkuptuar një rritje me gjysmë pike në secilën nga dy mbledhjet e ardhshme. 

Banka e Anglisë pritet gjithashtu të rrisë normat për të katërtën herë radhazi në mbledhjen e radhës, më 5 maj, në 1 për qind, pasi vendi përballet me ritmin më të shpejtë të inflacionit në 30 vjet. Tregjet presin rritje të mëtejshme në 2 për qind deri në fund të vitit.

Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane nuk i ka rritur normat në më shumë se një dekadë nga minus 0.5 përqind aktuale, pavarësisht se ka norma të ngjashme të inflacionit total me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, që është gjithashtu më e larta në historinë e monedhës së përbashkët.

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, tha kohët e fundit se SHBA dhe Evropa “po përballen me një bishë të ndryshme”. Në Amerikë, është tregu i mangët i punës që rrit çmimet. Në Evropë, është rritja e kostove të energjisë.

“Nëse i rris normat e interesit sot, nuk do të ulen çmimin e energjisë”, tha Lagarde. Por edhe në eurozonë, rritja e jashtëzakonshme e inflacionit bëri që tregu të parashikonte një rritje të normës nga BQE, deri në fund të vitit.

Perspektiva globale “për shtrëngimin monetar është rritur ndjeshëm, si dhe potenciali për stagflacion”, thotë Fitch, kompania e vlerësimit të kredive.

Kthimi pas i orës

Pyetja tani është se sa do të zgjasë kjo tronditje stagflacioniste – dhe nëse një rënie e zgjatur, e ngjashme me atë të viteve 1970 është ende një mundësi.

Në atë kohë, inflacioni u rrit në norma dyshifrore për gati një dekadë, pas një rritjeje të madhe të çmimeve të naftës, pasi vendet arabe eksportuese të naftës ndaluan eksportet drejt shumë vendeve perëndimore, si ndëshkim për ofrimin e ndihmës për Izraelin gjatë luftës së Yom Kipur-it.

Inflacioni i lartë i vazhdueshëm i shtyu normat e papunësisë në nivele të larta në shumë ekonomi të përparuara, duke lënë pas bumin e viteve të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa rritjet e forta të çmimeve të mallrave sot, u bëjnë jehonë atyre në vitet 1970, ka shumë ndryshime nga ajo periudhë. Shumë ekonomistë presin që inflacioni të ngadalësohet vitin e ardhshëm, duke theksuar se varësia e botës nga lëndët djegëse fosile, është më e ulët sot.

Familjet tani mund të zbutin goditjen e kostove më të larta të energjisë, me kursimet e grumbulluara gjatë pandemisë. Shumë ekonomi, kryesisht ato të pasura, kanë marrë masa për të mbrojtur grupet më të prekura nga goditja e rritjes së çmimeve, duke përfshirë subvencionimin e kostove të karburantit dhe energjisë.

Megjithatë, tendencat e tjera janë një burim shqetësimi si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për inflacionin, duke shkaktuar një perspektivë shumë të pasigurt.

Ndërsa rritja e çmimit të naftës mund të jetë më e vogël se në atë kohë, rritja e çmimit të gazit ka qenë e shpejtë dhe ka qenë mjaftuar për të shtyrë rritjen e çmimeve të prodhimit në Gjermani, në ritmet më të larta, që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1949, dhe dyfishin e ritmit të viteve 1970.

Megjithëse pagat nuk indeksohen më me inflacionin siç ndodhte në vitet 1970, tregjet historikisht të shtrënguara të punës në SHBA dhe Evropë rrisin rrezikun që inflacioni të rrënjoset më shumë në ekonomi. Çfarëdo që të ndodhë me çmimet e mallrave në një afat të shkurtër, “problemi kryesor mbetet se inflacioni i lartë ka të ngjarë të kapë shkallën e qëndrueshme që u pa në vitet 1970, nëse ndodhin spirale çmime-pagave,” thotë Vicky Redwood, ekonomiste në Capital Economics.

Parashikimet mund të jenë gjithashtu tepër optimiste. Të dhënat ekonomike shpesh kanë zhgënjyer pritshmëritë dhe “rritja [këtë vit] mund të ngadalësohet më shumë se parashikimi dhe inflacioni mund të dalë më i lartë se sa pritej”, thotë FMN.

Më shumë banka qendrore janë të pavarura dhe besueshmëria e politikës monetare në përgjithësi është forcuar gjatë dekadave, por rritja e normave të interesit dëmton bizneset dhe familjet, në një kohë kur ata tashmë shohin që të ardhurat e tyre reale po gërryhen nga rritja e çmimeve.

Me nivelet e borxhit privat dhe publik në nivelet më të larta historike në raport me PBB, “bankierët në bankat qendrore nuk mund të shkojnë shumë larg me normalizimin e politikave, pasi rrezikojnë një përplasje financiare në tregjet e borxhit dhe kapitalit”, paralajmëron Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë dhe biznesit ndërkombëtar në Shkollën e Biznesit të Universitetit Stern, New York.

Është gjithashtu e mundur, shton Silvia Dall’Angelo, ekonomiste në kompaninë e menaxhimit të investimeve Federated Hermes, që pandemia dhe lufta në Ukrainë “kanë katalizuar disa ndryshime strukturore duke përmbysur disa nga forcat që shkaktuan dezinflacion në dekadat e mëparshme”, duke përfshirë globalizimin.

Rezultati është se parashikimet globale të inflacionit po rishikohen për vitin e ardhshëm, ndërkohë që pritshmëritë për rritjen ekonomike po përkeqësohen. Nëse këto ndodhin, kjo do të sillte një erozion të fitimeve të biznesit dhe fuqisë blerëse të familjeve për një kohë më të gjatë, me inflacionin e lartë që prek më së shumti familjet me të ardhura më të ulëta.

“Mund të mos jetë tamam si në vitet 1970,” thotë Luigi Speranza, kryeekonomist global në BNP Paribas Markets 360, “por do të ndihet gjithësesi si një stagflacion”. / Alan Smith – Financial Times

Në shqip nga bota.al

Back to top button