Udhetim & Turizem

UDHËTIM / Italia, atmosferat magjike nga veriu në jug

Gastronomia, artizanati, dekorimet. Nga Veriu në Jug, një udhëtim në tregjet tipike për të zbuluar shijet lokale. Të mbështjellë nga ngrohtësia e festave

Kala të magjepsura, fshatra të vegjël ku ringjallen traditat e vjetra të Festave… Në Govone, Asti dhe San Damiano d’Asti, “Fshati Magjik i Krishtlindjeve” ka marrë çmimin si tregu më romantik i Europës për vitin 2024 nga “European Best Destinations,” dhe vizitat e vitit të kaluar shënuan një rritje prej 91 për qind, krahasuar me edicionin e mëparshëm.

Qendra e vogël e Govones ndodhet në majë të një kodre në Roero, ku spektaklet, aktivitetet dhe ekspozitat i japin jetë Kalasë Mbretërore, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, e cila shtrihet mbi vreshta dhe është rrethuar nga një kopsht i mrekullueshëm italian i zbukuruar me drita festive. Duke ndjekur itinerarin e tregut të shpërndarë, mund të mbërrini në Asti, vetëm disa kilometra larg: një shëtitje midis kullave mesjetare, katedrales së Santa Maria Assuntas dhe pallateve elegante të çon në sheshin Alfieri, ku ndodhen 130 kasolle druri, dhe aromat e gështenjave të pjekura, vin brulé dhe çokollatës së ngrohtë mbushin ajrin.

Duke shëtitur në rrugët e fshatit të lashtë të Rangos, në pjesën e lartë të Gardës, duket sikur je pezull në një kohë të largët. Notat e muzikantëve të veshur bukur përhapen mes rrugicave me gurë të këtij cepi rural të Trentos. Në sheshet e fshatit, polenta e ngrohtë gatuhet në tenxhere të mëdha bakri; mund të futesh në galeritë e vogla nën shtëpitë e zbukuruara me misra dhe qëndisma, ku takon fermerë dhe artizanë vendas.

QIRINJ DHE KËNGË

Lojërat me drita, lodrat dhe aromat e kanellës e bëjnë magjike periudhën e Lindjes në Trentino-Alto Adige. Në Trento organizohen dy tregje që janë të arritshme me tren, falë linjës së posaçme të Trenord-it, që këtë vit, nga Milano, arrin deri në Bolzano. Në sheshin Fiera dhe sheshin Cesare Battisti mund të shijosh bukuri dhe ushqime të paharrueshme. Duhet të provoni canederli-t e gatshme dhe salsiçet e shijshme.

Në rrugët e qendrës mesjetare të Brunico-s gjithçka ndriçon: dekorime skenografike dhe këngë tradicionale nga Alphornbläser, boritë alpine të Val Pusteria-s, që jehojnë në çdo cep. Peizazhi i mbuluar nga bora në Plan de Corones, me 121 kilometra pista dhe 31 teleferikë, krijon një kornizë të mrekullueshme për këtë atmosferë festive.

NË TRENIN E RENON-IT

Kopshtet e Castel Trauttmansdorff-it me instalimet e tyre artizanale janë një atraksion në Merano, ku mund të eksplorosh kasollet e drurit përgjatë Passirio-s pas një pushimi relaksues në banjot termale aty pranë. Muzika dhe traditat janë përbërësit e Krishtlindjeve në Bolzano, ku zhvillohen më shumë se 130 koncerte në vende të ndryshme. Për një eksperiencë unike, duhet marrë teleferiku për të mbërritur në Renon. Tregu aty është intim, me një atmosferë të veçantë.

SHIJA E MJALTIT

Një tjetër përrallë dimri ndodhet në Val Gardena. Në Ortisei mund të rezervoni një nga Lodenlounges për të shijuar specialitete lokale. Në Selva, “Krishtlindjet Malore” e sjellin shpirtin e alpeve në fshat, me kabinat prej druri të teleferikut të varura si dekorime. Në Chiusa, fshati i bukur i Valle Isarco-s, tregu i Krishtlindjes zgjatet mes rrugicave të ngushta dhe kantinave të vjetra.

Më në jug, në Alberobello, humbet mes trullive të zbukuruar, ndërsa aroma e ëmbëlsirave dhe pjatave tradicionale mbush ajrin. Ndalesa përfundimtare: Napoli, në zemër të Spaccanapolit, ku arti i ndërtimit të skenave të Krishtlindjeve mbizotëron gjithë vitin, por në dhjetor të lë pa fjalë. / bota.al

Back to top button