Vladimir Putini zbulon se sa pranë Luftës së TretBër Botërore ishim në Ukrainë
Vladimir Putini ka thënë se Rusia i druhej kaq shumë një sulmi në kulmin e krizës së Ukrainës, saqë po përgatitej të përdorte armë bërthamore, në disa deklarata të jashtëzakonshme të transmetuara në televizionin shtetëror të dielën mbrëma.
Mes spekulimeve mediatike se Presidenti po e shihte dokumentarin për Krimenë i sëmurë në shtrat, intervista e plotë e Putinit për Rossyia One ofroi të dhëna të reja në lidhje me përfshirjen e vendit të tij në aneksimin e gadishullit në Detin e Zi.
Në dokumentar, i cili u transmetua plot një vit pasi Rusia mori kontrollin e Krimesë, revolucioni ukrainas për rrëzimin e Janukovicit përshkruhet si një grusht shteti i armatosur “i nxitur prej miqve tanë amerikanë”.
Ai tha se Uashingtoni ishte përpjekur “t’ia hidhte” botës duke e bërë të mendoje se ndryshimi i regjimit “mbështetej kryesisht nga europianët”, sipas përkthimit të intervistës tek Russia Today.
Por në vend të kësaj, ai akuzoi SHBA se kishte orkestruar krizën, duke thënë: “Ata ndihmuan në stërvitjen e nacionalistëve, grupeve të tyre të armatosur, në Ukrainën Perëndimore, në Poloni dhe deri në një farë mase, edhe në Lituani. Ata e lehtësuan grushtin e armatosur të shtetit”.
Putini vazhdoi më pas me komente që i paraprinë dokumentarit të plotë, se forcat e mirëarmatosura të njohur si “burrat e vegjël të gjelbër” që ndihmuan për realizimin e referendumit në Krime ishin në të vërtetë ushtarë rusë.
Ai zbuloi gjithashtu se, si pjesë e operacionit për marrjen e kontrollit të gadishullit, Rusia dërgoi raketa mbrojtëse K-300P Bastion, duke i vendosur në një mënyrë “që të dukeshin qartë nga hapësira”, si një mjet frenues ushtarak ndaj atij që shihej si sulm i afërt nga perëndimi.
Dhe në lidhje me gatishmërinë e Rusisë për të përdorur armë bërthamore nëse do të ishte e nevojshme, Putini tha: “Ne ishim gati ta bënim këtë gjë… Krimea është territori ynë historik. Këtu jetojnë rusë. Ata ishin në rrezik. Ne nuk mund t’i braktisim”.
Dokumentari ka ardhur në një kohë kur po rriten spekulimet për mungesën 10-ditore të Putinit nga sytë e publikut. Pas një numri takimesh të anuluar gjatë javës që kaloi, televizioni shtetëror opozitar Dozhd thuhet se ka përmendur burime anonimë të dielën, sipas të cilëve Putini po merrte veten pas një gripi të rëndë, në një nga vilat e tij në periferi të Moskës.
Një tjetër gjë që Putini pranoi në dokumentar, i cili titullohej “Krimea: Rruga e kthimit në shtëpi”, ishin se ai kishte urdhëruar ministrinë e mbrojtjes që të dërgonte njësitë elitë në Krime “nën mbulimin e mbrojtjes së zonave tona ushtarake”.
www.bota.al