Të ngrejë dorën kush nuk e ka kërkuar kurrë emrin e vet në Google, të paktën një herë, për të parë sa (dhe cilat) rezultate dalin. Mund të mbetesh i habitur nga volumi i informacionit që gjendet për ty, deri në atë pikë sa, në të kaluarën – për të ndërgjegjësuar njerëzit për rrezikun që vjen nga mospërkujdesja ndaj privatësisë online – janë kryer një sërë hetimesh gazetareske që kanë treguar sa e lehtë është të gjesh të dhëna për një përdorues të pakujdesshëm: nga numri i telefonit (i abuzuar nga rrjetet e telemarketingut) deri te adresa e shtëpisë, e deri te informacionet për shijet dhe interesat, që janë të çmuara për botën e reklamave.
Nëse kjo ide mund të duket shqetësuese, ka një lajm të mirë. Google ofron mjete për të hequr një sasi të madhe të dhënash nga rezultatet e kërkimit të tij. Nuk bëhet fjalë për t’u fshirë nga interneti – një punë më komplekse – por për një hap të parë të dobishëm për t’u bërë më pak të gjurmueshëm.
Google, në fakt, lejon heqjen e informacionit personal që mund të na ekspozojë ndaj rreziqeve, si p.sh. përveç numrit të telefonit dhe adresës, edhe të dhëna bankare, firma dixhitale dhe madje dokumente mjekësore. Mund të kërkohet gjithashtu heqja e lidhjeve të vjetra ose e përmbajtjeve të publikuara pa miratimin tonë, megjithëse jo gjithçka mund të hiqet.
Nëse, për shembull, emri ynë shfaqet në një artikull kronike ose në një postim në një forum publik, Google nuk do të ndërhyjë, pasi qëllimi i mjetit të vënë në dispozicion është mbrojtja e privatësisë, jo rishkrimi ose censurimi i informacionit publik.
KËRKESA ONLINE
Nisja e procedurës – aktualisht e disponueshme vetëm në gjuhën angleze – është shumë e thjeshtë. Fillimisht duhet të kërkoni emrin tuaj në Google, të klikoni mbi tre pikat pranë rezultatit të padëshiruar dhe të zgjidhni opsionin “request removals” (kërko heqjen). Më pas, do të duhet të specifikoni arsyen e kërkesës: fshirjen e një të dhëne të ndjeshme, korrigjimin e një informacioni të pasaktë apo heqjen e një përmbajtjeje të vjetruar.
Në mënyrë alternative, në pritje që shërbimi të jetë i disponueshëm edhe në versionin shqip, mund të hyni drejtpërdrejt në faqen e mbështetjes së Google dhe të klikoni mbi “Start removal request” (Nis kërkesën për heqje). Një formular do ta udhëheqë përdoruesin hap pas hapi. Duhet ditur, megjithatë, se nëse kërkesa për heqje bëhet për një shkelje ligjore, si rasti i shpifjes apo i shkeljes së të drejtave të autorit, procesi do të zgjasë pak më shumë.
ÇFARË NDODH MË PAS
Pas dërgimit të kërkesës, Google do të na informojë me email për rezultatin e procesit.
Nëse rasti pranohet, brenda pak ditësh rezultati nuk do të jetë më i dukshëm. Por, kujdes: kjo nuk do të thotë që informacioni do të zhduket nga interneti. Të dhënat do të mbeten në faqen që i ka publikuar, prandaj kushdo që ka lidhjen (linkun) mund t’i gjejë ende, edhe pse nuk do të shfaqen më në një kërkim në motorin – që sipas të dhënave të fundit të janarit 2025 – përdoret nga 81,95% e përdoruesve në botë.
Për një fshirje përfundimtare të të dhënave personale, duhet të kontaktoni drejtpërdrejt faqen përkatëse, megjithatë, fakti që nuk shfaqeni më në rezultatet e Google është një hap i parë i rëndësishëm që ndihmon për të mbrojtur privatësinë dhe për ta bërë praninë tuaj online shumë më diskrete. / bota.al