Është një nga pyetjet e para që lind kur dëgjojmë mbi variantet e ndryshuara të virusit: A do të bjerë efektiviteti i vaksinave? Së bashku me pyetjen tjetër:A do të jenë më infektivë këto variante të reja?
Për momentin në shqyrtim janë 2 variantet e Sars-Cov-2, ai i gjurmuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe zbulimi më i fundit në Afrikën e Jugut, të cilat gjithashtu përfshijnë proteinën e jashtme të koronavirusit, kundër së cilës veprojnë edhe vaksinat e zhvilluara deri tani.
Ne ende nuk e dimë me siguri nëse këto variante mund ta reduktojnë pjesërisht mbrojtjen që ofrojnë vaksinat, edhe pse nga studimet e para për variantin e zbuluar në Britani (dhe më pas në shumë vende të tjera), shkencëtarët besojnë se ka një probabilitet të mirë që vaksina nuk do t`a humbasë efektivitetin e saj.
Ideja është që vaksinat e zhvilluara deri më tani, dhe disa prej të cilave tashmë po shpërndahen, e ndihmojnë sistemin imunitar që të synojë pjesë të ndryshme të proteinës që e rrethon nga jashtë virusin. Për më tepër, edhe nëse ka një rënie të efektivitetit të vaksinave aktuale, prodhuesit farmaceutikë pretendojnë se janë në gjendje t’i ndryshojnë ato me shpejtësi, duke ia përshtatur ndryshimeve të vërejtura.
Aktualisht në Evropë dhe në Itali, vaksina që po përdoret është ajo e Pfizer-Biontech, edhe pse Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) miratoi të mërkurën edhe përdorimin e vaksinës së kompanisë Moderna. Pas zbulimit të variantit të ri të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, i quajtur me akronimin B117, kompania Biontech deklaroi, se edhe pse nuk ka siguri, në një nivel teorik shkencor është “shumë e mundshme” që përgjigja imune e stimuluar nga vaksina Pfizer-Biontech t’i përshtatet edhe variantit të ri B117.
Por përveç teorisë, ekziston edhe praktika. Aktualisht kompanitë farmaceutike po testojnë në laborator efektivitetin e vaksinave kundër varianteve të reja. Dhe kjo mund të zbatohet gjithashtu për vaksinat e tjera. Edhe kompania AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën e saj së bashku me Universitetin e Oksfordit njoftoi se vaksina Oxford-Astrazeneca, ka të ngjarë të jetë efektive edhe kundër variantit B117.
Dhe i njëjti qëndrim vjen nga kompania farmaceutike Moderna, vaksina e së cilës bazohet në të njëjtën teknologji si ajo e Pfizer-Biontech. Normalisht kur një virus përhapet gjerësisht në një popullatë, ka shumë variacione që shfaqen në kopje të shumta.
Në shumicën e rasteve, ato janë mutacione që nuk ndryshojnë funksionin e virusit dhe situatën. Për shembull, që nga 16 dhjetori ka rreth 4 mijë mutacione të Sars-Cov-2, veçanërisht tek proteinat e jashtme, të zbuluara në faza të ndryshme që prej fillimit të pandemisë e deri më sot. Por gati të gjitha ato përbëhen nga variacione të parëndësishme dhe jo shqetësuese.
Dy variantet e zbuluara në Britani dhe Afrikën e Jugut, janë paksa të ndryshme nga variantet e tjera të virusit, pasi ato mund t`a bëjnë atë më infektiv. Në fakt, ato veprojnë tek një pjesë e proteinës, që gjithashtu mund të ndikojë në lidhjen me receptorin e qelizës Ace2 (përmes së cilës ndodh kontakti midis virusit dhe qelizave tona), dhe për këtë arsye shumimi i virusit.
Në rastin e variantit B117, flitet për një rritje të transmetueshmërisë deri në masën 70 për qind. Por një artikull në revistën shkencore “JAMA”, thotë se vaksinat aktuale janë ndërtuar në një mënyrë të tillë që të nxisin një përgjigje imune, e cila mbulon të gjithë proteinën dhe jo vetëm pjesën e prekur.
Prandaj, thekson artikulli, vaksinat mund t`a mbulojnë gjithashtu edhe B117, si dhe mutacionin e ri, të gjurmuar në Afrikën e Jugut dhe të quajtur 501.V2. Po sikur vaksinat të bëhen më pak efektive me kalimin e kohës?Por edhe përballë këtyre vëzhgimeve teorike, vigjilenca mbetet e lartë. Kjo pasi nuk jemi absolutisht të sigurt që këto mutacione nuk do të ndikojnë tek vaksinat tani apo edhe në të ardhmen.
Për shembull, kompanitë farmaceutike Pfizer dhe Biontech, theksuan se janë në gjendje t`a ndryshojnë shpejt vaksinën e tyre, dhe se “në parim bukuria e teknologjisë mRna,mbi të cilën bazohet edhe vaksina e Moderna, është që ne mund të nisin të zhvillojmë një vaksinë që e imiton plotësisht këtë mutacion të ri, dhe mund ta prodhojmë atë brenda 6 javëve”, dhe procesi i autorizimit mund të jetë më i shkurtër. / Wired – Bota.al