Analiza

A është ende e mundur diplomacia ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit?

Nga Richard Haass

“Project Syndicate”

Gjatë më shumë se dy muajve të fundit, kur ka pasur një fokusi shumë të madh të medias ndaj luftës në Ukrainë, një ngjarje mbeti kryesisht e anashkaluar. Në fundin e muajit prillit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kryen një shkëmbim të burgosurish.

Rusia liroi një amerikan (ish-marins), të cilin e arrestoi dhe burgosi rreth 3 vjet më parë, ndërsa SHBA-ja liroi një pilot rus të burgosur mbi një dekadë më parë me akuzën e trafikut të drogës. Ajo që e bën të rëndësishëm këtë shkëmbim, është se ai ndodhi në një kohë kur pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia, i ka degraduar marrëdhëniet me SHBA-në në pikën e tyre më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

SHBA-ja ka zgjedhur ta shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake në këtë luftë, por po bën shumë për të ndikuar në trajektoren e saj, përfshirë furnizimin e Ukrainës me sasi të mëdha armësh, me të dhënat nga shërbimet e saj sekrete, dhe një trajnim gjithnjë e më të avancuar, në mënyrë që ushtria ukrainase t’i rezistojë me sukses dhe potencialisht të mposhtë forcat ruse.

Po ashtu SHBA-ja ka ndërmarrë hapa për të forcuar NATO-n, dhe për të vendosur sanksione të forta ekonomike ndaj Rusisë. Lufta ka të ngjarë të zgjasë edhe për disa kohë. Edhe pse interesi themelor i Ukrainës është t’i japë fund luftës sa më parë, për të parandaluar më shumë viktima dhe shkatërrime, dëshira e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për paqe është e kushtëzuar.

Ai kërkon të rimarrë territorin që ka pushtuar deri tani Rusia, dhe të sigurojë respektimin e sovranitetit të vendit, në një mënyrë që Ukraina të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Zelensky dëshiron nxjerrjen përpara drejtësisë të gjithë atyre zyrtarëve dhe ushtarëve rusë që janë përgjegjës për krimet e luftës.

Nga ana e tij presidentit rus Vladimir Putin, i duhet të arrijë një rezultat që justifikon pushtimin e tij të kushtueshëm, që të mos duket i dobët dhe të sfidohet në shtëpi. Ka pak shanse që të mund të negociohet një paqe, e cila do të mbyllte hendekun midis këtyre dy pozicioneve në dukje të papajtueshme.

Dhe ka shumë më tepër gjasa që konflikti të vazhdojë, jo vetëm për disa muaj, por edhe për vitet në vijim. Ky do të jetë edhe sfondi i marrëdhënieve të SHBA-së dhe Perëndimit me Rusinë. Një opsion për Perëndimin, do të ishte lidhja e të gjithë marrëdhënieve me Rusinë me veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Megjithatë, kjo qasje do të ishte e gabuar, pasi Rusia mund të ndikojë mbi interesat e tjera perëndimore, si kufizimi i aftësive bërthamore dhe raketore të Iranit dhe Koresë së Veriut, dhe suksesin në përpjekjet globale për të kufizuar emetimet e gazeve serrë në atmosferë, që shkaktojnë ndryshimet klimatike.

Lajmi i mirë është se ashtu siç e tregon shkëmbimi i të burgosurve, dallimet e mëdha mbi Ukrainën, nuk duhet të përjashtojnë kryerjen e një biznesi të dobishëm reciprokisht, nëse të dyja palët janë të gatshme ta bëjnë këtë. Por mbrojtja e mundësisë së bashkëpunimit selektiv, do të kërkojë një diplomaci të sofistikuar dhe të disiplinuar.

Së pari, SHBA dhe partnerët e saj duhet t’i japin përparësi, dhe madje të kufizojnë qëllimet e tyre në Ukrainë. Kjo nënkupton heqjen dorë nga diskutimet për ndryshimin e regjimit në Moskë. Ne duhet të merremi me Rusinë që kemi, jo me atë që do të preferonim.

Pozicioni i Putinit mund të sfidohet nga brenda (ose ai mund t’i nënshtrohet sfidave shëndetësore, për të cilat është raportuar shpesh). Por Perëndimi nuk është në gjendje të projektojë largimin e tij nga pushteti, dhe aq më pak të sigurojë që ta zëvendësojë dikush që është më i mirë se ai.

Po kështu, qeveritë perëndimore do të tregoheshin të zgjuara nëse do t’i shtynin bisedimet për ngritjen e Gjykatës për Krimet e luftës për zyrtarët e lartë rusë, dhe të mos mburren më për ndihmën e dhënë ndaj Ukrainës për eliminimin e gjeneralëve të lartë dhe anijeve kryesore të marinës ruse.

Lufta dhe hetimet janë në vazhdim, dhe rusët duhet të shohin ndonjë përfitim nga të vepruarit në mënyrë më të përgjegjëshme. E njëjta gjë vlen edhe për dëmshpërblimet e luftës. Ngjashëm, megjithëse Rusia ka të ngjarë të jetë më keq ekonomikisht dhe ushtarakisht si rezultat i fillimit të kësaj lufte të paprovokuar, qeveria amerikane duhet ta bëjë të qartë, në kundërshtim me deklaratat e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, se qëllimi i Amerikës nuk është ta përdorë luftën për të dobësuar Rusinë.

Përkundrazi, Uashingtoni duhet të nënvizojë, se dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, me kushte që pasqyrojnë statusin sovran dhe të pavarur të Ukrainës. Sa i përket luftës në Ukrainë, Perëndimi duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Ukrainën, dhe të parandalojë përshkallëzimin e situatës, duke shmangur luftimet e drejtpërdrejta.

Gjithsesi, Kremlini duhet të kuptojë se ky frenim synon mos-zgjerimin e luftës në ndonjë vend të NATO-s apo mospërdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, teksa këto të fundit do të zhduknin edhe kufijtë e vetë-imponuar të Perëndimit, për të mos u angazhuar direkt në këtë luftë.

Po ashtu, Perëndimi duhet t’i trajtojë me kujdes qëllimet e tij në këtë luftë, ashtu si edhe mënyrën se si planifikon t’i ndjekë ato. Synimi duhet të jetë që Ukraina të kontrollojë të gjithë territorin e saj, por kjo nuk justifikon domosdoshmërisht përpjekjen për të çliruar Krimenë apo edhe të gjithë rajonin lindor të Donbasit nëpërmjet forcës ushtarake.

Disa nga këto qëllime, mund të kërkohen të arrihen më mirë përmes diplomacisë dhe lehtësimit selektiv të sanksioneve. Por derisa të nisë të ndryshojë sjellja e Rusisë, sanksionet jo vetëm që duhet të mbeten në fuqi, por duhet të zgjerohen më tej për të prekur edhe eksportet ruse të energjisë, që po e financojnë makinerinë ruse të luftës.

Diplomacia është një mjet i sigurisë kombëtare që duhet përdorur nga shtetet, dhe jo të shihet si një favor që i bëhet palës kundërshtare. Dhe ajo duhet të vazhdojë të përdoret me Rusinë. Ndaj duhet të rinisin takimet private midis zyrtarëve të lartë civilë dhe ushtarakë të vendeve perëndimore dhe Rusisë, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i një llogaritjeje të gabuar, që mund të çojë në një konfrontim më të madh apo më keq akoma, si dhe për të eksploruar mundësitë për një bashkëpunim të kufizuar.

Mund të ndodhë që marrëdhëniet konstruktive me Rusinë të mos shfaqen deri në një epokë post-Putin. Por në asnjë mënyrë kjo nuk e ndryshon interesin e Perëndimit për mos të lejuar që marrëdhëniet të bien poshtë një niveli të caktuar përkohësisht.

 

Shënim: Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Më parë ka shërbyer si Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit në vitet 2001-2003, dhe ka qenë Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit.

Back to top button