Horizonti.al

A janë pozitive për trurin video-lojërat?

A duhet të luajmë apo jo videolojëra? A i dëmtojnë ato fëmijët, apo përkundrazi, i ndihmojnë në zhvillimin e disa aftësive të trurit ? Mbi këtë çështje është debatuar prej vitesh dhe për të qenë të sinqertë, disa studime kanë arritur në përfundime shumë të ndryshme.

Hulumtimi më i fundit në këtë fushë në Shtetet e Bashkuara, pretendon se fëmijët që janë të pasionuar pas videolojërave kanë një memorie dhe kohë reagimi më të mirë se sa bashkëmoshatarët e tyre.

Studiuesit përdorën të dhënat e mbledhura në Studimin e Zhvillimit Konjitiv të Trurit të Adoleshentëve (ABCD), një nga bazat e të dhënave më të mëdha në botë për studimin afatgjatë të zhvillimit të trurit të fëmijëve dhe adoleshentëve .

Të pasionuarit pas videolojërave kundër gjithë të tjerëve

Studimi përfshiu 2000 fëmijë midis moshës 9 dhe 10 vjeç të ndarë në dy grupe:Ata që luanin të paktën 3 orë në ditë videolojëra, dhe ata që nuk kishin luajtur kurrë. Të dy grupet u testuan për kujtesën afatshkurtër, si dhe për shpejtësinë e reagimit ndaj stimujve. Të gjithë pjesëmarrësit në studim, iu nënshtruan gjatë testit rezonancës magnetike të trurit.

Bader Sharani, autor i studimit, thotë se lojtarët e këtyre lojërave jo vetëm që dolën më mirë në teste, por treguan gjithashtu një aktivizim më të madh të zonave të trurit që janëpërgjegjëse për vëmendjen dhe kujtesën. Studimi nuk u fokusua mbi llojin e videolojërave të përdorura nga fëmijët, edhe pse shumica e tyre thanë se preferonin lojëra aksion dhe me qitje, në vend të lojërave logjike apo kuicet.

Përfundime të nxituara? Xheni Radeski, drejtore e Departamentit të Sjelljes së Fëmijëve në Universitetin e Miçiganit, SHBA, shpjegoi për CNN se si ky hulumtim konfirmon studime të tjera, sipas të cilave luajtja me videolojëra për disa orë në ditë ka efekte pozitive në mirëqenien mendore të njeriut.

Debati vazhdon

Por, përpara se të vraponi për t’u ulur në kompjuter për lojën e radhës, është mirë të mbani mend se siç shpjegon vetë shkencëtarja, puna e Sharan nuk tregon një lidhje shkakësore midis argëtimit me videolojërat dhe performancës më të mirë të trurit. Por vetëm se lojtarët që marrin pjesë në teste, raportuan rezultate më të larta. Gjithsesi debati vazhdon. / bota.al

Back to top button