Nga Gabriele Carrer
“Formiche.net”
Të paktën shtatë fluturime për në Moskë brenda një muaji. Ndërkohë gjatë vitit të kaluar kishte vetëm 2 të tillë. Fjala është për linjën ajrore iraniane Qeshm Fars Air, që ndodhet nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2019.
Ajo kontrollohet nga një tjetër kompani iraniane, Mahan Air, po ashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, për shkak se akuzohet për transportimin e armëve dhe luftëtarëve në Siri në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Pasdaran, që është gjithashtu subjekt i sanksioneve të vendosura nga amerikanët.
Shtimi i papritur i fluturimeve tregtare drejt Moskës, mund të pasqyrojë përpjekjet e Iranit për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë, thotë Emanuele Ottolenghi, bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i cili i ka analizuar me kujdes aktivitetin e kësaj kompanie ajrore.
Ai shkruan se aktivitetet e paligjshme të Qeshm Fars Air “shtrihen ndoshta përtej Sirisë”, ku ajo mbështet milicinë pro-iraniane, Hezbollah, së bashku me udhëheqësin sirian Bashar AlAssad. Ottolenghi përmend fluturimet e shpeshta midis Teheranit dhe Karakasit, në Venezuelë, por edhe midis kryeqytetit iranian dhe atij etiopian, Addis Ababa, që ndodhet në një konflikt të përgjakshëm midis qeverisë qendrore dhe rebelëve Tigrej.
Avionët e transportit të kësaj kompanie kanë bërë ndalesa në Nju Delhi, Makao, Mianmar dhe Taxhikistan. “Raportet sugjerojnë se të paktën në disa nga këto raste, Irani po e përdor këtëlinjë ajrore për të transportuar pajisje ushtarake apo për të ndihmuar partnerët që t’i shmangen sanksioneve. Edhe fluturimet e Qeshm Fars Air drejt Moskës, mund t’i përshtaten këtij modeli”- shton më tej analisti.
Fluturimi i parë i regjistruar, shkruan ai, ndodhi më 15 prill, vetëm 3 ditë pasi gazeta britanike “The Guardian”, zbuloi se Irani kishte dërguar në Rusi me anije përmes Detit Kaspik, granata, raketa antitank dhe sisteme raketore.
“Avionë i mallrave i kompanisë Qeshm Fars Air, mund të transportojë deri në 250 tonë ngarkesë, në varësi të distancës së fluturimit. Dërgesat me sisteme armësh dhe pjesë rezervë,mund ta ndihmojnë Rusinë të zëvendësojë disa nga humbjet e saj të mëdha në fushën e betejës, pasi sanksionet perëndimore po e pengojnë seriozisht aftësinë e saj për të prodhuar armë brenda vendit”- thekson Ottolenghi.
Përveç kësaj, avioni në fjalë mund të ketë transportuar drejt Rusisë mercenarë sirianë, edhe për shkak se lidhjet me Damaskun janë të vazhdueshme. Ndërkohë, Pentagoni kishte konfirmuar që në fillim të muajit marsit, se Moska u përpoq të rekrutonte luftëtarë nga Siria për t’u përdorur në luftën që po zhvillohet në Ukrainë.
Në rast se Rusia, një prodhuese e madhe e armëve, detyrohet të mbështetet tek rrjeti iranian, arsyet janë të shumëfishta, thotë Emanuele Rossi për Formiche.net:”Nga dëshira për të shmangur skenarin ku pjesë të armatimeve ruse të sakrifikohen në kontekste të caktuara luftarake, ku Moska e di se mund të hasë më shumë rezistencë nga ukrainasit; deri tek nevojapër të ndihmuar prodhimin e luftës, që është problematik për shkak të qasjes së kufizuar në tregun e pjesëve të këmbimit”.
Presioni mbi Pasdaran do të mbetet shumë i lartë. Gjatë javëve të fundit, hipoteza se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një tërheqje të pjesshme nga përcaktimi i Gardës Revolucionare si një grup terrorist, si një përpjekje për të arritur një konsensus mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin, kishte shkaktuar reagimin e ashpër nga Izraeli.
Administrata Biden ka vendosur të heqë 5 grupe ekstremiste nga lista e organizatave të huaja terroriste. Këta përfshihen grupi separatist bask ETA, lëvizja japoneze Aum Shinrikyo, partia nacionaliste izraelite Kahane Kach dhe dy grupe islamike aktive në Izrael, territoret palestineze dhe Egjipt, përkatësisht Këshilli Shura i Muxhahidëve dhe Al–Gama’at Al–Islamiyya.
Nuk kaloi pa u vënë re mungesa në listë e Pasdaran. Ata që ushqejnë njëfarë shprese për heqjen e sanksioneve nga SHBA-së, theksojnë se 5 organizatat, të cilat në të kaluarën e kërcënuan Azinë, Evropën dhe Lindjen e Mesme duke vrarë qindra, në mos mijëra njerëz, tani besohet se janë shpërbërë.
Përkundrazi, ata që shpresojnë që të mbyllet përfundimisht ky diskutim, nënvizojnë se nuk ndodh shpesh që vendime të tilla të merren me dy masa të afërta në kohë. “Komuniteti i inteligjencës amerikane, duhet të monitorojë shtimin e trafikut ajror të ngarkesave midis Teheranit dhe Moskës, për të përcaktuar natyrën e saktë të ngarkesës që po transportohet,” përfundon Ottolenghi. Nëse do të konfirmoheshin dyshimet, do të binte hipoteza e heqjes së Pasdaran nga lista e zezë e organizatave terroriste.