Bota

A po e braktis Trumpi udhëheqjen e botës së lirë?

Kryestrategu i Donald Trumpit, Stephen Bannon, e ka bërë të qartë se administrata Trump dëshiron të shohë “shkatërrimin e shtetit administrativ”, shkruan Michael Fuchs në një analizë për “Just Security”. Sipas tij, ndërkohë që kjo filozofi është alarmuese për pasojat që mund të ketë brenda Amerikës, mbetet gjithësesi më pak e qartë, domethënia e saj për politikën e jashtme.

Provat e deritanishme tregojnë për një përgatitje të Trumpit, për një sulm total ndaj vetë strukturave të influencës dhe fuqive globale, që Amerika ndërtoi në shekullin 20.

Sipas Fuchs, në vend se të fillonte me fjalime që do të parashtronin vizionin për politikën e jashtme, apo fitoreve që mund të arriheshin, administrata e Trumpit duket se po sheh nga brenda, për të gjetur mënyra se si të shkatërrojë strukturën që mban në këmbë udhëheqjen, sigurinë dhe prosperitetin e Amerikës.

Dhe një prej aspekteve më të frikshme të kësaj qasjeje, është se ne mund të mos e mësojmë deri ku shtrihet ajo, deri kur të jetë shumë vonë.

Sipas Fuchs, udhëheqja e Amerikës në botë është në një farë kuptimi, dora e padukshme e rendit global: përmes aleancave, institucioneve dhe diplomacisë konstante, ajo pengon shpërthimin e luftërave mes fuqive. Por një qasje armiqësore ndaj institucioneve shumëpalëshe dhe një politikë e jashtme, që dëmton besimin e aleancave, dhe që tkurr buxhetet deri në pikën ku diplomatët tërhiqen nga bota dhe ndihma e huaj shteron, mund të ndodhë shpejt dhe larg vëmendjes.

E vërteta është se populli amerikan rrallëherë e sheh punën e diplomacisë së SHBA. Kjo do të thotë që, sipas Fuchs, bota do ta vërë re mungesën e udhëheqjes amerikane, vetëm kur të godasë katastrofa.

Dhe hedhja në erë e kolonave të udhëheqje amerikane, do të shkaktonte kthimin në një botë Hobbesiane, ku asnjë vend nuk ndihet i sigurtë dhe gjithësecili ndërton një gardh rrotull vetes.

Nuk dihet nëse ky është qëllimi i vërtetë i Trumpit. Por nëse ai do të ishte shkatërrimi i rolit të Amerikës si një lider global, me shumë gjasë do të realizohej duke çmontuar këto pesë kolona të lidershipit amerikan: shtrirjen e diplomacisë dhe asistencës së huaj të Amerikës, forcën e aleancave të SHBA, udhëheqjen e SHBA në institucionet ndërkombëtare, sistemin ndërkombëtar të tregtisë dhe mbështetjen e SHBA për të drejtat e njeriut. / bota.al

Artikullin e plotë në gjuhën angleze mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Leave a Reply

Back to top button