AnalizaMAIN

A po e fiton luftën Hamasi?

Nga Yuval Noah Harari

Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Shumë njerëz e recitojnë këtë mantra, por shumë pak i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme – veçanërisht në mes të luftës. Me masakrën e Hamasit në Izrael dhe me numrin e viktimave civile në rritje në Gaza, logjika e thellë e luftës, fshihet nga mjerimi i pamasë njerëzor që prodhon. Ndërsa trupat vazhdojnë të grumbullohen, kush do ta fitojë këtë luftë? Jo pala që vret më shumë njerëz, jo pala që shkatërron më shumë shtëpi dhe as pala që fiton më shumë mbështetje ndërkombëtare – por pala që arrin qëllimet e saj politike.

Hamasi e nisi këtë luftë me një qëllim politik specifik: të parandalonte paqen. Pas firmosjes të traktateve të paqes me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, Izraeli ishte në prag të firmosjes së një traktati historik paqeje me Arabinë Saudite. Kjo marrëveshje do të ishte arritja më e madhe e kryeministrit Benjamin Netanyahu, në të gjithë karrierën e tij. Do të kishte normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe pjesës më të madhe të botës arabe. Me insistimin e sauditëve dhe amerikanëve, kushtet e traktatit pritej të përfshinin lëshime të rëndësishme për palestinezët, që synonin të lehtësonin menjëherë vuajtjet e miliona prej tyre në territoret e pushtuara dhe të rifillonin procesin e paqes izraelito-palestineze.

Perspektiva e paqes dhe normalizimit ishte një kërcënim vdekjeprurës për Hamasin. Që nga themelimi i saj në vitin 1987, kjo organizatë fondamentaliste islamike nuk e njohu kurrë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, dhe u angazhua për luftë të armatosur pa kompromis. Në vitet ‘90, Hamasi bëri gjithçka që mundej për të prishur procesin e paqes në Oslo.

Për më shumë se një dekadë, qeveritë izraelite të udhëhequra nga Netanyahu braktisën të gjitha përpjekjet serioze për të bërë paqe me forcat më të moderuara palestineze, miratuan një politikë të një vije gjithnjë e më të ashpër në lidhje me pushtimin e territorit të diskutuar dhe madje përqafuan idetë mesianike të krahut të djathtë, mbi supremacinë e hebrenjve.

Gjatë asaj periudhe, Hamasi tregoi një përmbajtje befasuese në marrëdhëniet e tij me Izraelin dhe të dy palët dukej se po adoptonin një politikë shqetësuese, por gjithësesi funksionale të bashkëjetesës së dhunshme. Por më 7 tetor, pikërisht kur qeveria e Netanyahut ishte në prag të një përparimi të madh për paqen rajonale, Hamasi goditi me gjithë forcën e tij.

Hamasi vrau qindra civilë izraelitë, në mënyrat më të tmerrshme që mundej. Qëllimi i menjëhershëm ishte të prishte marrëveshjen e paqes izraelito-saudite. Synimi afatgjatë ishte të mbillte farat e urrejtjes në mendjet e miliona njerëzve në Izrael dhe në mbarë botën myslimane, duke parandaluar kështu paqen me Izraelin, për brezat që do të vijnë.

Hamasi e dinte se sulmi i tij do t’i bënte izraelitët të reagonin me zemërim nga dhimbja, dhe terroristët e dinin se Izraeli do të hakmerrej me forcë masive, duke u shkaktuar dhimbje të madhe palestinezëve. Emri i koduar që Hamasi i dha operacionit të tij flet shumë: al-Aqsa Tufan. Fjala “tufan” do të thotë përmbytje. Ashtu si përmbytja biblike që synonte të pastronte botën nga mëkati, edhe me koston e gatishmërisë së zhdukjes së njerëzimit, sulmi i Hamasit synonte të krijonte shkatërrim në një shkallë biblike.

A nuk i bëhet vonë Hamasit, për vuajtjet që kjo luftë u shkakton civilëve palestinezë? Ndërsa aktivistët e Hamasit, individualisht, me siguri kanë ndjenja dhe qëndrime të ndryshme, botëkuptimi i organizatës e tkurr mjerimin e individëve. Qëllimet politike të Hamasit diktohen nga fantazitë fetare.

Ndryshe nga ato të lëvizjeve laike si Organizata për Çlirimin e Palestinës, qëllimet përfundimtare të Hamasit nuk janë të kësaj bote. Për Hamasin, palestinezët e vrarë nga Izraeli janë martirë që gëzojnë lumturinë e përjetshme në parajsë. Sa më shumë të vrarë, aq më shumë dëshmorë.

Sa i përket kësaj bote, sipas pikëpamjeve të Hamasit dhe grupeve të tjera fondamentaliste myslimane, i vetmi objektiv i zbatueshëm për një shoqëri njerëzore në Tokë është respektimi i pakushtëzuar i standardeve qiellore të pastërtisë dhe drejtësisë. Për shkak se paqja përfshin gjithmonë kompromise mbi atë që njerëzit e konsiderojnë drejtësi, ajo duhet të refuzohet dhe drejtësia absolute duhet të ndiqet me çdo kusht.

Kjo, meqë ra fjala, shpjegon një fenomen të çuditshëm të kohëve të fundit në mesin e së majtës radikale në shumë demokraci perëndimore, duke përfshirë disa organizata studentore në Universitetin e Harvardit. Ata e çlirojnë Hamasin nga çdo përgjegjësi për mizoritë e kryera në Be’eri, Kfar Azza dhe fshatra të tjerë izraelitë, apo për krizën humanitare në Gaza.

Këto organizata ia vënë 100 për qind fajin Izraelit.

Lidhja midis të majtës radikale dhe organizatave fondamentaliste si Hamasi është besimi në drejtësinë absolute, e cila çon në një refuzim për të pranuar kompleksitetin e realiteteve në këtë botë. Drejtësia është një kauzë fisnike, por kërkesa për drejtësi absolute çon në mënyrë të pashmangshme në luftë të pafundme. Në historinë e botës, nuk është arritur asnjë traktat paqeje që nuk ka kërkuar kompromis, apo që ka siguruar drejtësi absolute.

Nëse qëllimet e luftës së Hamasit janë me të vërtetë të prishin traktatin e paqes izraelito-saudite dhe të shkatërrojnë të gjitha mundësitë për normalizim dhe paqe, ai po e fiton këtë luftë me nokaut. Dhe Izraeli po e ndihmon Hamasin, kryesisht sepse qeveria e Netanyahut duket që po e zhvillon këtë luftë pa qëllime të qarta politike.

Izraeli thotë se dëshiron të çarmatosë Hamasin dhe ka çdo të drejtë ta bëjë këtë për të mbrojtur qytetarët e tij. Çarmatosja e Hamasit është gjithashtu jetike për çdo shans për paqe në të ardhmen, sepse për sa kohë Hamasi mbetet i armatosur, ai do të vazhdojë të prishë çdo përpjekje. Por edhe nëse Izraeli arrin të çarmatosë Hamasin, kjo është vetëm një arritje ushtarake, jo politike. Në planin afat shkurtër, a ka Izraeli ndonjë plan për të shpëtuar marrëveshjen e paqes izraelito-saudite? Në planin afatgjatë, a ka Izraeli ndonjë plan për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse me palestinezët dhe për të normalizuar marrëdhëniet me botën arabe?

Duke qenë thellësisht i përfshirë në politikën izraelite gjatë vitit të kaluar, kam frikë se të paktën disa anëtarë të qeverisë aktuale të Netanyahut janë edhe vetë të fiksuar tek vizionet biblike dhe drejtësinë absolute, dhe kanë pak interes për kompromisin që sjell paqe.

Të gjitha palët e interesuara duhet të mos lejojnë që përmbytjen e lëshuar nga Hamasi të mbysë Izraelin dhe palestinezët, si dhe të shkatërrojë rajonin.  Vini re se lufta bërthamore është, teorikisht, ndoshta vetëm 24 orë larg – nëse Hezbollahu dhe aleatët e tjerë iranianë godasin Izraelin me dhjetëra mijëra raketa, siç po kërcënojnë të bëjnë, Izraeli mund të përdorë armët bërthamore për vetë-mbrojtje. Prandaj, të gjitha palët duhet të braktisin fantazitë biblike dhe kërkesat për drejtësi absolute dhe të përqendrohen në hapa konkretë për të shmangur konfliktin dhe mbjellë farën për paqen dhe pajtimin.

Pas ngjarjeve të dy javëve të fundit, pajtimi duket krejtësisht i pamundur. Familja dhe miqtë e mi sapo kanë parë nëpër skena që të kujtojnë tmerret e Holokaustit. Por tetë dekada pas Holokaustit, gjermanët dhe izraelitët janë miq të mirë. Hebrenjtë nuk morën kurrë drejtësi absolute për Holokaustin – si mundej? A mundet ndokush t’u kthejë viktimave britmat e dhimbjes në fyt, ta kthejë mbrapsht tymin në oxhaqet e Aushvicit dhe t’i kthejë të vdekurit nga krematoriumet?

Si historian, e di mirë që mallkimi i historisë është se ajo frymëzon dëshirën për të rregulluar të kaluarën. Kjo është përpjekje e pashpresë.

E kaluara nuk mund të shpëtohet. Përqendrohuni në të ardhmen. Lërini plagët e vjetra të shërohen në vend që të shërbejnë si shkak për lëndime të reja.

Në vitin 1948, qindra-mijëra palestinezë humbën shtëpitë e tyre në Palestinë. Si hakmarrje, në fund të viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950, qindra-mijëra hebrenj u dëbuan nga Iraku, Jemeni dhe vendet e tjera myslimane. Që atëherë, plagët janë grumbulluar mbi plagë, në një rreth vicioz dhune që ka çuar vetëm në më shumë dhunë. Ne nuk jemi të detyruar ta përsërisim këtë cikël përgjithmonë. Natyrisht, në mesin e kësaj lufte të tmerrshme, ne nuk mund të shpresojmë të ndalojmë ciklin njëherë e përgjithmonë. Ajo që na duhet tani është të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për këtë kërkojmë disa gjeste konkrete shprese.

Një iniciativë e propozuar kërkon që Hamasi të lirojë të gjitha gratë, fëmijët dhe foshnjat që mban peng, në këmbim të lirimit nga Izraeli të disa dhjetëra grave dhe adoleshentëve palestinezë që mbahen të burgosur. A do të ishte kjo drejtësi? Jo. Drejtësia kërkon që Hamasi të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë pengjet që mori. Por kjo nismë mund të jetë gjithsesi një hap drejt uljes së konfliktit.

Një nismë tjetër është që t’u mundësohet civilëve palestinezë të largohen nga Rripi i Gazës për siguri në vende të tjera. Egjipti, që ndan një kufi me Gazën, mund dhe duhet të marrë drejtimin për këtë. Por nëse Egjipti nuk arrin të ofrojë ndihmë, Izraeli mund të sigurojë strehë për civilët e zhvendosur të Gazës, në tokë izraelite.

Nëse asnjë vend tjetër nuk është i gatshëm të pranojë dhe mbrojë civilët palestinezë, atëherë pasi Kryqi i Kuq të ketë qasje te pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi dhe të ketë konstatuar gjendjen e tyre, Izraeli mund të ftojë Kryqin e Kuq dhe grupet e tjera humanitare ndërkombëtare që të krijojnë strehë të përkohshme për civilët e zhvendosur të Gazës në anën izraelite të kufirit. Këtu do të strehoheshin gra, fëmijë dhe të evakuuar nga spitalet e Rripit të Gazës, ndërsa lufta kundër Hamasit vazhdon, dhe në fund të luftimeve, Gazanët e zhvendosur do të ktheheshin në Rripin e Gazës.

Hedhja e një hapi të tillë do të përmbushte detyrën morale të Izraelit për të mbrojtur jetët e civilëve palestinezë dhe njëkohësisht do të ndihmonte Forcat Mbrojtëse të Izraelit të vazhdonin luftën kundër terroristëve të Hamasit, duke reduktuar numrin e civilëve të ngecur në zonën e luftimit.

A kanë mundësi të realizohen nisma të tilla? Nuk e di. Por e di që lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, se qëllimi politik i Hamasit është të shkatërrojë çdo shans për paqe dhe normalizim, dhe se qëllimi i Izraelit duhet të jetë ruajtja e mundësisë për paqe. Ne duhet ta fitojmë këtë luftë, në vend që të ndihmojmë Hamasin të arrijë qëllimin e vet.

Yuval Noah Harari është autori i “Sapiens”, “Homo deus” dhe “Unstoppable us” dhe profesor i historisë në Universitetin hebraik të Jeruzalemit. / Në shqip nga bota.al

Back to top button