Bota

A po e humb Franca luftën e saj kundër terrorizmit?

Nga Gavin Mortimer

Një “stuhi” politike ka përfshirë Francën ditët e fundit. Ajo pason botimin e një letre të hapur nga 20 gjeneralë në pension drejtuar presidentit Emanuel Makron. Në deklaratën e tyre, të botuar fillimisht në një faqe jo shumë të njohur në internet, dhe më pas të riprodhuar në revistën konservatore “Valeurs Actuelles”, oficerët paralajmëruan se terrorizmi islamik po e shtyn Francën drejt luftës civile.

Reagimi i politikanëve ishte mëse i parashikueshëm. Marin Lë Pen i ftoi nënshkruesit (1.000 gjithsej) që t’i bashkohen partisë së saj Tubimi Kombëtar, ndërsa qeveria e dënoi letrën si “të papërgjegjshme”. Ajo premtoi ndëshkime nëse ndonjë ushtar ose xhandar në shërbim aktiv ka nënshkruar letrën në fjalë.

Disa politikanë të kampit të majtë duan nisjen e një hetimi penal, duke i akuzuar për “provokim dhe mosbindje”ata që qëndrojnë pas kësaj letre. Zhan-Lyk Melensho, udhëheqësi i ekstremit të majtë “Franca e Rebeluar”, foli hapur në reagimin e tij, duke e përshkruar letrën si një “kryengritje”që duhet të ndëshkohet.

Dhe është i njëjti Melensho që në vitin 2018 në kulmin e protestave të Jelekverdhëve,  shkroi në Twitter:“Kushtetuta Revolucionare e vitit 1793 thotë se kryengritja ishte e drejtë. Gjithashtu dhe detyrë. I tillë është temperamenti i popullit francez”.

Debati mbi mesazhin që përcjell letra, nuk është i ri. Pesë vjet më parë, kreu i Agjencisë së Sigurisë së Brendshme, Patrik Kalvar, foli gjithashtu mbi rrezikun e një lufte civile. Dhe në vitin 2018, ministri i brendshëm, Zherar Kolomb, përshkroi një vizion të zymtë të së ardhmes, në rast se Franca nuk do të rimerrte kontrollin e qyteteve të saj të brendshme nga islamikët dhe lordët e drogës.

Pas kësaj deklarate, ai dha menjëherë dorëheqjen nga posti. E vërteta e hidhur, është se Franca është në fakt në“luftë” prej shumë vitesh. Presidenti i atëhershëm, Fransua Holond,  e pranoi hapur këtë fakt në një fjalim të mbajtur në parlament në vitin 2015, disa ditë pasi radikalët islamikë kishin masakruar 130 njerëz në rrugët e Parisit:“Kjo është një luftë guerile, ajo e të dobëtve nga ana materiale kundër të fortëve po nga ana materiale. Kjo është lufta që duan islamikët radikalë kundër një populli që beson se është aq i brishtë shpirtërisht, po aq edhe i egër. Tek e fundit, një luftë civile do të ishte një konflikt i shkurtër. Policia dhe ushtria nuk do të luftonin mes tyre, por kundër disa mijëra ekstremistëve të armatosur me një shumëllojshmëri të armëve të vogla dhe kokteje Molotov”.

Por letra e ushtarakëve në pension,nxjerr në pah ekzistencën e një krizë e madhe që buron nga fakti se Franca po e humb këtë luftë guerile. Presidenti Makron ka qenë muajt e fundit i guximshëm në qëndrimin e tij në mbështetje të vlerave republikane, veçanërisht në mbrojtje të lirisë së shprehjes.

Por ai është po aq i pafuqishëm sa paraardhësit e tij në zhdukjen e dhunës që shihet çdo javë në rrugët e Francës. Gjatë muajve të fundit, tunizianët, një çeçen dhe një pakistanez kanë kryer sulme terroriste në tokën franceze. Franca rrezikon të bëhet ajo që ishte Afganistani në vitin 1980 dhe Bosnja në vitin 1990:një fushëbeteje për luftëtarët islamikë nga e gjithë bota.

Por rivënia nën kontrolli e kufijve nuk do të jetë e mjaftueshme. Disa prej ekstremistëve kanë lindur dhe janë edukuar nga gra dhe burra francezë.

Shërbimi inteligjent është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit – 35 sulme terroriste janë parandaluar vetëm 4 vitet e fundit – por si mund ta ndalosh një njeri pa rekorde të mëparshme kriminale apo terroriste që të kryejë një sulm me thikë?

Është e pamundur. Prandaj lufta guerile do të vazhdojë, dhe ushtarakët do të bëhen gjithnjë e më të egërsuar. Këto janë kohëra të rrezikshme për Francën, siç e parashikoi edhe shkrimtari i njohur francez Mishel Hulebek në romanin e tij të vitit 2015 “Nënshtrimi”. Kur Makron u ngjit në pushtet, 2 vjet më vonë ai ofroi një vizion më optimist të së ardhmes, atë të transformimit të Francës në një vend të risive. Por rezulton se Hulebek kishte të drejtë. Franca është duke u rrënuar. / “The Spectator” – Bota.al

Back to top button