AnalizaMAIN

A shënon Lufta e Putinit një periudhë të re në histori?

created by Polish

Në fillim të këtij viti, një student më pyeti se si mendoja se do ta etiketonin historianët periudhën e historisë botërore, që ai besonte se sapo kishte nisur me pushtimin rus të Ukrainës. Nuk mund t’i rezistoja përgjigjes:“Nuk e kam idenë. Shpresoj që ata të mos e quajnë ‘periudha e paraluftës’”.

Por a jemi në fakt në fillimin e një periudhe të re në historinë botërore? Shumë historianë dhe analistë, kanë nxituar të thonë se po. Edhe para fillimit të pushtimit, kolumnisti i “Wall StreetJournal”, Xherard Bejkër, po mendonte se “kriza mbi Ukrainën… shënon fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë”.

Dhe sapo forcat ruse kaluan kufirin ukrainas, Daniel S.Hemilton i Institutit Brukings ra dakord me të, duke shkruar:“Periudha e pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Sapo ka nisur një epokë më fluide dhe përçarëse”. Disa ditë më vonë, politologu Shon Iling e cilësoi pushtimin rus “një ngjarje historike botërore”, duke shtuar se “efektet e tij ka të ngjarë të ndihen për shumë nga vitet e ardhshme”.

Që të tre ishin të sigurt se një ditë historianët do të shkruanin kapituj të rinj në tekstet e tyre shkollore, duke e nisur pikërisht me vitin 2022. Por vetë historianët, nuk kanë pasur kurrë një mënyrë të vetme, të qartë dhe të dakordësuar, për ta ndarë historinë në segmente të veçanta.

Madje ata debatojnë pafund se si ta bëjnë këtë. Disa flasin për një “shekull XVIII shumë të gjatë”, që shtrihet nga 1688-a deri në vitin 1815, dhe të tjerë për një “shekull XVIII të shkurtër”  që zgjat midis viteve 1715-1789.

A përfundoi Mesjeta me Rilindjen italiane në shekullin XIV-të, apo me udhëtimet evropiane të eksplorimeve në Botën e Re në shekullin XV? Apo ndoshta me reformën e Katolicizmit në shekullin XVI-të? A ka ekzistuar një “Mesjetë Globale”, apo ky term imponon një koncept evropian në disa zona të botës, që janë në fakt të papërshtatshme për të tjerat?

Për sa kohë që historianët nuk bien dakord rreth rëndësisë relative të faktorëve të ndryshëm të ndryshimit historik, ata nuk do të pajtohen as rreth periodizimit të saj. “Pandemia do të ndryshojë përgjithmonë botën”- shkroi Foreign Policy në marsin e vitit 2020. Parashikimet kryesisht kanë qenë të sakta. Por a shënoi vërtet viti 2020 fillimin e një epoke të re?

Me kalimin e tronditjes fillestare, dhe me Covid-19 që ndoshta (shpresojmë) po shndërrohetnë nivelin e një sëmundjeje endemike, por të menaxhueshme, karakteri i tij botë-ndryshues po e bën të duket të paktën disi më pak i dukshëm. Edhe momentet e trazirave të mëdha dhe të dhunshme, nuk përbëjnë domosdoshmërisht pika kalimi midis epokave të ndryshme. Pushtimi i Polonisë nga Adolf Hitlerit më 1 shtator 1939, mund të duket një moment i tillë.

Por shumë historianë mendojnë se Lufta e Dytë Botërore, pati një prolog vendimtar në Luftën Civile Spanjolle që filloi në vitin 1936. Historianët aziatikë e përcaktojnë shpesh fillimin e luftës në vitin 1931 me pushtimin japonez rajonit kinez të Mançurisë.

Disa historianë, si Arno Majer i Universitetit të Prinstoni, i kanë bashkuar të dyja luftërat botërore dhe vitet midis tyre në një periudhë të vetme të quajtur “Lufta e Dytë Tridhjetëvjeçare”. Por është fundi i luftërave dhe kolapsi i regjimeve, ai që shënon në një mënyrë më të besueshme fundin e një epoke.

Historianët citojnë shpesh thënien e shtetarit britanik Eduard Grei, në fillimin e armiqësive në vitin 1914, se “Dritat janë duke u fikur në të gjithë Evropën!”. Por në atë kohë, shumica e evropianëve prisnin që ajo që u bë Lufta e Parë Botërore, të zgjaste jo më shumë se disa muaj, dhe të mos shkaktonte ndryshimin e regjimit.

Ishte fundi i luftës në vitet 1917-1918, dhe rënia e perandorive austro-hungareze, gjermane, osmane dhe ruse, ajo që shënoi fundin e qartë të një epoke dhe fillimin e një epoke tjetër.

Një argument i ngjashëm, mund të përdoret edhe për fundin e Luftës së Ftohtë në vitet 1989-1991.

Fundi i periudhës së pas Luftës së Ftohtë, është shumë më i vështirë për t’u matur. Në fakt ajo tashmë është shpallur shumë herë:me bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999; sulmet terroriste të 11 Shtatorit; me pushtimin e Gjeorgjisë nga Rusia në vitin 2008; me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 ; me zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA-së.

Unë s’do të habitesha nëse pas 10 vjetësh, pas një tmerri të ri ndërkombëtar, një kor i ri  analistësh do ta shpallte atë sërish si një pikë kthese. Disa periodizime janë thjesht më bindëse se të tjerat. Sociologët e quajnë shpesh epokën tonë aktuale si atë të “kapitalizmit të vonë”, edhe pse kjo frazë po përdoret të paktën nga mesi i viteve 1970.

Por meqë kapitalizmi ka refuzuar me kokëfortësi që të përfundojë si një fazë, ata nuk kanë alternativë tjetër. Natyrisht, historianëve u duhen mënyra për ta organizuar materialin e tyre në një mënyrë kronologjike. Por shpalljet e parakohshme mbi fillimin e një epoke të re, përbëjnë shpesh vetëm gjeste boshe retorike.

Më keq akoma, ata përkëdhelin egon e diktatorëve si Vladimir Putin, të cilët nuk duan asgjë më shumë se sa të shihen si figura të historisë botërore, duke ia përshtatur vullnetit të tyre mbinjerëzor rrjedhën e ngjarjeve njerëzore. Po ashtu ata kërkojnë përgjithësisht që t’i atribuohet periudhave të mëparshme një shkallë stabiliteti, të cilën vëzhguesit në atë kohë nuk arritën ta perceptonin në një mënyrë të veçantë.

Me tronditjen dhe tmerrin që shoqërojnë ngjarje si pushtimi i Ukrainës, është e lehtë të harrohet argumenti se shpeshherë vëzhguesit mund të fillojnë të vlerësojnë rëndësinë e vërtetë të një ngjarjeje, vetëm pasi të kenë filluar të shfaqen pasojat e saj afatgjata.

A do të degjenerojë lufta në Ukrainë në një tjetër konflikt të ngrirë, si shumë të tjera në mbarë botën? Apo do të çojë në një agresion të ri akoma më destabilizues nga Rusia? A do shkojmë drejt një lufte bërthamore? A do të sjellë rrëzimin e Putinit nga pushteti?

Në fundin e vitit 1991, ne e dinim se sido që të ishte e ardhmja, blloku komunist i para viteve 1989, nuk do të ishte pjesë e tij. Ne nuk kemi as atë shkallë sigurie për pushtimin e Ukrainës nga Putin. Rezultati i tij, ende tejet i paparashikueshëm, është ai që do të përcaktojë përfundimisht nëse ajo meriton të shënojë fundin e një epoke, apo diçka krejtësisht tjetër.

Tregohet se ku u pyet në fillim të viteve 1970 mbi domethënien e Revoluconit Francez të 1789-ës, kryeministri kinez Çu En Lai, u përgjigj:”Është shumë herët për ta thënë!”.

Në fakt ai po fliste për revoltat e studentëve francezë të vitit 1968.  Por ka një arsye se pse versioni origjinal i historisë bëri më shumë përshtypje. Duhet kohë – shpesh një kohë shumë e gjatë – që efektet e një ngjarjeje të vendosen në një fokus të arsyeshëm.

Madje edhe atëherë, historianët do të vazhdojnë të kenë interpretime konkurruese, në varësi të këndvështrimit nga i cili shkruajnë dhe pyetjeve që shtrojnë. Po ashtu duhet të kujtojmë se shpeshherë historia na ofron surpriza të pakëndshme. Viti i ardhshëm, mund të jetë viti i një pandemie të re që do të lërë në hije edhe Covid-19.

Mund të jetë viti i një rrënimit të bursave, dhe i një Depresioni të dytë të Madh. Në fakt, ne mund të jetojmë aktualisht në “periudhën e paraluftës”. Derisa ta dimë me siguri, nuk do ta dimë se çfarë duhet të bëjmë muajt e fundit.

Shënim: David A.Bell, profesor i historisë në Universitetin e Prinstonit, SHBA. / Foreign Policy – Bota.al

Back to top button