Për herë të parë, Irani ka kryer sulme kundër territorit izraelit.
Në mes të natës së së shtunës, alarmet për sulm ajror ranë në Izrael, banorëve iu kërkua të kërkonin strehim ndërsa u dëgjuan shpërthime dhe u aktivizua mbrojtja ajrore.
Qielli i natës u ndriçua në disa vende anembanë vendit, ndërsa shumë dronë dhe raketa u rrëzuan nga aleatët e Izraelit, përpara se të arrinin në territorin izraelit.
Të paktën nëntë vende u përfshinë në përshkallëzimin ushtarak – me predha të lëshuara nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni dhe të rrëzuara nga Izraeli, SHBA dhe Franca e Jordania.
Ja çfarë dimë për sulmin deri më tani.
Sulmi përfshiu dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike
Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit, tha ushtria izraelite.
Sulmi përfshiu 170 dronë dhe 30 raketa lundruese, asnjëra prej të cilave nuk hyri në territorin izraelit dhe 110 raketa balistike prej të cilave një numër i vogël arritën në Izrael, tha zëdhënësi ushtarak, Admirali Daniel Hagari në një deklaratë televizive.
Distanca më e shkurtër nga Irani në Izrael është rreth 1000 km.
Bombardimet u nisën nga disa vende
Të shtunën mbrëma, Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) tha se kishte lëshuar dronë dhe raketa.
Burime irakiane të sigurisë i thanë Reuters se predha janë parë duke fluturuar mbi Irak në drejtim të Izraelit.
IRGC tha se raketat balistike u lëshuan pothuajse një orë pas dronëve që lëviznin më ngadalë, në mënyrë që ata të godisnin Izraelin afërsisht në të njëjtën kohë.
Departamenti amerikan i mbrojtjes tha se forcat amerikane kapën dhjetëra raketa dhe dronë të lëshuar nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni.
Grupi Hezbollah në Liban i mbështetur nga Irani tha gjithashtu se kishte lëshuar dy breshëri raketash në një bazë ushtarake izraelite në Kodrat e pushtuara të Golanit, një pllajë të cilën Izraeli e ka aneksuar nga Siria në një lëvizje që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Izraeli dhe aleatët interceptuan shumicën e dronëve dhe raketave
Rreth 99% e raketave në hyrje u interceptua ose jashtë hapësirës ajrore izraelite, ose mbi Izrael, tha adm Hagari.
Ato përfshinin të gjithë dronët dhe raketat lundruese, të cilat ndjekin një trajektore të sheshtë, dhe shumicën e raketave balistike, të cilat nisen në një trajektore harkore që përdor gravitetin për të arritur shpejtësi shumë të larta.
Presidenti i SHBA Joe Biden tha se forcat amerikane “ndihmuan Izraelin të rrëzonte pothuajse të gjithë” dronët dhe raketat e lëshuara nga Irani të dielën. Në një deklaratë, ai tha se SHBA kishte vënë në lëvizje avionë dhe anije luftarake në rajon, përpara sulmit të paprecedentë.
Duke operuar nga baza të pazbuluara në rajon, forcat amerikane rrëzuan një numër dronësh iranianë mbi Sirinë jugore pranë kufirit me Jordaninë, thanë burimet e sigurisë për Reuters.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka konfirmuar se avionët e Mbretërisë së Bashkuar RAF Typhoon kanë rrëzuar gjithashtu një numër dronësh sulmues iranianë. Sunak tha se sulmi iranian ishte një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe i panevojshëm, të cilin unë e kam dënuar ashpërsisht”.
Jordania – e cila ka një traktat paqeje me Izraelin, por ka qenë shumë kritike për mënyrën se si e ka kryer luftën e tij kundër grupit palestinez Hamas në Gaza – ka interceptuar gjithashtu objekte fluturuese që hynë në hapësirën e saj ajrore për sigurinë e qytetarëve të saj, u tha në një deklaratë të kabinetit jordanez.
Franca ndihmoi në patrullimin e hapësirës ajrore, por ishte e paqartë nëse ata kishin rrëzuar ndonjë dron apo raketë, tha ushtria izraelite.
Sa raketa kaluan dhe çfarë dëmi shkaktuan?
Në Jeruzalem, korrespondentët e BBC raportuan se kishin dëgjuar sirena dhe kishin parë sistemin e mbrojtjes raketore të Iron Dome të Izraelit në funksionim, i cili përdor radarin për të gjurmuar raketat dhe mund të bëjë dallimin midis atyre që ka të ngjarë të godasin zonat e ndërtuara dhe atyre që nuk janë.
Raketat interceptuese lëshohen vetëm drejt raketave që pritet të godasin zonat e populluara.
Disa nga raketat balistike kaluan dhe goditën territorin izraelit, tha adm Hagari.
Njëra prej tyre “goditi lehtë” bazën e forcave ajrore Nevatim në shkretëtirën Negev në jug të Izraelit. Adm Hagari tha se baza ishte “ende funksionale”.
Agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA tha se sulmi i kishte dhënë “goditje të rënda” bazës ajrore.
Rreth 12 persona u plagosën gjithsej në Izrael, tha adm Hagari.
Ata përfshinin një vajzë shtatëvjeçare nga një komunitet arab beduin pranë qytetit jugor të Aradit, e cila u raportua se ishte plagosur nga copëzat, pasi një dron iranian u interceptua në ajër.
Jordania tha gjithashtu se disa copëza kishin rënë në territorin e saj “pa shkaktuar ndonjë dëm të konsiderueshëm apo dëmtim të qytetarëve”.
Çfarë ndodh tani?
Televizioni izraelit Channel 12 citoi një zyrtar izraelit të paidentifikuar të thoshte se do të kishte një “përgjigje të rëndësishme” ndaj sulmit.
Hapësira ajrore izraelite është rihapur si ajo e vendeve fqinje, por ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.
Ndërkohë Irani ka paralajmëruar Izraelin se përgjigja e tij “do të jetë shumë më e madhe se aksioni ushtarak i djeshëm, nëse Izraeli hakmerret kundër Iranit”, tha shefi i shtabit të forcave të armatosura, gjeneralmajor Mohammad Bagheri për televizionin shtetëror.
Ai tha se bazat amerikane do të sulmoheshin gjithashtu nëse SHBA do të merrte pjesë në ndonjë hakmarrje izraelite.
Komandanti i IRGC Hossein Salami tha gjithashtu se Teherani do të hakmerret kundër çdo sulmi izraelit ndaj interesave, zyrtarëve ose qytetarëve të tij. / BBC News – Bota.al