Bota

Çfarë ka ndodhur me bunkerët dhe vendstrehimet në Evropë?

Nga John Last

Kur bombat ruse bien mbi qytetet e Ukrainës, qytetarët e Harkivit dhe Kievit, fshihen në vendstrehimet dhe bunkerë, që nuk ishin përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjatë ditëve të bombardimeve ruse më të rënda në Odesa, një bunker strehonte një spital të improvizuar për fëmijë.

Në Mariupol, një kompleks i madh nën fabrikën e çelikut Azovstal, strehon vatrën e fundit të rezistencës ukrainase në këtë qytet. Imazhet e ukrainasve në këto vendstrehime nëntokësore, kanë sensibilizuar shumë njerëz në Evropë.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kërcënimi i bombardimeve ajrore në kontinent, nuk është ndjerë kurrë kaq afër sa sot. Dhe njëkohësisht, infrastruktura e bunkerëve të ndërtuara në shumë vende gjatë gjysmë shekulli Luftë të ftohtë, nuk është lënë kurrë kaq pas dore.

“Ne në botën perëndimore, ishim shumë të magjepsur me mënyrën se si mbaroi Lufta e Ftohtë, kryesisht paqësore. Sapo e kemi kuptuar se kemi qenë vërtet naivë”- thotë Rozana Farbel, historiane e Luftës së Ftohtë në Universitetin Arhus të Danimarkës.

Në Evropë, ndërtimi i bunkerëve është praktikisht aq i vjetër sa edhe shpikja e avionit. Ndërsa Lufta e Parë Botërore pati vetëm bombardime të kufizuara, teknologjitë e reja si bombat ndezëse – të përdorura nga forcat aleate me një efekt tronditës në Drezden të Gjermanisë dhe në mbarë Japoninë – u përdorën gjerësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të terrorizuar qytetarët, dhe për të thyer vendosmërinë e tyre për të rezistuar.

Qeveritë në Britani, Gjermani dhe gjetkë, reaguan me të ashtuquajturën mbrojtje civile: organizim i shoqërisë për të siguruar vazhdimësinë e jetës civile në kohë luftë. Mbrojtja civile përfshinte planifikimin e evakuimeve nga qytetet e mëdha, trajnimin e civilëve për të shuar bombat ndezëse, dhe zhvillimin e propagandës masive duke e udhëzuar publikun mbi gatishmërinë që duhet të tregonte në rastet e emergjencës.

Ai përfshinte gjithashtu edhe programe të gjera publike për ndërtimin e bunkerëve, fillimisht në Gjermani dhe më pas në të gjithë Evropën. Në fund të luftës, kur u ndërtua “Perdja e Hekurt”, dhe kur strategët u përgatitën për një konflikt midis Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, qeveritë shpenzuan miliarda dollarë për të ndërtuar kështjella të mëdha nëntokësore, si Shtabi Qendror i Luftës në Uilltshajër në Angli.

“Atu ka shumë dhoma gjumi, një kuzhinë të madhe, një pishinë nëntokësore, studio të transmetimit të BBC-së, një bibliotekë me çdo dokument dhe hartë të nevojshme për t’u përdorur nga qeveria britanike”- thotë Bredli Garet, gjeograf dhe eksplorues bunkerësh në Kolegjin Universitar në Dublin të Irlandës, dhe autor i librit “Bunkeri:Godina për fundin e botës”.

”Unë nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time”-shton ai. Ndërsa qeveritë po ndërtonin bunkerë më të mirë, ato po zhvillonin gjithashtu edhe bomba më të fuqishme. Në vitin 1954, mbrojtja civile u transformua përgjithmonë, për shkak të testimit të parë publik të bombës me hidrogjen, një armë me fuqi 1000 herë më të madhe sesa bomba bërthamore e hedhur në Hiroshima të Japonisë.

Ajo u testua nga Shtetet e Bashkuara në Ishujt Marshall. Në vitin 1961, sovjetikët ndërtuan megabombën e tyre, Bombën e Carit, e cila ishte gati 4 herë më e fortë sesa varianti amerikan. Ndaj në vend të ndërtimit të bunkerëve, Britania i këshilloi qytetarët të fshiheshin poshtë shkallëve ose të bllokonin dritaret e tyre me libra, në një kohë që po investonte shuma gjithnjë e më të mëdha në armët e saj bërthamore.

Deri në vitin 1968, pjesa më e madhe e infrastrukturës së mbrojtjes civile të Britanisë ishte vënë nën “kujdes dhe mirëmbajtje”, pra ishte braktisur. Por në shtetet e paangazhuara dhe jo-bërthamore të Evropës, pikëpamja ishte krejtësisht e ndryshme.

Edhe pse tërheqja në kështjellat alpine ishte metoda e preferuar e parandalimit nga Zvicra që në vitin 1880, ky vend nuk nisi ndërtimin e shtëpive të reja me strehimore në bodrume deri në vitin 1963, shumë kohë pas zhvillimit të armëve termonukleare. Silvia Berger Ziaudin, historiane zvicerane në Universitetin e Bernës, thotë se kjo ndodhi pjesërisht për shkak se studimet mbi ndikimet afatgjata të pasojave bërthamore, nuk u ndanë me vendet jo anëtare të NATO-s.

Në dekadat që pasuan, Zvicra është bërë botërisht e e njohur për teknologjinë e saj të bunkerëve anti-bërthamorë, të cilët përfaqëson disi një ideologji kombëtare të mbrojtjes së shtetit deri më sot neutral. Edhe rrjetet e gjera publike të bunkerëve në Skandinavi, shiheshin si simbole të forcës kolektive.

“Mbrojtja civile, është parë gjithmonë si një akt solidariteti”- thotë Farbel. Në një vend të vogël si Danimarka, dhe me një hapësirë ​​të kufizuar për t’iu larguar rrezikut, autoritetet adoptuan pikëpamjen se “do të kishte gjithnjë njerëz që do të shpëtonin”.

Por mbrojtja civile, mund t’i shërbejë edhe një qëllimi më pak altruist. Gjatë të njëjtës periudhë në Shqipëri, qeveria komuniste e ish-udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, ndërtoi rreth 175.000 bunkerë betoni të armuar, dhe kreu stërvitje të rregullta për të praktikuar shmangien e një pushtimi të imagjinuar.

“Këto vendstrehime, duhej t’i mbanin të gjithë të përgatitur në rastin e një pushtimi. Por edhe t’i kujtonin njerëzve se mund të pushtoheshin”- thotë Emili Glas, arkeologe britanike dhe studiuese e bunkerëve. Kjo ndjenjë e vazhdueshme e kërcënimit, shkruan Glas, ndihmoi në justifikimin e shtypjes së rebelimeve të mundshme, dhe ushqeu “nacionalizmin ksenofobik” që e karakterizonte sundimin e Hoxhës.

Por realiteti i luftës bërthamore – dhe kufizimet e bunkerëve si një mjet strehimi – nuk mund të shpërfilleshin përgjithmonë. Që nga vitet 1980, dihej gjerësisht se lufta bërthamore do të sillte një “dimër bërthamor” me pasoja shkatërruese, që mund të shfaroste pjesën më të madhe të jetës në Tokë.

Sot, ndërtimi i bunkerëve në Evropë, është bërë kryesisht një shqetësim privat. Kompanitë e bunkerëve familjarë si “Artemis Protection” në Francë dhe “Subterranean Spaces” në Britani, kanë raportuar një interes shumë të lartë që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përtej Oqeanit Atlantik, kompania “Atlas Survival Shelters” në SHBA, ka përjetuar të njëjtin fenomen. “Që nga dita e parë e luftës në Ukrainë, telefoni im nisi të bjerë vazhdimisht. Të gjithë ishin vërtet të frikësuar”-thotë Çarls Hardman, drejtor i “Subterranean Spaces”. Bunkerët luksozë si ato që ndërton Hardman, kushtojnë qindra mijëra dollarë. Për ata që kanë edhe më shumë para për të shpenzuar, kompani si “Vivos Underground Survival Shelters” shesin për miliona dollarë hapësira ​​në ish-vendstrehimet e qeverisë gjermane dhe amerikane.

Fakti që shumë njerëz po kërkojnë vendstrehime, është një reflektim i një ankthi të shumë-përhapur. Sipas Gallup, 3 në 4 evropianë, kanë frikë se do të përfshihen në një konflikt më të gjerë me Rusinë, dhe jo pak druhen se Rusia do të përdorë armët e saj bërthamore.

Ndërkohë si në Gjermani, Britani dhe gjetkë, shumë bunkerë janë mbyllur që nga Lufta e Ftohtë, ose janë shndërruar në muze për publikun kureshtar. Diku tjetër, si në Suedi dhe Finlandë, mbrojtja civile luan ende një rol të madh në politikën e mbrojtjes.

Finlanda grumbulloi shumë pajisje mjekësore dhe pajisje për mbijetesë në bunkerin e saj qeveritar, shumë kohë përpara pandemisë së Covid-19. Në vitin 2014, pasi Rusia pushtoi Krimenë, autoriteti i mbrojtjes civile në Suedi rekomandoi rifillimin e ndërtimit të bunkerëve. Në vitin 2018, qeveria atje botoi ​​broshura me këshilla se si mund të mbijetohet në fazat e para të një lufte konvencionale.

Marrë me shkurtime nga Foreign Policy

Back to top button