Horizonti.alMAIN

Dëmet që po i shkaktojnë trurit të njeriut ndryshimet klimatike

Nga Burcin Ikiz

Ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i madh global për shëndetin, me të cilin popërballemi aktualisht. Sipas raportit të Lancet Countdown për vitin 2022, publikuar tetor të vitit të kaluar, kriza klimatike po “minon çdo dimension të monitorimit të shëndetit global”.

Efektet e saj përfshijnë ndikimet e drejtpërdrejta, si ngjarjet ekstreme të motit dhe ngritja e nivelit të detit, si dhe ato indirekte, si rritja e pasigurisë ushqimore, migrimet e detyruara, përhapja e sëmundjeve infektive dhe sëmundjet e lidhura me të nxehtin ekstrem.

Megjithatë një pjesë e informacionit që mungon në shumicën e raporteve shëndetësore, pordhe në shumë studime të ndryshimeve klimatike dhe konferenca ndërkombëtare, si COP27 sëfundmi, është se si ndikon – dhe do të ndikojë -ky ndryshim mbi trurin e njeriut.

Gjatë dekadës së fundit unë kam studiuar sëmundjet neurodegjenerative si neuroshkencëtare, dhe kam hasur vetëm tek një pjesë e vogël studime serioze mbi ndryshimet klimatike dhe shëndetin e trurit. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi publik, financimi dhe fokusimi i kërkimeve mbi këtë çështje.

Ne duhet të sqarojmë se si ndikon mbi trurin tonë një klimë akoma më e ngrohtë, në mënyrë që të mund të gjejmë mënyra për të parandaluar ose lehtësuar dëmet e saj mbi shëndetin tonë.Nga ajo pak që dimë, dëmet neurologjike që lidhen me ndryshimin e klimës, mund të variojnë nga pengimi i zhvillimit të trurit, deri tek rritja e rrezikut për sëmundje të caktuara.

Një numër provash në rritje, sugjerojnë se klima jonë në ndryshim të vazhdueshëm, ka të ngjarë të ndikojë negativisht në trurin tonë përmes rrugëve të ndryshme. E para është përmes ekspozimit ndaj të nxehtit ekstrem. Ashtu si pjesa tjetër e trupit tonë, truri ynë ka një temperaturë ideale për funksionimin e tij optimal.

Çdo devijim mund të shkaktojë në simptoma të ndryshme, duke nisur nga reduktimi i produktivitetit, deri tek përkeqësimi i simptomave të çrregullimeve neurologjike dhe mendore, si skleroza e shumëfishtë, çrregullimet e përdorimit të substancave, skizofrenia dhe rreziku i vetëvrasjes.

Po ashtu, shkencëtarët kanë treguar se ekspozimi ndaj të nxehtit mund të shkaktojë deficite afatgjata tek të mësuarit dhe kujtesës tek minjtë, me një dëmtim të lehtë traumatik të trurit dhe me ndryshime komplekse metabolike në trurin e brejtësve të prekur nga proceset neurodegjenerative.

Ndërkohë, sëmundjet infektive si Zika dhe Ethet Dengue po zgjerohen për shkak të rritjes së temperaturave dhe mund të shkaktojnë pasoja të rënda neurologjike si encefaliti dhe encefalopatia. Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit dhe grimcave të imta të thithshme, të njohura si PM 2.5, janë gjithashtu shumë të lidhura me rritjen e rrezikut nga demenca.

Tashmë njerëzimi po përballet me epidemi të sëmundjeve neurodegjenerative. Vetëm nëSHBA shumë se 6 milionë njerëz jetojnë sot me sëmundjen e Alzheimerit. Ky numër parashikohet të dyfishohet në 30 vitet e ardhshme. E megjithatë, pas dekadash kërkimesh

dhe shumë provave klinike të dështuara, ne nuk kemi ende një kurë apo mënyra për të ngadalësuar vërtet sëmundje të tilla si demenca, sëmundja e Parkinsonit dhe skleroza anësore amiotrofike ose ALS.

Gjatë 50 viteve të ardhshme, do të shohim jo vetëm miliona njerëz me këto çrregullime fatale dhe të pashërueshme. Por me efektet e ndryshimeve klimatike, ka të ngjarë të shohim që ato të ndodhin më shpesh dhe në faza shumë më të hershme të jetës.

Edhe më shqetësues është fakti se truri në zhvillim i fëmijëve dhe adoleshentëve, është ndoshta më i ndjeshëm ndaj efekteve negative të ndryshimeve klimatike. Studiuesit kanë zbuluar një lidhje të fortë midis ndotjes së ajrit dhe rritjes së rrezikut për ndryshime në zhvillimin e trurit tek fëmijët dhe adoleshentët, duke sjellë një koeficient inteligjence (IQ)më të ulët, koordinim më të dobët të syve dhe dorës dhe çrregullime neurozhvillimore.

Madje një studim parashikon se rritja e temperaturave të ujit do të zvogëlojë sintezën nga algat të DHA, një acid yndyror omega-3 kritik për zhvillimin e shëndetshëm të trurit. Kjo mund të kufizojnë ndjeshëm qasjen tek kjo lëndë ushqyese jetike për 96 për qind të popullsisë së botës.

Fusha e studimit të efekteve të klimës mbi shëndetin e trurit është ende në zhvillim e sipër. Por këto studime të hershme tregojnë se si një faktor i veçantë që lidhet me ndryshimin e klimës, si i nxehti ekstrem apo nivelet më të larta të ndotjes, mund ta dëmtojë trurin tonë dhe të kërcënojë atë të brezave të ardhshëm.

Megjithatë, ndryshimi i klimës është një proces kompleks, dhe me ndryshimin e modeleve të motit, ka shumë të ngjarë që ne të jemi subjekt jo vetëm i një por i shumë faktorëve stresues njëkohësisht dhe për një kohë të gjatë. Dhe shkenca nuk e di ende se çfarë mund t’i shkaktojnë këto ekspozime sistemeve tona nervore në një periudhë afatgjatë.

Për shembull, gjatë trajnimit tim pas doktorimit, më kujtohet se vëzhgoja neuronet e minjve që ngordhnin në një pjatë brenda disa ditësh nga ekspozimi ndaj një neurotoksine që gjendet tek algat, të cilat po shtohen globalisht për shkak të ngrohjes globale. Ajo përvojë nxiti interesimin tim mbi studimin e efekteve që mund të ketë një toksinë e tillë mbi trurin enjeriut.

Ndërsa këto gjetje mund të duken të frikshme, ka ende shpresë. Truri ynë është një organ magjepsës. Ai mund të gjejë mënyra për ta reduktuar dëmtimin. Qelizat tona nervore të adaptueshme mund të ndryshojnë lidhjet e tyre, dhe të riorganizojnë lidhjet e tyre.

Me të njëjtat veprime që po marrim për të frenuar ndryshimet klimatike, për të parandaluar ndotjen e ajrit, të nxehtin e tepërt dhe ekspozimin ndaj substancave të dëmshme, ne mund të parandalojmë dhe të reduktojnë dëmtimin e trurit tonë dhe të fëmijëve tanë. Por ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse kuptojmë së pari shtrirjen dhe gamën e dëmit që vijnë nga ndryshimetklimatike.

Është kjo arsyeja pse kemi nevojë për më shumë shkencëtarë që të përqendrojnë përpjekjet e tyre kërkimore në vlerësimin e ndikimit të tij në trurin tonë. Për më tepër, kemi nevojë që politikat klimatike dhe vendimmarrësit ti kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, në mënyrë që ata të mund të hartojnë dhe miratojnë strategji, të cilat mund t’i mbrojnë nga dëmtimet e mëtejshme popullatat e cenueshme. /

World Crunch” – Bota.al

Back to top button