AnalizaMAIN

Demokratët në kërkim të rrugëdaljes

Pasojat e debatit presidencial të javës së kaluar e kanë futur Partinë Demokratike në një spirale krize. Megjithatë, shumë në parti mendojnë se ajo që po ndodh ka qenë fatkeqësisht e pashmangshme – produkt i viteve të refuzimit nga presidenti dhe rrethi i tij i ngushtë për të pranuar zbehjen në prezantimin publik të Bidenit, gjë që ka qenë prej kohësh e dukshme për votuesit. Tani, partia po korr pasojat e dështimit për t’u përballur me një problem që ishte i destinuar vetëm të përkeqësohej. “Ishte e parashikueshme dhe më zemëron fakti që të gjithë po sillen si të tronditur tani,” tha të dielën një zyrtar i vjetër demokrat. “Gjëja tronditëse është se njerëzit u përfshinë në këtë mashtrim për kaq shumë kohë.”

Performanca e Presidentit Biden në debatin e së enjtes me ish-presidentin Donald Trump konfirmoi frikën më të keqe në lidhje me aftësinë e tij dhe nxori zbuluar shqetësimet e pëshpëritura më parë.

Gjatë fundjavës, zyrtarë, donatorë dhe grupe partiake kërkonin një rrugëdalje, mes rënies së besimit për shanset e tyre për të fituar zgjedhjet e nëntorit. Disa individë janë shqetësuar për kaosin që mund të shkaktonte një përpjekje e vonuar për të riorganizuar kandidatët demokratikë dhe shprehën shqetësim për pamundësinë për ta detyruar presidentit të largohet.

Rreziqet ishin të njohura

Rreziqet e kërkimit të një mandati të dytë nuk duhet të ishin befasi. Për vite me radhë, sondazhet e kanë treguar qartë se shumica e elektoratit e konsideronte Bidenin si shumë të moshuar për të shërbyer edhe një mandat tjetër dhe kanë vënë në dyshim aftësitë e tij për shkak të moshës. Përqindje të mëdha të votuesve demokratë kanë thënë vazhdimisht se do të preferonin një kandidat tjetër. Megjithatë, rrethi i brendshëm i presidentit dhe udhëheqja e lartë e partisë vazhduan të këmbëngulin se këto shqetësime janë të tepruara ose të parëndësishme, dhe ata punuan për të shuar zërat dyshues.

“Ata ishin tashmë pas dhe shpresonin dhe supozonin se debati do të ndryshonte dinamikën e fushatës,” thotë Michael La-Rosa, një ish ndihmës i zonjës së parë Jill Biden, kritikat e buta publike të të cilit për strategjinë, e ënë atë armik të shumëkujt në botën e Bidenit. “Tani ata e kanë vënë veten në një pozitë edhe më të rëndë dhe e kanë vënë partinë, sinqerisht, në një pozitë vërtet të rrezikshme.”

Që Bideni po shfaqte ngadalësim bashkë me moshën, kjo ishte e qartë për shumëkënd. Disa prej ndihmësve më të hershëm thonë se shenjat e para ishin të dukshme që pas vdekjes së të birit nga kanceri, në vitin 2015.

I fshehur nga media

Megjithatë, Biden i vitit 2020 ishte mjaftueshëm energjik për të dhënë performanca të besueshme në debatet e zgjedhjeve paraprake dhe të përgjithshme. Si president – një punë e vështirë që i plak ata që e mbajnë – vështirësitë dhe pengimet janë rritur në frekuencë dhe ashpërsi. Si përgjigje, Shtëpia e Bardhë e ka mbrojtur nga media, duke e ekspozuar në shumë më pak konferenca shtypi dhe intervista të vështira, se sa paraardhësit e tij. Dhe ata kanë reaguar me tërbim ndaj kujtdo që ka guxuar të trajtojë këtë temë. Kur ish-strategu i Obamës, David Axelrod, sugjeroi butësisht në nëntor që Biden duhet të konsideronte nëse kandidimi për rizgjedhje ishte në interesin më të mirë të vendit, ndihmësit e Biden e sulmuan publikisht.

Aleatët e Biden-it punuan në prapaskenë për të shmangur një sfidë të mundshme në zgjedhjet primare, duke e bërë të qartë se politikanët që mendonin për një të tillë do të goditeshin. Si rezultat, një kongresmen pak i njohur i Minesotës, Dean Phillips, ishte i vetmi zyrtar demokrat që e shpalli kandidaturën, duke argumentuar se votuesit meritonin një alternativë dhe se Biden nuk mund të fitonte. Për të keqen e vet, ai u shpërblye me shkatërrimin e karrierës dikur premtuese politike.

Gazetarët dhe komentuesit që e vunë gjithashtu në dukje  pësuan trajtim të ngjashëm, të sulmuar publikisht dhe privatisht dhe të akuzuar se po ndihmonin Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë. Shtëpia e Bardhë kundërshtoi gjithashtu këshilltarin e posaçëm Robert Hur kur ai njoftoi në shkurt se nuk do ta akuzonte Biden për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, duke e përshkruar presidentin, të cilin ai e intervistoi për orë të tëra, si një “burrë të mirë, të moshuar me kujtesë të dobët.” / WSJ – Bota.al

Back to top button