Teknologji

Dorëzohet Google. Ja moduli për “t’u zhdukur” nga interneti

dorwzohet googleMe një modul të thjeshtë që mund të hartohet online, Google i ka hapur dyert e internetit “të drejtës për t’u harruar”. Duke u ofruar kështu qytetarëve europianë, dhe vetëm atyre, mundësinë që të harrohen, të eleminojnë disa të dhëna “jo më të përshtatshme”, “të vjetëruara” apo “pa lidhje” nga lista e rezultateve të motorrit të kërkimit. Një gjë të tillë gjigandit amerikan ia imponoi Gjykata e Strasburgut, dhe Google më në fund u dorëzua. Brenda pak orësh mbërritën 12 mijë kërkesa, 20 mijë pyetje në minutë. “Do i vlerësojmë praktikat njëra pas tjetrës, nuk do të ketë automatizim”, siguron zëdhënësi i kompanisë kaliforniane. Por gjithësesi, juristët i kanë disa dyshime.

Politikanë, shtëpiake, sipërmarrës, njerëz të zakonshëm dhe njerëz të famshëm, janë të shumtë ata që kërkojnë të çnjollosin reputacionin, me të drejtë ose jo, të meta të gjetura në artikuj të vjetër gazetash, në postime në Facebook që konsiderohen shpifje, në faqe thashethemesh. Ajo që nuk mund të bëhet, është të eleminohet me të vërtetë lajmi nga interneti. Kjo jo. Por, me miratimin e Google, link-et e shfaqur në modul nuk do të duken më gjatë kërkimit. E lehtë, apo jo? Aspak.

“Do të duhet një “goditje gjeniu”, pak a shumë si ajo e Dick Fosbury që në Olimpiadën e 1968 shpiku kërcimin shpinor, për të mbajtur së bashku të drejtën e të harruarit dhe të drejtën e informimit, sepse për momentin nuk kemi përgjigje të sigurta”. Mjafton kjo deklaratë e një filozofi që punon për Google, për të kuptuar se në çfarë lloj shkurrnaje është futur gjigandi kalifornian.

Një hap prapa. Shpallja e vendimit të Gjykatës europiane, që shtrin të drejtën e harresës edhe tek motorrët e kërkimit në internet, i përket datës 13 maj. I ka dhënë të drejtë një qytetari spanjoll, Mario Costeja Gonzales: ai donte të hiqte nga Google një link që të nxirrte tek e përditshmja La Vanguardia, që fliste për diçka që kishte lidhje me të dhe që i përkiste vitit 1998. Kompania e themeluar nga Larry Page dhe Sergey brin u desh të bindet, qoftë edhe për të mos rrezikuar një treg, atë të BE, ku ka 500 milionë përdorues. Procedura është kjo: hartohet një formular në internet ku specifikohet identiteti i kërkuesit (që vërtetohet me dokument dhe firmë elektronike, linku që duhet hequr dhe motivi. “Gjatë vlerësimit – lexohet në portalin e Google – do të marrim parasysh interesin publik për informacionet, për shembull nëse lidhen me mashtrime financiarë, neglizhencë profesionale, dënime penalë apo sjelljen publike të funksionarëve shtetërorë”. Vetëm kaq thuhet. As edhe një fjalë për kohën e përgjigjes apo kriteret që ndiqen.

Ajo që është e qartë tek Google, është se steka është vendosur shumë lartë. Rreziku i kompromentimit të të drejtës për transparencë dhe për të zhdukur nga interneti materiale që opinioni publiku duhet t’i dijë patjetër është shumë i lartë, aq sa është krijuar një komision ekspertësh, mes të cilëve figurojnë presidenti i Google, Eric Schmidt, themeluesi i Wikipedias Jimmi Wales, përfaqësues nga OKB është Frank La Rue dhe të tjerë. “Detyra jonë do të jetë të kuptojmë cfarë problemesh kemi përpara, pasojat dhe strategjitë e zgjidhjes”, thotë një burim i brendshëm. “Kemi përplasje të të drejtave themelore, për momentin nuk ka asnjë siguri”.

Mendohet që në fund do të jetë një algoritëm që do të vendosë se çfarë qëndron dhe çfarë zhduket. Nëse bëhet keq, atëherë kjo hapje ndaj të drejtës për të harruar mund të përkthehet në një kufizim të papranueshëm të të drejtës së informimit. Telashe për Google…

Leave a Reply

Back to top button