Teknologji

E ardhmja e internetit në rrezik, thonë ekspertët

internetiDuke e shënuar përvjetorin e 25-të të internetit, qendra e njohur amerikane e kërkimeve Pew Research vendosi të hulumtojë mendimet e ekspertëve për të ardhmen e internetit në dekadën e ardhshme, dhe të kuptojë pikëpamjet e tyre për shqetësimet që ata kanë lidhur me internetin dhe zhvillimin e tij në vitet e ardhshme.

Studimi arriti në përfundimin se për pjesën më të madhe, ekspertët janë në përgjithësi të ngazëllyer për risitë që do të vijnë në 10 vjet prej tani, por kanë edhe shqetësime dhe frikë se gjërat mund të ndryshojnë edhe për të keq në këtë drejtim.

Sipas tyre thuhet se sanksionet qeveritare për përdorim të internetit, përgjimet online dhe presionet komerciale janë të gjitha një shqetësim. Studimi i quajtur “The 2014 Future of the Internet” theksoi se liria online, megjithatë, ka një perspektivë dhe shpresë. Ekspertët optimistë shpresojnë se deri në vitin 2025 nuk do të ketë ndryshime të rëndësishme për të keq ose pengesa në mënyrën se si njerëzit marrin informacion dhe shpërndajnë përmbajtjen online. Ata gjithashtu presin risi dhe inovacione të reja të cilat do të ofrojnë mënyra të reja për njerëzit që të lidhen dhe të bashkëveprojnë, përmes internetit. Vendet totalitare në lindje, si dhe fuqitë perëndimore u kanë dhënë ekspertëve arsye për të ngritur flamujt e kuq dhe për të nxjerrë kritika dhe shqetësime sa i përket të ardhmes së internetit.

Censura në mesin e shteteve dhe goditjet qeveritare duket të jetë një nga temat kryesore për të cilat kanë folur shumica nga 1400 eksperët e internetit, raportohet të jetë thënë në studim. Mbikqyrjet online dhe përgjimet ishin një tjetër shqetësim i madh për respondentët e këtij hulumtimi. Me të gjitha lajmet e fundit të lidhura me NSA-në dhe aktivitetet tjera të spiunazhit, madje edhe nga korporatat e mëdha, nuk do të duhej të ishte e habitshme se kjo gjendje paraqet një shqetësim të madh për aktivistët e internetit dhe njerëzit e tjerë largpamës, raporton Wall Street Journal. /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button