HistoriMAIN

E zënë në befasi: Pse Amerika nuk e shmangu dot katastrofën në Pearl Harbor?

Shtetet e Bashkuara e dinin në gjysmën e dytë të vitit 1941, se Japonia po përgatitej për luftë në Paqësorin Perëndimor dhe Azinë Juglindore. Tokio duhej të siguronte materiale për operacionet e tij ushtarake në Kinë, kryesisht naftë, kallaj, boksit dhe gomë.

Por Uashingtoni nuk ishte në dijeni të detajeve të fundit të këtyre planeve. Natyrisht, strategët amerikanë e dinin, se një ofensivë japoneze do të synonte kryesisht kolonitë holandeze dhe britanike në Azinë Juglindore, pasi aty gjendeshin lëndët e para të nevojshme për të furnizuar ambiciet perandorake të Japonisë.

Gjithashtu, ata e dinin se prania ushtarake e SHBA-së në Filipine do të vihej një moment në pikëpyetje. Por në tërësi dihej prej kohësh që Japonia ishte gati të niste një luftë në shkallë të gjerë. Regjimi ekspansionist i Perandorit Hirohito, u kishte rënë daulleve të luftës në Azi që kur kishte pushtuar rajonin kinez të Mançurisë në vitin 1931, dhe kishte nisur në vitin 1937 operacionet ushtarake në rajonet e tjera të Kinës.

Bota kishte parë Japoninë të nënshkruante paktin trepalësh më 27 shtator 1940 me kombet fashiste evropiane agresore, Gjermaninë dhe Italinë. Mbi të gjitha, Uashingtoni i dinte për planet e Japonisë për luftë të mundshme. Por nuk morën asnjë masë deri para orës 7.50 të mëngjesit të 7 dhjetor 1941, kur mësuan se planet e Tokios për një pushtim të përgjithshëm të rajonit, përfshinin një sulm parandalues ​​dhe dobësues ndaj Flotës amerikane të Paqësorit në Pearl Harbor.

Gjithçka që dinte Ruzvelti dhe Sekretari i tij i Shtetit, Kordell Hall, mbi planet japoneze, ishte ajo që ata mund të merrnin nga udhëzimet që gjenerali Hideki Tojo, kryeministri i emëruar kohët e fundit, i dërgonte ambasadorit të tij në Uashington.

Tokio kishte lëshuar disa urdhra për luftë që më5 nëntor, dhe mori një vendim për luftë më 29 nëntor, duke e konfirmuar atë para Perandorit Hirohito më 1 dhjetor. Këto data ishin të njohura për Uashingtonin. Ndërkohë forcat e armatosura japoneze u udhëzuan të ishin gati për një luftë që mund të niste më 8 dhjetor.

Por kjo datë nuk iu bë e ditur ambasadës së Japonisë në SHBA, ndaj Uashingtoni nuk ishte në dijeni të këtij detaji. Triumfi i madh i Japonisë në gjysmën e dytë të vitit 1941, ishte mbajtja e fshehtë e planit për të goditur fort në Pearl Harbor, në rast se dështonin negociatat për të siguruar ambiciet e saj politike në Azi.

Plani japonez për të goditur fuqinë detare të SHBA-së në Paqësor, në mënyrë që të pushtonte lehtësisht Filipinet, Malajzinë dhe Inditë Lindore Holandeze, përfshiu një sërë masash që kanë qenë të përbashkëta për të gjitha sulmet e papritura të suksesshme në histori.

Së pari, Japonia analizoi me kujdes rrugën më të mirë të sulmit:në këtë rast, përmes Paqësorit Verior, larg rrugëve normale të transportit, që do t’i jepte mundësi avionëve japonezë të shmangnin zbulimin nga anijet apo avionët amerikane.

Gjatë atij operacionit, flota japoneze sulmuese udhëtoi gjatë një moti me re dhe shi për të shmangur gjurmimin. Së dyti, forcat e armatosura japoneze patën një disiplinë të hekurt për sa i përket trafikut të radios dhe sinjaleve të komunikimit, për të parandaluar dekonspirimin e planit.

Pilotët japoneze ishin praktikuar pa pushim për muaj me radhë, duke përdorur modele të shënjestrave që ata prisnin të gjenin të ankoruara në Pearl Harbour. Çdo aspekt i operacionit japonez ishte planifikuar në detajet më të imta. Plani u prezantua në Shtabin e Përgjithshëm Detar Perandorak të Japonisë në gushtin 1941, dhe u konfirmua pas një debati të ashpër më3 nëntor, vetëm disa javë para se të ndodhte sulmi.

Dështimi kryesor i SHBA-ve ishte nënvlerësim fatal i armikut. Ushtria amerikane nuk e besonte se mund të ndodhte ndonjëherë ndonjë bombardim masiv ajror, të paktën pa shumë paralajmërime. E megjithatë japonezët u përpoqën dhe arritën të pamendueshmen.

Në kohën e sulmit, shumë nga kundërmasat standarde në dispozicion të forcave amerikane në Hauai ishin ose të fikura ose nuk funksiononin. Një set radarësh i prodhuar në Britani, që ishte dëshmuar me shumë vlerë gjatë betejës së Britanisë një vit më herët, ishte instaluar në Oahu për të siguruar paralajmërimin e hershëm të një sulmi ajror.

Ai punoi në mënyrë të shkëlqyer, por lajmi se shumë avionë po i drejtoheshin ishujve nga veriu u hodh poshtë nga oficeri i turnit në Pearl Harbor, që po priste të mbërrinin një grup avionësh luftarakë B-17 nga Kalifornia po atë mëngjes.

Asnjë avion zbulues nuk u ngrit nga ishujt për të verifikuar situatën më pjesën veriore. E pse duhej në fakt? Ideja që 350 avionë bombardues do të shfaqeshin befas në qiell dhe do të zbrisnin në një vend 5470 km larg Japonisë ishte absurde. / HistoryExtra – Bota.al

Back to top button